Ambasadori Hungarez: Qytetarët e Kosovës nuk duan të ndjehen si qytetarët e dytë në Evropë

Aktuale

Ambasadori Hungarez: Qytetarët e Kosovës nuk duan të ndjehen si qytetarët e dytë në Evropë

Më: 24 tetor 2016 Në ora: 20:54
Laszlo Markuszm

Shteti hungarez sot shënoi përvjetorin e 60-të të pavarësisë, e cila është arritur përmes Revolucionit hungarez të vitit 1956, revoltë kjo e cila ishte organizuar kundër qeverisë në pushtet të ashtuquajtur Republika Popullore Hungareze, e udhëhequr nga Partia Socialiste e Punëtorëve, e cila ishte nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik.

Në organizimin e bërë të hënën nga Ambasada hungareze në Prishtinë, në një fjalë rasti ambasadori hungarez në Kosovë, Laszlo Markuszm tha se kjo ditë shënon përvjetorin e 60-të të Revolucionit hungarez, kohës kur hungarezët u lodhën nga tirania e udhëheqësve dhe dolën nëpër rrugë për të protestuar dhe rifituar pavarësinë dhe lirinë. Ai shtoi se ky revolucion nuk ishte i planifikuar dhe se ndodhi spontanisht nga vetë populli hungarez, sepse ishin të dëshpëruar.

Sipas tij, kosovarët dhe hungarezët ndajnë histori të ngjashme, pasi që gjatë periudhës së viteve 1950 dhe 1960, ndiheshin si qytetarë dytësor në ish Jugosllavi, andaj mirëkuptimi dhe miqësia mes kosovarëve dhe hungarezëve kujtohet edhe sot.

Markusz deklaroi se nuk sheh ndonjë arsye për të mos i lejuar qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave, pasi sipas tij qytetarët kosovarë nuk duan të ndjehen më si qytetarët e dytë në Evropë dhe se duhet ta ndjejnë lirinë e udhëtimit, transmeton KosovaPress.

Markusz: Festojmë përvjetorin e 60-të të Revolucionit hungarez

“Në këtë ditë po festojmë përvjetorin e 60-të të Revolucionit hungarez dhe luftës për liri. Pas një dekade tiranie hungarezët u lodhën, andaj dolën nëpër rrugë për të protestuar dhe morën armët për të rifituar lirinë dhe pavarësinë. Në tetor të vitit 1956, ishte populli ai që vendosi spontanisht dhe nuk kishte vend dhe kohë për analiza ushtarake, ishte një e qarë dëshpëruese për liri dhe vendosmëri për të mbrojtur kohën dhe lirinë që morëm nga udhëheqësit në ato ditë. U deshën më shumë se 4 mijë tanke për të thyer rezistencën e ushtrisë së Budapestit, ku luftonin kryesisht me armë dore dhe koktej molotivi. Miqtë tanë kosovarë dhe shqiptarë, gjithashtu kaluan në një periudhë shumë të vështirë në vitet e 50-ta dhe 60-ta. Në epokën e Rankoviqit, shqiptarët dhe hungarezët shpesh janë ndjerë si qytetarë të dytë, si klasa e dytë e qytetarëve në ish Jugosllavi. Mirëkuptimi i thellë dhe miqësia m es tyre kujtohet edhe sot. Për këtë arsye, unë plotësisht bashkë-ndjej me miqtë kosovarë, që nuk duan të jenë qytetarët e dytë në Evropë dhe se do donin ta ndjenin lirinë e udhëtimit në Evropë pa viza. Vendi im nuk sheh ndonjë arsye për të mos i dhënë Kosovës liberalizmin e vizave”, tha Markusz.

Dhe krejt në fund ambasadori Markusz  tha se dëshiron t’ia dedikojë një këngë të gjithë atyre kosovarëve dhe hungarezëve që lanë vendin e tyre, për shkak të presionit dhe nuk u kthyen më asnjëherë.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe skenës politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat