Majko: Beogradi bombë e pashpërthyer, duhet çmontuar

Aktuale

Majko: Beogradi bombë e pashpërthyer, duhet çmontuar

Më: 24 tetor 2016 Në ora: 12:23
Pandeli Majko

Pozita dhe opozita në Kosovë po imiton deri diku kolegët e tyre në Tiranë. Politikanët atje nuk e kanë problem që për gjëra që s’ia vlen të diskutohen, të shpallin tradhtarë e të korruptuar. Politika në Kosovë duhet të jetë më syhapur në marrëveshjet që bënë, ngase tek detajet fshihet djalli. Kështu e përkufizon situatën aktuale politike në Kosovë, ish kryeministri i Shqipërisë, deputeti socialist në Parlamentin e Shqipërisë, Pandeli Majko, i cili thotë se me vëmendje i përcjell zhvillimet këtu.

Kryeministri që udhëhoqi Qeverinë e Shqipërisë në ditët kur Kosova po luftonte për çlirim nga serbët, Pandeli Majko në një intervistë për KosovaPress thotë se dy çështjet e fundit që po e përçajnë për kaq shumë kohë pozitën dhe opozitën në Kosovë, duhet të shikohen në detaje.

Ai mendon se Beogradit nuk duhet t’i epet çfarëdo që kërkon nga Kosova, ngase pas Asociacionit do të mund të kërkojë edhe të tjera gjëra. Megjithatë, ai thotë se fqinjësia e mirë duhet të jetë një ndër prioritetet e qeverisjes këtu.

“Pozita dhe opozita në Kosovë po bënë deri diku një imitim të marrëdhënieve që ekzistojnë në Shqipëri. Në Shqipëri është e natyrshme që edhe në Parlament për tema të cilat nuk ja vlen të diskutohen shpallesh tradhtar, i korruptuar, i mbaruar, dhe a thua se ka ardhur fundi i botës. Megjithatë edhe publiku në Kosovë edhe publiku në Shqipëri na ka parë që ne bashkë rrimë dhe bashkë ndajmë shumë gjëra të cilat vlejnë për t’u ndarë, pavarësisht gjithë kësaj që ka ndodhur në Shqipëri pas viteve të 90-ta, klasa politike e Shqipërisë mund të akuzohet për shumë gjëra, por përgjithësisht vendimmarrjet e saj kanë qenë ndër më të suksesshmet pas 1912, flas për vendimmarrjet kryesore jo për vendimmarrjet që kanë të bëjnë me arsyetimet tjera ekonomike apo diçka më shumë. Edhe në Kosovë tani janë disa vendimmarrje të cilat tani kërkojnë një fokus të një natyre e cil a në një krah ka presionin e Brukselit, ta quajmë dhe të flasim hapur, ose më saktë të perëndimit për të pasur një Kosovë që të ketë sa më pak probleme me fqinjët”, është shprehur Majko.

Çështja e demarkacionit nuk është dosido, thotë Majko, dhe për shënjimin e vijës kufitare ai thotë se duhet gjetur e konsultuar njerëz të aftë në këtë lëmi. Ai mendon se kjo çështje nuk do të duhet të përdorur si armë politike duke e kërkuar tradhtarin, por duhet punuar për të gjetur zgjidhjen dhe të vërtetën. Vetë Pandeli Majko thotë se ka pyetur drejtpërdrejt qytetarët e Pejës për çështjen e kufirit me Malin e Zi, dhe ata i kanë thënë se ka një të vërtetë ndryshe nga ajo që thotë Prishtina zyrtare. Nisur nga kjo, Majo thotë se në përgjithësi shqiptarët, këndej dhe andej Drinit, duhet të jenë më të vëmendshëm në raportet dhe marrëveshjet që krijojnë dhe i ndajnë më fqinjët e tyre.

“... me kufirin e Malit të Zi është një problem dhe nuk është një problem dosido çështja e kufirit. Me Maqedoninë elita politike maqedonase, mos kujtoni se e ka harruar atë që ka ndodhur gjatë konfliktit atje dhe ata më shumë akuzojnë Kosovën sesa Shqipërinë. Pastaj për të vazhduar me këtë debatin e fundit midis analistëve të Shqipërisë dhe Kosovës mendoj se ka një histori e cila nuk duhet lënë që ta rrethoj Kosovën me një histori konfliktesh dhe pastaj të ngritur pikëpyetjen serbe ç ‘është ky shtet. Kështu që detajet teknike që kanë të bëjnë me Malin e Zi për shembull unë kam pyetur pejanët, por jo politikanët. I kam pyetur pejanët në mënyrën time dhe më kanë thënë se kanë një problem për sa i përket kufirit. Kjo kërkon dashamirësi, kërkon njerëz të aftë dhe kërkon që kjo çështje të mos përdoret për të gjetur tradhtar në Qeveri dhe të papërgjegjshë m te pala në opozitë”, deklaron Majko..

 

Asnjërës palë nuk u intereson të kenë probleme me njëra tjetrën, as shqiptarëve e as malazezëve, e aq më pakë të kenë histori të ngrira për çështjen e kufirit, thotë Majko i cili beson që si pozita e ashtu edhe opozita në Kosovë, duhet të dëgjojnë edhe se çfarë thonë qytetarët.

“Ka probleme, dhe nëse ata pejanët që kam pyetur unë tregojnë që nuk kanë ndonjë interes të thonë që janë opozitën apo pozitën por thonë se ka zona të cilat duhet të parë nga pamja kufitare, atëherë duhet të shikohen marrëveshjet e vjetra  e komunave që kanë ekzistuar që  në kohë të Jugosllavisë. Dhe unë mendoj që janë detajet ato që duhet shikuar. Shpresoj që sidomos tani në Mal të Zi kur kanë mbaruar edhe zgjedhjet atje, politikanët janë më të relaksuar për të marr vendime për të ardhmen e vendit. Dhe malazezëve nuk ju intereson të kenë konflikt me shqiptarët apo të kenë një histori të ngrirë problemesh me shqiptarët, pasi që për shumë arsyeje fraksioni që qëndron sot në pushtet i Millo Gjukanoviçit, qëndron edhe falë shqiptarëve. Pavarësia e Malit të Zi qëndron falë shqiptarëve, jo të atyre që jetojnë atje por edhe atyre që erdhën me aeroplanà « nga Amerika apo nga Evropa Perëndimore“, tha Majko.

 

Ish kryeministri i Shqipërisë shprehet i bindur se me sy mbyllur e di që presionet dhe planet e Beogradit janë që statusi i Kosovës në rajon të ec paralel me atë të Republikës Serbe në Bosnje e Hercegovinë, dhe këtë e ndërlidhë me planin e tyre për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.

“Sa i përket Asociacionit unë mendoj që duhet ecur me logjikën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pa diskutim, e di shumë mirë, me sy hapur dhe me sy mbyllur që teknika juridike që vjen nga Beogradi kërkon që statusi i Kosovës në rajon por dhe më gjerë është të eci paralel me statusin e Republikës Serbes në Bosnje-Hercegovinë”, thotë Majko.

Ai tregon se Beogradi nuk është qendër e rëndësishme e prodhimit të politikës evropiane, por nuk duhet harruar që është një qendër burimore e politikës që vjen nga Lindja dhe si e tillë duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje që të punohet me faktorin ndërkombëtar.

Majko thotë se janë shqiptarët ata që duket se kanë lindur për të toleruar në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, e që serbët janë atë që përfitojnë. Për arsye që historia i dëshmon, ai thotë se është mirë që shqiptarët të jenë më sy hapur në raport me serbët dhe të shohin mirë se çfarë fshihet në detajet e marrëveshjeve mes dy shteteve.

“Për shumë arsye Beogradi nuk është një qendër e rëndësishme e prodhimit të politikës evropiane por është një bombë e pa shpërthyer e cila duhet çmontuar me mënyra evropiane dhe amerikane. Por mos të harrojmë që është një qendër burimore e politikës që vjen nga Lindja dhe si e tillë ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të punojmë me faktorin ndërkombëtar. E kam të qartë që ka një nervozizëm me gjithë palët, duket që vetëm shqiptarët kanë lindur për të toleruar në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serb dhe serbët janë ata që përfitojnë sot një asociacion, nesër diçka tjetër. Në këtë pikë ne duhet të merremi më shumë me detajet. Nuk e kanë thënë kot të vjetrit se te detajet fle edhe djalli’, deklaron Majko.

Kurse sa i përket kushtit të Bashkimit Evropian që i ka vënë Kosovës që procesi i pikës kufitare me Malin e Zi të jetë i përfunduar për lëvizjen e lirë të qytetarëve në zonën Shengen, Majko tha se ky është një presion i vërtetë. Ai mendon se Brukseli në marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit po përdorë  sistemin e bonusëve.

“Lëvizja e njerëzve, mendoj që ky është presion i vërtetë. Brukseli po përpiqet që në marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit të luaj me sistemin e bonusëve, bëni këtë që t’ju jap këtë, bëni këtë që t’ju jap këtë. Vlen të diskutohet se sa ka prodhuar kjo racionalitet në marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit, vlen të diskutohet nëse kjo po prodhon një histori kompromisi në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, vlen të diskutohet...Unë nuk mund të jap definicione se më duhet edhe vetë të shikoj në vazhdim si do të jetë kjo histori”, tha Pandeli Majko.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat