Strukturat paralele në veri nuk i zhbëri dialogu dhe as Ligji për amnisti

Aktuale

Strukturat paralele në veri nuk i zhbëri dialogu dhe as Ligji për amnisti

Më: 21 tetor 2016 Në ora: 17:58
Ilustrim

Në veri të Kosovës vazhdon funksionimi i strukturave paralele serbe, thonë deputetë të Kuvendit të Kosovës nga komisionet për Siguri dhe ai për mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Këto struktura qenë themeluar dhe mbështetur nga Beogradi zyrtar, që nga periudha e pasluftës.

Çështja e strukturave paralele në veri, por edhe pjesët tjera të Kosovës, është adresuar edhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Por, sipas delegacionit të Prishtinës në bisedime, marrëveshja për shuarjen e paralelizmave nuk është zbatuar ende në tërësi.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Haxhi Shala, nga subjekti politik Nisma për Kosovën tha për Radion Evropa e Lirë, se lejimi i funksionimit të strukturave paralele serbe në Kosovë është duke e penguar në masë të madhe funksionimin e shtetit.

"Nuk kemi çka të shqetësohemi për strukturat paralele në veri përderisa strukturat paralele ne i kemi në parlament dhe qeveri", tha Shala duke shtuar se asnjë nga ministrat apo zëvendësministrat dhe deputetët serb nuk kanë pranuar dhe nuk e njohin Kosovën shtet.

Struktura paralele serbe organizohen dhe funksionojnë në kuadër të ashtuquajturave organe të përkohshme, që drejtohen nga strukturat paralele, të mbështetura dhe financuara nga Serbia.

Shala thotë po ashtu se këto struktura, paraqesin rrezik edhe për destabilizimin e vendit. Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk ka forcë e as vullnet politik për zhbërjen e këtyre strukturave paralele.

"Mund të themi lirshëm që të gjitha strukturat paralele e bëjnë shtetin jo funksional përpara qytetareve dhe bashkësisë ndërkombëtar", ka deklaruar Shala. Tutje ai thotë se shuarja e strukturave paralele duhet të kushtëzohet me dialogun Prishtinë - Beograd.

Kurse, Fadil Demaku, nënkryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se për rend dhe respektim të ligjeve në veri të Kosovës, kërkohet një vullnet dhe gatishmëri më e madhe e Qeverise së Kosovës.

"Kjo çështje ka të bëjë edhe me zbatueshmërinë e marrëveshjeve të arritura deri me tani [në dialogun Prishtinë- Beograd]. Nga pala serbe është parë se nuk ka aspak vullnet për t'i zbatuar marrëveshjet dhe në fakt mos gatishmëria e tyre ka derivuar dhe reflekton në mbajtjen gjallë të këtyre strukturave në atë pjesë të vendit", ka thënë Demaku.

Autoritetet e Kosovës theksojnë se janë të vetëdijshme për funksionimin e këtyre strukturave, të cilat i cilësojnë krejtësisht të papranueshme. Për të mundësuar integrimin e tyre, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar edhe Ligjin për amnisti, me të cilin mundësohej që ish pjesëtarët e strukturave paralele të integrohen gradualisht në institucionet e vendit.

Deputeti Demaku thekson se për shuarjen e strukturave paralele duhet edhe një ndihmë nga faktori ndërkombëtar që vepron në Kosovë, si dhe një vendosmëri e institucioneve të vendit.

"Kërkohet një vendosmëri shumë me madhe e institucioneve të sigurisë së vendit në bashkëpunim edhe me bashkësinë ndërkombëtare që është prezente këtu për ta ndryshuar gjendjen atje në të mirë të funksionimit të ligjit si edhe në pjesët tjera të Kosovës. Në këtë drejtim atje ka boshllëk dhe duhet bërë me shumë", ka theksuar Demaku.

Ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka deklaruar se po punohet në shuarjen e të gjitha strukturave paralele që ekzistojnë në veri të vendi.

Ai ka thënë se janë 'zhbërë dhe po zhbëhen strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë’ dhe se për ata njerëz që kanë punuar në ato struktura është aplikuar Ligji për amnisti.

Për autoritetet e Kosovës, shuarja e këtyre organeve është një nga kushtet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si një prej marrëveshjeve kryesore të arritura në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat