Nxehen gjakrat në Kuvend, Nuredin Lushtaku i sulet Konjufcës, dështoi miratimi i Rezolutës për UÇK-në

Aktuale

Nxehen gjakrat në Kuvend, Nuredin Lushtaku i sulet Konjufcës, dështoi miratimi i Rezolutës për UÇK-në

Më: 27 tetor 2016 Në ora: 07:54
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) -  Seanca e Kuvendit përfundoi pa miratimin e Rezolutës për UÇK-në. Kjo meqë pas eskalimit të situatës në sallën e Kuvendit ku u debatua për vlerat e UÇK-së, mbetën vetëm 57 deputetë, duke bërë të mos ketë kuorum të mjaftueshëm.

Kësaj situate i parapriu një situatë aspak e  këndshme në mes të Glauk Konjfucës dhe Nuredin Lushtakut.

Ky i fundit tentoi të ketë konflikt fizik me Konjufcën kur ai po mbante fjalimin, pasi akuzoi Vetëvendosjen se është vetë ajo që ka deklaruar se ish pjesëtarët e UÇK-së janë kriminelë.

Për këtë, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se askujt nuk është duke i interesuar për ushtarët e UÇK-së dhe se reagimet e tilla janë shumë të rënda.

Ai madje ka shtuar se nuk merr përgjegjësi për atë që mund të ndodh.

“I paqit n’qafë familjet e juaja. Unë nuk marr përgjegjësi për ju. Unë duhem me ju largu sepse ju përveç vrasjeve, fjalën  kriminel,  e keni instalu në Kuvend. Për besë e rëndë është. Ky është mesazh për gjithë qytetarët. Le ta di gjithë populli se taksiratin jeni tu e thirr dhe secili ta bartë për vete”, ka thënë Veseli”.

Image

Ja draft rezoluta për vlerat e Luftës së UÇK-së (Dokument)

Në rezolutën e harmonizuar nga Grupet parlamentare të deputetëve në Kuvend, thuhet se pjesëtarët e UÇK-së, ishin faktor vendimtar për sjelljen lirisë dhe në këtë drejtim gëzojnë dhe duhet të gëzojnë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre të merituar institucional në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

“Lufta çlirimtare e Kosovës e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës me qëllim të çlirimit të Kosovës, sjelljes së lirisë dhe pavarësie për popullin e Kosovës me karakter mbrojtjen dhe çlirimtare, duke e respektuar, të drejtën dhe standardet më të larta të luftës, e drejtuar ekskluzivisht kundër forcave ushtarake policore dhe administratës okupuese të Serbisë në Kosovës, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës e cila mbrohet dhe çmohet nga çdo qytetarë dhe institucion i Republikës së Kosovës. Pjesëtarët e UÇK-së, me sakrificën dhe angazhimin dhe kontributin e tyre të çmuar në luftën e çlirimtare të Kosovës ishin faktor vendimtar për sjelljen lirisë, e pavarësisë për popullin e Kosovës dhe në këtë drejtim gëzojnë dhe duhet të gëzojnë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre të merituar institucional në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet tekstualisht në rezolutë.

Image

Më tej shkruhet se: “Edhe në rastin e dënimit të grupit Drenica i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve e pushtetit publik dhe sidomos gjykatat që t’i kushtojnë kujdes esencës së të drejtës që kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe ta shqyrtojë mundësin e arritjes së atij qëllimi me kufizim më të vogël”, thuhet në draft rezolutën që iu është shpërndarë deputetëve”.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Nait Hasani ka shprehur respektin e tij të plotë për të gjithë luftëtarët e UÇK-së që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, ndërsa duke ka kundërshtuar dënimin që u dhënë Grupit të Drenicës dhe gjithë luftëtarëve të tjerë pa u mbështetur në fakte, vetëm të mos jenë në shërbim të atdheut.

Hasani i cili ishte i burgosur nga regjimi i Millosheviçit ka theksuar se kemi bërë mund, sakrificë, kemi derdhur gjak dhe kemi krijuar vlera, e që këto vlera kanë krijuar UÇK-në.

“Liria jonë i a rrënjët në gjak. Fitorja jonë ishte madhështore, me mbarimin e luftës. Serbinë nuk e kemi në Kosovë, ama të çlirohemi nga ata jo, sepse ajo njerëzit e saj i ka në qeverisje. Çlirimtarët dhe komandantët u dënuan, nuk ka të bëjë vetëm me rastin Drenica, por që nga 2001 dhe për 17 vjet, duke u dënuar vetëm të mos jemi të lirë dhe të mos jenë në shërbim të atdheut. E sot i dënuan edhe Grupin e Drenicës, por lirinë e tyre nuk und ta dënojë askush, ata janë të lirë në ndërgjegjen shpirtërore”, tha Hasani.

Deputetëve u shpërndahet draft-rezoluta për vlerat e luftës së UÇK-së

Në këto çaste, deputetëve të Kuvendit të Kosovës u është shpërndarë draft-rezoluta për vlerat e luftës së UÇK-së.

Draft-rezoluta është hartuar nga një komision punues, i formuar nga partitë parlamentare.

Draft-rezoluta pritet të votohet pas përfundimit të debateve, nëse për këtë ka kuorum të mjaftueshëm, nëse mungon kuorumi, ky dokument do të votohet nesër.

Deputetët e VV-së rrinin në këmbë, ndërprehet seanca

Seanca e Kuvendit është ndërprerë për 15 minuta për shkak se deputetët Rexhep Selimi, Donika Kadaj-Bujupi dhe Driton Qaushi, janë ngritur në këmbë, derisa fliste deputeti Bislim Zogaj.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se nuk është mirë derisa dikush flet për të rënët dhe ushtarët e UCK-së, t’i kthehet shpina.

Këtu ka reaguar, Rexhep Selimi, duke thënë se nuk është në rregullore që të tregohet se me u ulë apo jo.

Veseli për këtë tha se 15 minuta pauza deri sa deputetët të ulen, kështu iu ndërpre fjala deputetit, Bislim Zogaj.

Image

Kurti-PDK-së: Ne nuk iu dorëzojmë në Gjykatën Speciale, por për krimet e pasluftës nuk iu mbrojmë

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke folur për Serbinë, ka thënë se Kosova ka nevojë për një aleancë ballkanike në këtë kohë kur stuhitë ballkanike po kërcënojnë.

”Kur ka qenë LDK-ja në opozitë, është akuzuar për raporte kundër UÇK-së, tash në opozitë është VV dhe po akuzohemi ne. Kur Vetëvendosje do të jetë në qeverisje, nuk do të iu dorëzojmë në gjykatë speciale sepse ne nuk e njohim specialen, por për krimet dhe zhvatjet e pasluftës ne nuk iu mbrojmë, kështu që edhe ju keni interes të vim ne në pushtet”, tha ai. 

Blerta Deliu: Ata të cilat sot janë kundër shtetit, nuk mund ta mbrojnë UÇK-në

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra pati një varg akuzash në adresë të Albin Kurtit dhe deputetëve të Vetëvendosjes, ku vuri dyshime për intervistën e Kurtit të dhënë gjatë kohës sa ishte i burgosur në Serbi.

“Nëse vlerat e UÇK-së kanë mbetur të mbrohen nga Vetëvendosje, atëherë unë s’kam çka të komentoj këtu. UÇK-ja mbrohet nga ata të cilat e themeluan dhe nga qytetarët të cilët e mbështeten atë. Prandaj, ata të cilat sot janë kundër shtetit dhe kundërt institucioneve të Kosovës që janë kundër SHBA-ve, nuk mund ta mbrojnë UÇK-në”, tha deputetja Blerta Deliu-Kodra, e cila reagoi ndaj ndërhyrjes së deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.

Ajo ia kujtoi Selimit se familjarët e saj kanë luftuar bashkë me të dhe vendi i tij nuk është të jetë i ulur pranë deputetëve të Vetëvendosjes.

Formohet grupi punues për harmonizimin e draft-rezolutës për UÇK-në

Ilmi Reçica, nga PDK, Agim Kikaj nga LDK, Glauk Konjufca nga VV, Pal Lekaj nga AAK dhe Zafir Berisha nga Nisma është grupi që do të harmonizojë draft rezolutën

Derisa përfaqësues të grupeve parlamentare kanë shkuar për ta harmonizuar draft rezolutën deputetët e mbetur  po vazhdojnë ende debatin për vlerat e UÇK-së.

 Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli propozoi që mos të ketë debat por të shkohet menjëherë me harmonizim të draft rezolutës por ishin deputetët e VV-së që kundërshtuan këtë.

Por jo vetëm deputetët e Vetëvendosjes por kundër këtij propozimi dolën edhe deputetët të PDK-së.

Ganimete Musliu pyet Albin Kurtin: Pse nuk pranove të luftosh kur t`u ofrua kallashnikovi në Qirez

Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu duke folur në seancën e jashtëzakonshme për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së tha se sot ka menduar se do të flitet përnjëmend për vlerat e UÇK-së.

Ajo ka kritikuar kolegët e VV-së për akuza të rëndë ndaj kolegëve të PDK-së.

“Unë nuk kam dëgjuar se në Parlamentin e Serbisë që një deputet të akuzohet nga një koleg tjetër për organet dhe veshkat.  Na ka hy  tha pyka serbe në mes tha Kurti, por kjo nuk është e vërtetë prandaj distancohu prej kolegëve tuaj fillimisht dhe  eja bashkëpuno  për të mirën e vendit të bëjmë këtu njëherë aleancë tani flasim për Aleanca Ballkanike. Ti Albin Kurti ke bërë akuza se kriminelët po shëtisin nëpër spital e këta kanë qenë të dënuarit ushtarë të UÇK-së.

Por Ganimete Musliu ka edhe një pyetje për Kurtin për veprimet e tij gjatë kohës së luftës.

“Albin pse në vitin 1998 në fshatin Qirez kur ta kanë ofruar kallashnikovin nuk e keni pranuar. Jeni të saktë me data por nuk keni treguar ku keni qenë më 17 janar 2004”, e pyeti ajo Kurtin.

Musliu tha se shpreh shqetësimin për procesin në rastin e Grupit “Drenica II”.

“Ne asnjëherë nuk do të ndërhyjmë në drejtësi, por asnjëherë nuk do të lejojmë që në emër të drejtësisë të na përdhoset dinjiteti. Nuk kemi nevojë për gjyqe politike”, tha Musliu.

Tensionohet situata në Kuvend, përplasen ashpër Fisnik Ismaili dhe Shaip Muja

Deputeti Shaip Muja dhe deputeti i Vetëvendosjes Fisnik Ismajli kanë shkëmbyer akuza ndaj njëri-tjetrit në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet për mbrojtjen e vlerave të luftës.

Ai duke sqaruar arsyen e votimit për Gjykatën Speciale tha se Fisniku ka bërë biznes në emër të tij duke e shpallur dekan të transplantet e organeve.

Reagimi i Ismajlit ishte i menjëhershëm i cili për deputetët e PDK-së tha se sot nuk qenkan mirë.

“Qa keni hangër e çka keni pi nuk e di ju sot nuk po më dokni mirë”, tha Ismajli.

Ndërkohë që Shaip Muja ia ktheu Ismajlit me akuzën së ka marrë fonde nga PDK-ja dhe është antikombëtar .

Ndërkohë që Ismajli i tha Mujës se me të as nuk dëshiron të pijë kafe vetëm se ka frikë “mos po ia mer veshkën”.

Veseli: Nëse ka gabim, ejani dëshmoni për Kadri Veselin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se edhe sot po të rrezikohet Kosova nga Serbia, prapë do t’i përgjigjej luftës. Kurse, Gjykatën Speciale do ta votonte edhe sot.

”Edhe sot po të rrezikohet Kosova nga Serbia do të luftoja, në luftë dëshiron me vdekë e nuk mundësh. E kam votuar Gjykatën Special sepse jam i bindur se i kisha lënë sherr fëmijëve të mi nëse nuk e kisha votuar. Le ta dinë miqtë e armiqtë, UÇK-ja ka luftuar për lirinë e popullit të vet, çka ka gabime ejani dëshmoni, dëshmoni për Kadri Veselin. Njerëz të ligë që mendojnë vetëm qysh me ta futë edhe shkojnë”, tha ai.

Izmaku kërkon nga Donika të dijë pse është larguar nga AAK

Deputetja e PDK-së Xhevahire Izmaku para se të flasë për debatin për të cilët edhe janë mbledhur sot në një seancë të jashtëzakonshme kërkoi nga kolegia e saj Donika Kadaj-Bujupi për të treguar se në cilësinë e cilës parti po flet.

“A munesh me na kallxu në emër të cilës parti po flet AAK-së apo Vetëvendosje. Dhe a mundesh me na tregu pse ke ikë nga AAK-ja, të kanë larguar apo??”, tha Izmaku.

Limaj: Kjo seancë po e dëmton shtetin

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka deklaruar se qeveritë e shteteve rajonale kanë angazhuar avokat për mbrojtjen e të akuzuarve në tribunalet e huaja, kurse në Kosovë, është turp se si sillet shteti ndaj themeleve të vet.

Sipas tij, kjo seancë po e dëmton shtetin, sepse askush nuk thërret seancë pas vendimit të gjykatës.

“Shteti dhe UCK-ja, ka bërë shteti për vlerat, sot po flitni për emra por askush nuk ka luftuar për pronat e veta e njerëzve tanë . A ka dërguar qeveria mbrojtjen e të akuzuarve si interes publik, a ka dërguar ndonjë avokat. Është turp sjellja e shtetit ndaj themelit të vet“, tha ai.

Ai ka lutur që mos të tentojnë të përdorin vuajtjet, padrejtësisë për poenta politik.

Ismajli e quan Haxhiun të sëmurë mendor

Edhe pse deputeti Bekim Haxhiu gjatë fjalës së tij nuk ka përmendur emra kur ha se ushtarët e UÇK-së janë dënuar me shpifje të hartuara, ishte deputeti Fisnik Ismajli që reagoi ndaj tij.

Ismajli duke e quajtur Haxhiun të sëmurë mendor tha se ai është dallaverxhi, rrenacak dhe se për këtë FIFA dhe UEFA e kanë larguar nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Por Haxhiu i tha se ai i ka fituar votat e qytetarëve të Kosovës, që ndërkohë dikush nga ulëset e opozitës tha se ato i ka vjedhur.

Ndaj kësaj ka reaguar kryetari i Kuvendit Kadri Veseli kërkoi nga kryeprokurori i Shtetit që t’i marrin parasysh këto akuza.

Ndërkohë deputetja Shqipe Pantina  i tha Haxhiut se ndoshta do ta besonte dikush para se të dalin përgjimet e aferës “Pronto” ndërsa tash jo

Haxhiu: Ushtarët e UÇK-së janë dënuar me shpifje

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu ka drejtuar akuza ndaj VV-së se kanë hartuar raporte kundër UÇK-së.

Haxhiu tha se shpifjet e kanë mbuluar të vërtetën e ushtarëve të pastër si liria e Kosovës.

“ Jo vetëm vendimi por i tërë procesi është i montuar, jo vetëm ky proces, por të gjitha ndaj ushtarëve të UÇK-së janë montuar dhe dorëzuar në EULEX. E kam thënë se EULEX e ka  huqur në drejtësi”, tha Haxhiu.

Donika Kadaj: Përkulja e Thaçit para pllakës serbë është legjitim i krimeve

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi ka thënë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit se pavarësisht se duhej të hetohej Serbia për krimet e luftës, po ndodh e kundërta e po hetohet UÇK'ja. Sipas saj, shumë deputetë që janë në sallë i kanë tradhëtuar me kohë idealet e UÇK'së.

Bujupi ka kërkuar nga Presidenti Hashim Thaçi se pse ende nuk ka kërkuar nga gjykata ndërkombëtare për hetimin e Serbisë, pse ende nuk është paditur Serbia për krimet në Kosovë. 

Deputetja ka kritikuar Thaçin për përkuljen e tij ndaj viktimave serbe duke shprehur se përkulja e Thaçit para pllakës është legjitim.

Haradinaj: Nuk krahasohet Zahiri me Kuçin

Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj ka reaguar ndaj një deklarate të kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, i cili e ka krahasuar zëvendëskryeministrin e Kosovës Hajredin Kuçin me heroin e Kosovës Zahir Pajaziti.

Këtë krahasim Veseli e ka bërë ndaj akuzës së deputetit Zafir Berisha duke i thënë Kuçit se ka qenë milic i Serbisë. Veseli tha se edhe Zahir Pajaziti ka qenë nxënës në shkollën e Policisë në Vushtrri.

 Por Daut Haradinaj i tha Veselit se ka bërë gabim të madh kur ka krahasuar Zahir Pajazitin me Hajredin Kuçin.

 Ndërkohë Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria që të tregojnë për ndonjë veprim konkret që kanë përkrahur në çfarëdo aspekti në procesin “Drenica”

Beqiri -Konjufcës: Mos ofendoni deputetët që kanë marrë votat

 

Kritikat e Konjufcës nuk i kanë pëlqyer shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri.

Pas fjalës së Konjufcës, Beqiri  ka reaguar duke thënë që mos të fliten të pavërteta sepse është përgjegjësi e madhe të fliten gjëra të pavërteta.

“Sepse ne e konsiderojmë pasuri tonën gjithë deputetët që i kemi këtu janë në grupin tonë  parlamentar dhe nuk duhet sepse po flasim për njerëz që e kanë votën dhe kur e  ofendon një subjekt politik i ofendon ata qytetarë që ua kanë dhënë votën, të mirë të këqij janë ata që i kanë marrë votat’, tha Beqiri.

Ai tha se as LDK e as VV nuk kanë të drejtë që të gjykojë se kush është fajtor e kush jo.

Konjufca: UÇK-në e kemi përdhos vet duke mos e mbrojtur pas luftës

Në debatin për vlerat e UCK-së që po zjvillohet në Kuvendin e Kosovës deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca ka kritikuar drejtësinë ndërkombëtare për siç ka thënë anshmërinë sa i përket krimeve të serbëve dhe ka qenë e zellshme të gjykojë krimet që kanë bërë shqiptarët.

“Kur është puna për krimet që kinse i ka kryer UÇK-ja,  ndërkombëtarët udhëhiqen nga parimi ‘të gjendet gjilpëra në kashtë’ kurse sa i përket krimeve të Serbisë në Kosovë ata udhëhiqen prej parimit ‘ujkun pe shoh por nuk po i shoh gjurmët askund’. Dëshmi ka me bollëk se kush ka kryer krime në Kosovë”, tha Konjufca.

Sipas tij prej  vitit 1999 ka mbizotëruar doktrina e UNMIK-ut  që krimet mos  të hapen dhe mos të dënohen pasi duhet ruajtur multietnicitetin në Kosovë e që e ka dëmtuar shumë.

Multietniciteti sipas Konjufcës e ka pas parakusht sakrifikimin e drejtësisë, por padrejtësia e PDK-së dhe LDK-së janë pajtuar më këtë doktrinë të UNMIK-ut.

“Ne dimë që shumica e kriminelëve kanë ikë në Serbi e disa e kanë vazhduar me u fsheh në veri të Kosovës . Pra këtu drejtësia ndërkombëtare është dhunu në dy principe, çka ka ndodhë me neve. Ka pas shumë përzgjedhje në raste dhe ka pas shumë anim. Menjëherë pas luftës UNIMK-u ia pat rezervu vetes të merret me krime lufte dhe na e ka pamundësuar neve të merremi me ata që nuk janë këtu e nuk janë kriminelë të luftës. Ekzistojnë lista me qindra me emra të cilët kanë kryer krime mbi popullatën e Kosovës dhe nuk ekziston asnjë  proces gjyqësor ndaj tyre. Në anën tjetër në gjykatat e Serbisë nuk janë trajtuar as 0.5 përqind të ushtarëve që kanë kryer krime në Kosovë”, tha Konjufca.

Por ai fajin kryesor ua lë fajin institucioneve të vendit që se kanë mbrojtur UÇK-në.

Anton Quni: Do të mbaja një pjesë të burgut të Sylejman Selimit

Image
Anton Quni

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka thënë se do të mbante një pjesë të dënimit të ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimit.

Quni ka pasur fjalë të mira për Selimin, duke u bazuar në kohën kur ishte këshilltar i tij derisa ku ka qenë komandat i FSK-së.

“Vullnetarisht do të mbaja një pjesë të burgut, në vend të Sylejman Selimit”, ka thënë ndër të tjera Quni.

Kuvendi i Kosovës është këtë të enjte duke mbajtur seancë për vlerat e luftës së UÇK-së, pas vendimit të Gjykatës së Apelit për rastin “Drenica 2”.

Berisha kërkon që me rezolutë Hashim Thaçi të shpallet tradhtar i vendit

Zafir Berisha, deputet i Nismës për Kosovën konsideron se debati i sotëm në kuvend rreth vlerave të luftës së UÇK-së dhe është i kotë.

Ai ka fajësuar deputet e Kuvendit të Kosovës se kanë nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare për t’I gjykuar djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai madje tha, se aty ndodhen deputetë të cilët duan t’i shesin mend nënës së vëllezërve Demaku, për të cilët Gjykata e Apelit shpalli aktvendimin për dënim me burg.

“Kjo legjislaturë nuk ka moral me fol për UÇK-në, së paku mendja me i shku nuk ka të drejtë. Është kjo legjislaturë e cila ka nxjerrë ligje e vendime për me e luftuar UÇK-në në dhe luftën e drejtë të çlirimtarëve. E tash ne me dalë këtu e me shit mend para nënës së vëllezërve Demaku nuk është e drejtë”, tha Berisha.

Ai tha se përgjegjës për devalvimin e luftës çlirimtare është presidenti Hashim Thaçi. Madje ai kërkoi që përmes rezolutës Thaçi të shpallet tradhtar i vendit.

Veseli: Ja pse ka luftuar UÇK-ja

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i PDK-se, në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit, ka thënë se UÇK-ja luftoi për të ndërtuar një shoqëri të lirë ku sundon drejtësia dhe të gjithë janë të barabartë para ligjit.

UÇK ka luftuar për të krijuar një shtet, sipas Veselit, ku një qytetar mund të dënohet vetëm pas një procesi të ndershëm gjyqësor, ku fajësia të provohet nëpërmjet provave të qarta, të besueshme e bindëse.

 “Luftoi për një sistem evropian të drejtësisë ku pasi fajësia provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm dhe dënimi të jetë proporcional me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë. Ne kemi sakrifikuar që të ndërtojmë një shtet të pavarur të mbështetur në parimet e demokracisë”, ka thënë Veseli.

Në parim, sipas Veselit, politika nuk duhet të ketë ndërhyrje në çështje gjyqësore. Kjo, sipas tij, është ajo çfarë më se shumti i duhet Kosovës, të ardhmes së saj euroatlantike.

“Partia Demokratike e Kosovës ka besuar dhe beson fuqishëm tek ky parim themelor kushtetues dhe demokratik. Kjo ka qenë arsyeja pse kemi heshtur edhe kur kemi pasur shumë dilema në veprimet e caktuara të gjyqësorit”, ka thënë Veseli.

Veseli ka thënë se për t’i hapur rrugën drejtësisë, Latif Gashi dhe Rrustem Mustafa janë larguar nga pozita e deputetit këtë mandatë, Ramush Haradinaj ka lëshuar postin e kryeministrit, Fatmir Limaj të deputetit.

Po ashtu, Veseli ka thënë se kur u arrestua Azem Syla, e ka mbështetur largimin e tij nga të gjitha përgjegjësitë institucionale.

“Edhe Fadili dhe Nexhati tani kanë lëshuar pozitat e tyre politike. Ne po zbatojmë parimin e drejtësisë, mirëpo me kalimin e kohës po shohim që shqetësimet e qytetarëve me këto procese po bëhen edhe më të mëdha”, ka thënë Veseli. 

Berisha-Kuçit: Kur unë kam qenë në burg, ti ke qenë milicë në Vushtrri

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, duke relikuiar me zëvendësministrin Hajredin Kuçi, i ka thënë këtij të fundit se kur ai ka qenë në burg, Hajredin Kuçi ka qenë milicë në Vushtrri.

Kurse, zëvendësministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se kurrë në jetë nuk ka bërë asnjë vepër kundër atdheut.

“Unë fola për kohën deri në 1999, pas luftës Zafir, t’i dhe të tjerët ia pafshi hajrin për çdo gjë që keni bërë”, tha ai.

Kuçi: Askush nuk mund ta mbroj UÇK-në duke i sulmuar themeluesit e saj

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka ftuar gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it dhe të tjerët ta bëjnë atë që e bjënë në shtetin e tyre, por sipas tij nuk e pranon drejtësinë që nuk e bëjnë në shtetet e tyre në BE.

“Ata që mendojnë të arrijnë pajtueshmëri në mes popujve duke i dënuar qytetarët e kanë gabim.

Mendoj që UÇK-ja është vlerë që na bashkon, nuk mund ta mbroj askush UÇK-në duke i sulmuar themeluesit e UÇK-së”, tha Kuçi.

Veseli - Zafir Berishës: Mos i jep shumë zor

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, iu ka përgjigjur deputetit të NISMA-s Zafir Berisha, pasi ky i fundit ka kërkuar që presidenti i vendit, Hashim Thaçi të shpallet tradhtar.

Veseli i ka thënë Berishës që të mos i jep zor shumë, dhe të mos e keqpërdor foltoren e Kuvendit për sulme të brendshme.

“Mos me i jep shumë zor, filloni peticioni për këtë punë”, ka thënë Veseli duke iu referuar deklaratës së Berishës që kërkoi që ta shpallet Thaçi tradhtar i popullit.

“S’është mirë foltoren e Kuvendit  me shfrytëzu në sulme të brendshme. Nuk është mirë kjo nuk është korrekte”, ka thënë Veseli.

Beqiri: Lufta e UÇK-së ishte çlirimtare, por duhet t’a ndërtojmë shtetin ligjor

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri ja thënë se LDK-ja nuk ka dyshim se liria që ne e gëzojmë është rezultat i një rezistence të djemve dhe vajzave më të mira të vendit, dhe ndihmës ndërkombëtare.

Ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë rrugë të drejt kundër gjenocidit serb, por ka bërë thirrje që situatat  tilla të tejkalohen me qetësi, meqë sipas tij është proces i ndërtimit të shtetit ligjor.

“Jemi të vetëdijshëm se si shtet duhet të ndërtojmë institucione të pavarura sado që është e ndjeshme situata të tilla duhet ti tejkalojmë me qetësinë largpamësinë dhe përkushtimin tonë për bërjen e shtetit ligjor, Organet duhet të jenë të pavarura e të përgjegjshme”, tha Beqiri.

AI ka shtuar se është shumë e qartë se s’mund të ketë tentim barazimi të fajësisë në mes Kosovës dhe Serbisë,  pasiqë  është e qartë  se në Kosovë kanë kryer krime paramilitarët serb të udhëhequr nga mekanizmi serb për vite të tëra.

Lekaj:Kundërshtojmë mënyrën e drejtësisë në vendin tonë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se po përndjeken ata që ishin më meritorët për lirinë e Kosovës me akuza të paqena që janë të ndërtuara në Beograd.

Lekaj në seancën e jashtëzakonshme tha se drejtësia UNMIK-EULEX, tribunalet ndërkombëtare dhe vendore nuk janë marrë ndonjë herë me krimet serbe.

“Nuk jam për ta kundërshtuar drejtësinë por jam për ta kundërshtuar mënyrën se si po bëhet drejtësia në vendin tonë”, tha ai.

Selimi i ashpër: Ju vet ua keni sjellë gjykatat mbi kokë, tash derdhni lot krokodili

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëri nga ish komandantët e UÇK-së Rexhep Selimi ka qenë shumë i ashpër gjatë fjalës së tij ku po debatohet për vlerat e UCK-së.

Selimi ka akuzuar kolegët e tij deputetë të cilët e kanë votuar Gjykatën Speciale për hipokrizi.

“Atyre që dje e kanë votuar Gjykatën Speciale do t’iu thosha çfarë kërkojnë në këtë debat, pse ata janë në këtë sallë sot. Të njëjtit e kanë mbjellë farën për të dënuar luftëtarët e UÇK-së”, tha Selimi.

Deputeti i Vetëvendosjes i ka pyetur deputetët votues të Speciales se për cilat vlera flasin ata.

Selimi i ka pyetur ata që kanë votuar për  amnistimin e kriminelëve serbë.

“E vini këtu derdhni lot krokodili. A jeni ju ata që e keni votuar mandatin e EULEX-it e sot dënoni vendimet e tij”, tha Selimi.

Madje ai adresoi kritika sidomos te PDK-ja që e ka thirrur këtë seancë.

Siç tha ai ata nuk kanë të drejtë të flasin sot në emër të atyre që siç tha Selimi, ‘i keni çuar në burg’.

“Nuk keni të drejtë të flisni në emër të atyre që kanë qenë të gatshëm të vdesin për tokën e Kosovës e sot ju po e shisni këtë territor. S’mund të flisni në emër të atyre që ua keni sjellë gjykatat në kokë”, tha Selimi.

Deputetëve që kanë votuar Gjykatën Speciale dhe zgjatjen e mandatit të EULEX-it, Selimi u tha: Duhet të ndaheni, ose me EULEX-in ose me UCK-në

Vlerat e UÇK-së nuk do të lejohet të nëpërkëmbën

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti ka deklaruar se nuk do të lejojnë gjykime me fakte të fabrikuara ndaj qytetarëve tanë. Vlera sublime e UÇK-së është vlera e cila nuk do t’i lejohet nga askush dhe për asgjë të nëpërkëmbet.

Ai tha se kanë thirrur këtë seancë të jashtëzakonshme, pas shpalljes së aktgjykimit për ish-luftëtarët e UÇK-së.

Pajaziti tha se ka tendenca të  hapura të qarqeve të ndryshme për ta dëmtuar imazhin e UÇK-së.

Ai propozojë që në fund të debatit të dal një rezolutë për mburojën e vlerave të luftës.

Në Kuvend fillon debati për vlerat e UÇK-së

Ka filluar me një orë vonesë seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ku do të debatohet për vlerat e UÇK-së.

Kjo seancë është vendosur me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës pas vendimit të Gjykatës së Apelit për rastin e të ashtuquajturit “Grupi i Drenicës”.

Me këtë vendim janë dënuar me burg disa nga ish-komandantët e UÇK-së, kryesisht nga zona e Drenicës.

Seancë e jashtëzakonshme për vlerat e luftës së UÇK-së

Seanca e sotme vjen pas mbledhjes urgjente që mbajti dje Kryesia e Kuvendit, ku u paraqiten rreth 40 nënshkrime të deputetëve që kërkuan të diskutojnë për vendimet e fundit të Gjykatës së Apelit për rastin “Drenica”.

Kuvendi me debat për vlerat e luftës së UÇK-së

Sot mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës të debatuar për vlerat e luftës së UÇK-së.

Kjo është vendos dje nga Kryesia e Kuvendit në një mbledhje urgjente.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se Kryesia ka shqyrtuar një kërkesë të Grupit Parlamentar të PDK-së lidhur me situatën e krijuar pas vendimit të marrë nga Gjykata e Apelit për rastin “Drenica II”.

Për të thirrur seancën e jashtëzakonshme me kërkesë për diskutim të kësaj pike, janë mbledhur 40 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit, sipas procedurave të rregullta me ligj.

Seanca e jashtëzakonshme  do të fillojë në ora 10:00 dhe pastaj do të vazhdohet me seancën e rregullt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat