Ish-Kryeministri i Kroacisë Zoran Milanovic kërkon punë në Kosovë

Aktuale

Ish-Kryeministri i Kroacisë Zoran Milanovic kërkon punë në Kosovë

Më: 21 tetor 2016 Në ora: 22:33
Zoran Milanovic

Ish-Kryeministri i Kroacisë Zoran Milanovic po u ofron shërbime konsulente vendeve të rajonit, të cilat janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit në BE. Mediat kroate njoftojnë se ai tashmë ka kontaktuar me disa qeveri të rajonit përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjën dhe Kosovën. Milanovic dje ka qëndruar në Prishtinë por nuk dihet nëse i ka bindur autoritetet e Kosovës për të nisur bashkëpunimin.

Sipas mediave kroate, Milanovic i cili për disa vite ka qenë Kryeministër i Kroacisë -shtet anëtar i BE'së, po u ofron shërbimet e tij vendeve të rajonit të cilat kanë aspirata për t'u anëtarësuar në familjen e kombeve europiane.

Milanovic të enjten është parë në Prishtinë në shoqëri të Agim Cekut, ish-Kryeministër i Kosovës para shpalljes së pavarësisë. 

Po ashtu mediat kroate bëjnë me dije se ekipi i Milanovic dhe ai personalisht i kanë filluar kontaktet me qeveritë e rajonit të cilave ai dëshiron t'ua ofrojë përvojën e tij prej Kryeministri i një shteti anëtar të BE'së për t'u ndihmuar në rrugën e integrimeve.

Derisa, sipas mediave kroate, ai ka shansë të punojë me disa qeveri të rajonit, kjo nuk do të ndodhë me Serbinë, për shkak se ai nuk ka marrëdhënie të mira me Kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vucic.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat