Në karrigen e Speciales njerëz të fuqishëm të politikës!

Aktuale

Në karrigen e Speciales njerëz të fuqishëm të politikës!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 26 tetor 2016 Në ora: 10:46
Selia e Gjykates Speciale

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se Kosova është dashur të ndërtojë shumë më herët një Gjykatë Speciale në mënyrë që të merrej vet me rastet e luftës. Kjo gjykatë sipas tyre ka paralajmëruar se objekt i gjykimit do të jenë vrasjet që kanë ndodhur edhe gjatë luftës por edhe pas luftës.

Ata pohojnë të akuzuarit për krime të rënda, e veçanërisht për krime me motive politike ditore, nuk do të mund të justifikohen pranueshëm që mbrojtja juridike e të njëjtëve të financohet nga paraja publike.

Shteti që na duhet është shteti i së drejtës dhe jo thjesht shtet i ligjit

Artur Roshi, njohës i çështjeve politike ka thënë se Qeveria bën mirë që kërkon krijimin e Gjykatës Speciale sepse do të thotë se ka vullnet të përputhë sistemin gjyqësor të Kosovës me atë të vendeve të zhvilluara.

“Ne se një projekt ligj është në koherencë me standardet evropianë nuk duhet ta shohim me dyshim sepse është qeveria ajo që ka instrumentet dhe detyrimin për ta realizuar. Edhe projekt ligji për mbrojtjen dhe financimin e mbrojtjes së të akuzuarve është korrekt me standardet evropianë të të drejtës për tu mbrojtur sepse akuza është një e drejtë mbi dyshimet. Kushtetuta e çdo vendi mund të ketë nevojë për përmirësime dhe aq më tepër e Kosovës që nuk ka përvojën e vendeve të zhvilluara”, ka thënë Roshi.

Sipas tij, ajo që është thelbësore për ndërhyrjen në Kushtetutë është shkalla e lartë e teknikalitetit sipas përvojave evropiane dhe me gjithëpërfshirës politike maksimale.

“Unë gjykoj se rritja e veprimtarisë së gjykatës speciale do dërgojë para drejtësisë njerëz të fuqishëm të politikës si dhe të sferave të ndryshme. Kryesisht politikanët janë njerëzit që shpesh marrin ngarkesa negative të pamerituara dhe njerëzit më shumë vlerësojnë një opinion se një gjykatë. Çdo i akuzuar është qenie njerëzore dhe ka të drejtën e mbrojtjes dhe këtë detyrë e ka shteti kur "i akuzuari" nuk mundet ta bëjë vetë. Njerëzit duhet ti gjykojmë, por edhe ti mbrojmë në të drejtën e tyre”, ka thënë Roshi.

Ai ka pohuar se shteti që na duhet është shteti i së drejtës dhe jo thjesht shtet i ligjit sepse ligjet mund të bëhen me një vullnet shumice parlamentare por jo se garanton të drejtën e çdo grupi interesi apo individi.

“Kultura jonë demokratike vuan realisht nga mospërfillja e interesave të grupeve dhe individëve në ngritjen e ligjeve. Edhe Hitleri vendosjen e diktaturës e bëri nëpërmjet një votimi me shumicë në parlament, pra në rrugë ligjore. Hitleri krijoi një shtet ligjor, por jo të së drejtës. Ekuilibri midis akuzës dhe mbrojtjes është e drejta e dyanshme e palës akuzuese dhe asaj mbrojtëse. Kjo nuk duhet cenuar. Ne se ne krijojmë ligje të këqija ato goditjen e fillojnë nga qytetarët e thjeshtë. Jo çdo gjë që bën qeveria e bën keq dhe për arsye abuzive”, ka thënë Roshi.

Të gjitha palët shijojnë shkopin, ndëshkues, por është e padrejtë të krahasohet viktima me agresorin!

Ndërsa Ismet Haziri njohës i çështjeve politike ka pohuar se, me vet faktin që deputet e atëhershëm dhe disa të tashëm që kanë pranuar ta votojnë krijimin e gjykatës speciale, kanë bërë shkelje kushtetuese, ngase që atëherë është bartur një pjesë e sovranitetit në një drejtim të panjohur.

Sipas tij, këto ndryshime kushtetuese nuk janë as risi dhe as të pa pritura për opinionin e Kosovës.

“Ndryshimet esenciale të projektligjit që pritet të ndodhin ma shumë janë të dhimbshme nga aspekti financiar, ngase ky buxhet i varfër i taksapaguesve në vende që të kthehet në investime zhvillimore, po rrëshqet drejt përfitimeve të të tjerëve. Tmerri i kësaj gjykate është nga fakti se nuk është e përkufizuar në kohë, por është krijuar me votën e imponuar të deputeteve, ku e njëjta nuk mund të pushojë së vepruari nga vota e parlamentit tonë”, ka shtuar Haziri.

Ai ka pohuar se a do të ndodhë gjykimi i vrasjeve politike është qëllimi i gjykatës, se a ka karakter të zbardhjes se drejtësi nga ana e ndërkombëtareve për të gjitha rastet, apo karakter balancues në raport me Serbinë.

“Të gjitha palët të shijojnë shkopin ndëshkues, që është shumë e pa drejtë të krahasohet viktima me agresorin, kurse një gjykatë e krijuar nga institucioni ma i lartë i vendit për vete ndëshkim normal që ka edhe pasoja financiare.

Krijimi i Gjykatës Speciale në Kosovë është një padrejtësi dhe dëm i madh për Kosovën

Ndryshe Sami Blakaj, njohës i çështjeve politike ka pohuar se krijimi i Gjykatës Speciale në Kosovë është një padrejtësi dhe dëm i madh për Kosovën, dhe kjo për dy arsye është e padrejtë, sepse bënë drejtësi selektive dhe kjo për mua është thjeshtë padrejtësi.

Sipas tij, është e qartë se parimi bazë juridik nënkupton drejtësi të barabartë për të gjithë dhe nuk selekton drejtësi, duke gjykuar vetëm një popull apo etni, që në këtë rast janë vetëm shqiptarët, por jo edhe serbët dhe të gjithë të tjerët që mund të jenë pjesë e krimit në Kosovë.

“ Kjo është e dëmshme për Kosovën sepse prezenca e një gjykatë të tillë e dëmton rëndë sistemin e drejtësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Në këtë rrafsh, ndryshimet kushtetuese që duhet bërë përkitazi me funksionimin e Gjykatës Speciale në Kosovë prekin drejtpërsëdrejti sovranitetin e vendit, duke e deleguar një pjesë të sovranitetit shtetëror në një shtete tjetër, përkatësisht në shtetin e Holandës, atje ku ndodhet edhe selia e gjykatës. Megjithatë duhet pranuar se krijimi i Gjykatës Speciale në Kosovë, nuk është një rastësi, por është „dhuratë“ dhe rezultat i mos punës së sistemit të brishtë të drejtësisë në Kosovë”, ka thënë Blakaj.

Ai ka deklaruar se sikur Kosova të kishte një drejtësi funksionale që do ta kishte guximin të merrej me krimet e luftës dhe krimet e nivelit të lartë, sot nuk do të flitej as për Gjykatën Speciale, por as për drejtësi ndërkombëtare.

“Por përderisa ne nuk jemi të zot të ndajmë drejtësi, e të tregojmë zotësi, gjithmonë do të jemi të mbikëqyrur dhe më gjysmë pavarësi”, ka shtuar Blakaj.

Sipas tij, ajo që tashmë dihet është se kjo gjykatë do të merret me veprat penale të pretenduara si krime të luftës dhe veprave të tjera shumë të rënda penale.

“Periudha kohore që tani është përcaktuar është 1 janar 1998, deri me 31 dhjetor të vitit 2000. Prandaj nisur nga ky përkufizim kohor rezulton qartë se Gjykata Speciale nuk do të trajtoi fare vrasjet politike të pas luftës në Kosovë dhe kjo padyshim që është e dhimbshme për familjet e viktimave, por edhe për vetë Kosovën, kur kihet parasysh numri i vrasjeve politike të pas luftës që edhe sot e kësaj dite nuk po arrijnë të zbardhen nga drejtësia kosovare”, ka thënë Blakaj.

Ai ka pohuar se lidhur me mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare shtetëror te personave që potencialisht mund të gjykohen nga Gjykata Speciale (qoftë edhe për vrasje politike), personalisht jam kundër kësaj mbështetjeje.

“Nuk do të pajtohesha asnjëherë dhe në asnjë mënyrë që me parat, përkatësisht me taksat e mija të mbrohet juridikisht dikush i cili potencialisht ka kryer vrasje dhe krime në Kosovë. Prandaj një gjë e tillë juridikisht është e padrejtë, ndërsa moralisht është e papranueshme”, ka shtuar Blakaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat