Kujt i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme?

Aktuale

Kujt i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme?

Më: 24 tetor 2016 Në ora: 22:37
ilustrim

Deklarimet e fundit të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, se “nuk është punë e madhe edhe nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme”, po nënkuptohen si dëshirë e PDK-së që të shkohet sa më shpejtë në zgjedhje për shkak se prestigji i kësaj partie po bie.

Opinionisti Ilir Mirena, ka thënë se PDK-së i nevojiten tani zgjedhjet, sepse përkundër se e para, përkrahja për të po bie tani.

Sipas tij, nëse shkohet tani në zgjedhje, ajo parti që do të dilte keq është partneri i koalicionit të PDK-së, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Mirena thotë se LDK-ja do t’i shtynte sa më shumë zgjedhjet, të paktën deri atëherë kur Gjykata Speciale të fillojë punën dhe të gjykojë ndonjë nga komandantët e PDK-së.

“Elementi qëndron tek frika se sa më shumë që shtyhet kjo situatë e përkeqësuar do të reflektonte në rënie të numrave. Në këtë situatë për zgjedhje më së shumti do t’i konvenonte PDK-së”, ka thënë Mirena.

“LDK-ja ka rënie të madhe, për shkak të tradhtisë që i kanë bërë elektoratit dhe tradhtisë që i ka bërë VLAN-it. Prandaj ata kanë shpresa në Gjykatën Speciale dhe mungesa e emrave të komandantëve të PDK-së. Kjo është shpresa e LDK-së”.

Ndërsa analisti, Dardan Gashi, deklaroi se Veseli duhet t’u qëndrojë besnik deklarimeve të tij për zgjedhjet dhe të shpërbëjë qeverinë e të shkohet në zgjedhje.

“Atë që Kadri Veseli e ka thënë është dashur të kulmojë me një deklaratë tjetër që të shpërbëhet parlamenti. Veseli duhet ta shkarkojë këtë Qeveri”, ka deklaruar Gashi në Zona B.

“Nëse ai rri konsekuent do të duhej ta shpërbëjë Kuvendin dhe të shkojmë në zgjedhje të reja”.

“Kosova po humb drastikisht. Serbia po hynë fort në Kosovë duke iu referuar dy viteve të fundit. Kurrë ma keq nuk ka qenë Kosova, qysh kur kemi shpall pavarësinë. E të gjitha këto shkojnë në llogarinë e kësaj qeverie, nën llogarinë e Isa Mustafës”.

“Nuk është me rëndësi për ne si qytetarë cila parti do të fitojë, por qytetarët asnjëherë arsye më shumë nuk kanë pasur që ta japin zgjedhjen e tyre”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat