E ardhmja e Kosovës është në integrimin euro-atlantik

Aktuale

E ardhmja e Kosovës është në integrimin euro-atlantik

Më: 22 tetor 2016 Në ora: 07:52
Pamje nga Samiti

(E plotësuar) - Për të parën herë në Kosovë është mbajtur seminari ROSE-ROTH, i Asamblesë Parlamentare e NATO-s, me qëllim që të lehtësojnë dialogun që lidhen me çështjet e sigurisë rajonale në mesin e ligjvënësve të NATO-s dhe vendeve partnere.

Seminari i cili u pezullua nga delegacioni i Serbisë  në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, vazhdoi edhe në pjesë politikë sic është liberalizimi i vizave, demarkacioni me Malin e Zi.

Këtë seminar e ka quajtur historik nënkryetar i AP-së së NATO-s, Paolo Alli. Ai ka deklaruar se e ardhmëria e Kosovës është në integrimin euroatlantik. Kjo deklaratë erdhi pasi që siç tha ai, është inkurajuar nga zhvillimet e shumta pozitive në Prishtinë, duke shtuar se në aspektin e sigurisë Kosova është stabile, edhe pse ka sfida të caktuara.

Alli: E ardhmja juaj në është në integrimin euro-atlantik

“Ky i sotmi vërtetë është një seminar historik, është i pari i këtij lloji që mbahet në Prishtinë. Këto seminare nuk kanë qenë të mundura të organizoheshin para disa viteve...ardhmëria juaj është në integrimin euro-atlantik, pasi e thash këtë jam i inkurajuar nga zhvillimet pozitive të shumë numra në Prishtinë, si dhe me dialogun tuaj me Beogradin. Çështja është se ne kemi një gjendje të re sot në Kosovë nga aspekti i sigurisë Kosova është në përgjithësi stabile edhe pse ka sfida të caktuara”, tha ai.

Alli shpreson që ky seminar të luaj rolin e saj në ndërtimin dhe fuqizimin e arritjeve pozitive për një klimë politike.

Anulimin e pjesëmarrjes së delegacionit të Serbisë, Alli ka thënë se është për të ardhur keq.

Alli: Anulimi i pjesëmarrjes së Serbisë për të ardhur keq

“Siç e dini tani delegacioni i Serbisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, kryenegociatori i Beogradit për dialogun e Prishtinës e kanë pezulluar, anuluar pjesëmarrjen e tyre. Kjo natyrisht është për të ardhur keq, sepse edhe delegacioni i Serbisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s ka mundur të jep një kontribut të rëndësishëm në diskutimet tona”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sa i përket çështjes së sigurisë në Kosovë, tha se siguria rajonale nuk cenohet vetëm nga mbetjet e të së kaluarës por edhe nga kërcënimet globale, siç është terrorizmi, ku Kosova ka marrë masa të rëndësishme dhe nuk ka qenë, as nuk do të jetë burim i rekrutimit terroristë.

Veseli: Kosova nuk ka qenë dhe nuk do të jetë burim i rekrutimit për terroristët

 “Sot siguria rajonale nuk cenohet vetëm nga mbetjet e së kaluarës apo nga stagnimi ekonomik por edhe nga kërcënimet globale, sikurse është terrorizimi ndërkombëtar. Vendi ynë qëndron fuqishëm në krahët e koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit...Kosova as nuk ka qenë, as nuk do të jetë asnjëherë burim i rekrutimit për terroristët. Ne trashëgojmë një kulturë të fuqishme të tolerancës ndër fetare dhe ndërkulturore. Religjionet për ne janë burim solidariteti dhe humanizmi dhe asnjëherë instrumente të dhunës apo të urrejtje”, tha Veseli.

Në pyetjet nga përfaqësuesi i Malit të Zi se kur do të përfundojë çështja e demarkacionit me Malin e Zi, Veseli nuk ka dhënë një datë të saktë se kur do të votohet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, por megjithatë, ka thënë se kjo çështje do të përfundojë.

Veseli: Sido që të jetë, çështjen e Demarkacionit do të kryejmë

“Duhet ta kuptoni se edhe pozita edhe opozita kanë respektin e madh për Republikën e Malit të Zi dhe janë të interesuar që sa më shpejtë të përfundoj  çështja e Demarkacionit. Por ajo çka kemi dallime është se kolegët këtu nga opozita kanë shqetësime se çështja e kufirit nuk është përcaktuar saktësisht dhe besoj shumë që do ta kemi mirëkuptimin e përbashkët dhe çështjen e demarkacionit ta harrojmë në raportet tona...sido që të jetë do ta kryejmë dhe me Republikën e Malit të Zi do të kemi vetëm raporte të cilat do të jenë shembull edhe për vendet tjera”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Kurse, lidhur me kushtin nga Bashkimi Evropian për votimin e demarkacionit për liberalizimin e vizave, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostova ka thënë se ai kusht është parashtruar si një problem teknik që është politizuar.

Apostolova: Kushti i demarkacionit është politizuar

“BE-ja nuk është duke shpikur gjithnjë e më shumë kushte vetëm për shkak se Kosovën ta mbajmë larg nga familja evropiane...ky kushtëzim që është një gjë që ka mundur të zgjidhet fare lehtë, ashtu siç e përmendi kryetari i Kuvendit dhe jo si një problem tejet i vështirë. E kemi parashtruar si problem teknik i cili mund të zgjidhet në mënyrë fare të lehtë, fatkeqësisht ky ku problem është politizuar dhe faktikisht ky problem paraqitet një prej kërkesave të cilat i shohim në rrugën e Kosovës në finalizimin liberalizimit të vizave....prioritetet përcaktohen sipas vendit dhe për Kosovën do të jetë  sundimi i së drejtës lufta kundër korrupsionit, do të jetë ndërtimi i institucioneve të fuqishme dhe të shëndosha të cilat do të garantojnë që të drejtat e qytetarëve të Kosovës do të mbrohen”, tha Apostolova.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Aida Dërguti, ka shfaqur shqetësimin e saj me mungesën e zërit opozitar në panelin e folësve në seminarin Rose Roth të Asamblesë së NATO-s në Prishtinë.

Kurse, përgjigjja ishte se ky organizim është bërë nga sekretariati i Asamblesë Parlamentare.

Gjithashtu, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë fjalimit të tij, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të ketë qasje më integruese për Kosovën, me ç’rast theksoi se Kosova dhe të rinjtë janë më të izoluarit në Ballkan.

Kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit, në këtë drejtim Veseli kritikoi gjyqtarët, madje ai tha se gjyqtarët duhet të merren me rastet e rënda të krimit dhe korrupsionit.

"EULEX nuk do të qëndrojë përgjithmonë në Kosovë"

Shefja e Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX),  Alexandra Papadopoulou, e cila po merr pjesë në seminarin e AP-së ka prezantuar punën e deritanishme të misionit të Eulexit.

Ajo para të pranishmëve ka theksuar se Eulex  është duke punuar në forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Papadopoulou ka theksuar se stabiliteti i sundimit të ligjit në Kosovë po përparon, sipas saj Eulex nuk do të qëndroj përgjithmonë në Kosovë pasi që sic thotë ajo po reduktohet strukturat e këtij misioni duke kaluar në kompetenca të institucioneve të vendit.

Ajo më tej ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet edhe më shumë të shtojnë vullnetin e tyre në drejtimin e rendit dhe luftimin e korrupsionit.

Sipas saj, sundimi i ligjit ishte temë shumë e rëndësishme në Kosovë.

“Ne flasim nga përvoja e EULEX, nga mandati i i vazhduar i yni, ky mandat i ri pasqyron shumë”, tha ajo.

Papadopoulou tha se para 8 viteve pyetej pse po krijohej EULX, shumëçka është shkruar e thënë për këtë mision.

“Ishte vendim unanim i vendeve anëtare për ta formuar këtë mision, për ta përfaqësuar interesin drejt europianizmit. Ky ka qenë misioni më i madh në botë i Eulex kështu ne si prioritet e kemi luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, pra ky është qëllimi i jonë”.

Ajo deklaroi se EULEX-i nuk do të qëndrojë përgjithmon në Kosovë, një ditë do të mbaroj ky mision, sepse edhe tashmë veç ka filluar të reduktohen disa procese të këtij misioni.

“Institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të tregojnë zotuesin e tyre në drejtimin e sundimit të ligjit. Këtu jemi për të ndihmuar dhe të punojmë bashkë”.

Samiti i NATO-s, ardhmëria e Kosovës është në integrimin euroatlantik

Nënkryetar i AP-së së NATO-s, Paolo Alli ka deklaruar se e ardhmëria e Kosovës është në integrimin euroatlantik, pasi Kosova është stabile, edhe pse ka sfida.

Ai tha se Asambleja e NATO-s ka mbajtur shumë seminare por ky i sot është vërtet i llojit historik sepse këto seminare nuk kanë qenë të mundura para shumë vitesh.

“Unë besoj që ky seminar të dikoj në fuqizimin e arritjeve të ndërtimit të një klime politike të mirë në Kosovë. Asambleja jonë vazhdon të jetë e hapur për shumë sfida. Parimet demokratike duhet të mbizotërojnë, rendi dhe ligji  duhet të respektohen”, tha ai.

Sipas tij, delegacioni i Serbisë në Asamblenë e NATO-s dhe Gjuriq,  kanë anuluar pjesëmarrjen e tyre dhe kjo është për të ardhur keq.

Veseli: Do ta përfundojmë çështjen e demarkacionit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nuk ka dhënë një datë të saktë se kur do të votohet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, megjithatë ka thënë se kjo çështje do të përfundojë.

Në pyetjen nga përfaqësues të Malit të Zi, Veseli tha se nuk kemi asnjë çështje të hapur me Malin e Zi dhe falënderojë këtë shtet që me asnjë dekoratë nuk ka nxitur ndonjë jostabilitet.

Veseli shtoi se duhet të kuptohet se edhe pozita dhe opozita janë të interesuar që të përfundohet çështja e demarkacionit por opozita ka dyshime se vija e kufirit nuk është përcaktuar si duhet.

“Gjithsesi ne do ta përfundojmë këtë çështje dhe me Malin e Zi do të kemi vetëm raporte të mira”, tha ai.

Kosova e gatshme të marrë përgjegjësi për stabilitet në rajon

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, deklaroi se institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj qëndrojnë fuqishëm në aspiratën për anëtarësim në BE.

Në fjalën e tij në seminarin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Prishtinë, kryekuvendari Veseli ka thënë se Kosova është pjesë e Europës.

Ai gjatë fjalimit të tij, është shprehur se dialogu dhe bashkëpunimi fqinjësor janë të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Sot siguria rajonale kërcënohet nga zhvillimet globale sikur janë ato të terrorizmit. Ne jemi përkrahë vendeve që luftojnë terrorizmin”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësitë për luftimin e terrorizmit dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon, duke thënë formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës do të jetë një shtytje pozitive për këtë drejtim.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për partneritet të fuqishëm dhe perspektivë të qartë.

“Shpresoj që do të kemi mirëkuptimin e të gjitha vendeve qe nuk e kanë njohur Kosovën, ne emër të stabilitetit të rajonit”.

Veseli tha se Kosova do të luajë rolin e saj në këtë plan, sepse i ka kapacitetet e veta.

“Në aspektin e sfidave të sigurisë janë të përbashkëta ato që i kemi të gjithë rajonin”, tha Veseli.

Ai deklaroi se Kosova asnjëherë nuk do të jetë vend i krizave dhe ekstremizmit radikal.

“Ne jemi vend që i kemi neutralizuar këto gjera, kemi nxjerr ligje edhe për parandalimin e atyre që mund të marrin pjesë në vendet e huaja”, tha ai.

Kryekuvendari Veseli deklaroi se jemi vendi i vetëm ne rajon që kemi nxjerrë ligj për mbikëqyrjen e financave.

“Institucionet e sigurisë janë duke bërë punë të jashtëzakonshme”, tha Veseli.

Stabiliteti arrihet vetëm me bashkëpunim

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë në seminarin e 93-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Jean-Hubert Lebet, ka uruar që me anë të shkëmbimeve dhe prezantimeve do të fitohen pikëpamje të reja për tejkalimin e sfidave në rajon.

Ai ka thënë se stabiliteti dhe siguria mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit.

Sipas tij, ndihma e Zvicrës shkon përtej këtij seminari në Kosovë, pasi Zvicra është partnere në çdo aspekt.

Fillon Samiti i NATO-s në Kosovë

Kanë filluar punimet e seminarit të 93-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Prishtinë.

Kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti tha se organizimi i mbledhjes në Prishtinë, u përcjell të gjitha vendeve të rajonit se stabiliteti në Kosovë nuk është vetëm i nevojshëm por edhe i domosdoshëm për sigurinë në rajon dhe me gjerë.

Në takimin treditorë me fokus të veçantë do të flitet për perspektiven e Kosovës në lidhje me Unionin Europian dhe NATO-n.

Do të flitet edhe për progresin e bërë në dialogun Prishtinë-Beograd ku do të ketë adresime edhe nga shefat negociatorë të të dyja vendeve, Edita Tahiri dhe Marko Gjuriq.

Ligjvënësit e NATO-s do të flasin po ashtu për situatën, politike, socio-ekonomike dhe të sigurisë në Prishtinë.

Seminari është i organizuar në bashkëpunim me Parlamentin e Kosovës nën udhëheqjen e kryesuesit të delegacionit të Parlamentit të Kosovës në NATO, Xhavit Halitit dhe do të mbështete po ashtu nga Qeveria e Zvicrës.

NATO ka mbajtur 19 seminare Rose-Roth në Ballkanin Perëndimorë që nga fillimi i këtij programi në vitin 1991.

Me nga një fjalim në samit do të drejtohen, Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa, Komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo, Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou dhe Shefi i OSCE-se ne Kosovë, Jan Braathu.

Seminari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s nëpërmjet fotografisë

Punimet Seminari i 93-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ende nuk ka filluar. Mysafirët e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, kanë filluar të vijnë.

Ndryshe, në të cilin pritet të jenë më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë gati 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.

Në takimin treditor do të diskutohet për perspektivën e Kosovës në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe rolin evolues të NATO-s në rajon, që pason Samitin e Aleatëve të  Krerëve të Shteteve dhe të Qeverive, të mbajtur në muajin korrik, në Varshavë.

Ligjvënësit e NATO-s do t'i shqyrtojnë zhvillimet politike, socio-ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, perspektivat për bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik rajonal, si dhe reagimin e Ballkanit Perëndimor ndaj sfidave që vijnë nga terrorizmi ndërkombëtar dhe menaxhimi i fluksit të migrimit nëpër Evropë.

Seminari është organizuar në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës nën udhëheqjen e kryetarit të  Delegacionit të  Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s, Xhavit Haliti dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane.

Image

Mbahet Seminari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Sot në Prishtinë fillon punimet Seminari i 93-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në të cilin pritet të jenë më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë gati 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.

Në takimin treditor do të diskutohet për perspektivën e Kosovës në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe rolin evolues të NATO-s në rajon, që pason Samitin e Aleatëve të  Krerëve të Shteteve dhe të Qeverive, të mbajtur në muajin korrik, në Varshavë.

Ligjvënësit e NATO-s do t'i shqyrtojnë zhvillimet politike, socio-ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, perspektivat për bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik rajonal, si dhe reagimin e Ballkanit Perëndimor ndaj sfidave që vijnë nga terrorizmi ndërkombëtar dhe menaxhimi i fluksit të migrimit nëpër Evropë.

Seminari është organizuar në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës nën udhëheqjen e kryetarit të  Delegacionit të  Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s, Xhavit Haliti dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat