AAK-ja në Pejë: Vendimi i Kryetarit Muhaxheri është “goditje” e rëndë për Ndërmarrjen “Ambienti”

Aktuale

AAK-ja në Pejë: Vendimi i Kryetarit Muhaxheri është “goditje” e rëndë për Ndërmarrjen “Ambienti”

Nga: Adem Lushaj Më: 21 tetor 2016 Në ora: 17:47
Pamje nga konferenca

Dega e AAK-së në Pejë, ka reaguar ndaj Vendimit komunal për ndërprerjen e kontratës për kryerje të shërbimeve publike me Ndërmarrjen Publike ”Ambienti”, duke dhënë punët e deritashme që kryente kjo kompani, një biznesi privat. Zyrtarët e kësaj dege kanë akuzuar kryetarin Gazmend Muhaxheri, edhe për keq menaxhim të parasë publike dhe kontraktime familjare. Në komunikatën për media të lëshuar nga Avdullah Hoxha, përgjegjës i Grupit profesional për shërbime publike brenda AAK-së thuhet”

“Edhe më tutje po vazhdojmë të ndajmë shqetësimin tonë me qytetarët e Pejës, kjo ngase Kryetari i Komunës se Pejës, nuk po pushon në shqetësimin dhe dëmtimin në forma të ndryshme, gjithnjë në dëm të qytetarëve.

Kësaj radhe goditi shumë rendë Ndërmarrjen Publike ”Ambienti”. Siç dihet, kjo Ndërmarrje, që nga ekzistimi i saj, në mesin e punëve të tjera, ka bërë fshirjen, larjen e rrugëve si dhe mirëmbajtjen e parqeve e hapësirave të gjelbra. Që të jemi korrekt ndaj tyre, duhet të potencojmë se kanë qenë shembull për të mirë. Edhe pse Komuna e ka në përgjegjësi këtë ndërmarrje, Kryetari i Komunës në vend së t’i ofroj më shumë përkrahje dhe ti siguroj edhe punë të tjera, për të cilat ka mundësi, ai para një jave e goditi rendë duke ia marrë punët për mirëmbajtjen e parqeve si dhe fshirjen dhe larjen e rrugëve, punë këto të cilat përmes tenderit ia dha një Ndërmarrje Private.

Ne nuk jemi kundër asnjë Ndërmarrje private, por t’i merret puna Ndërmarrjes Publike dhe ti jepet një Ndërmarrje Private, kjo nuk do koment. Me këtë veprim skandaloz dhe të pa përgjegjshëm, Kryetari i Komunës goditi rëndë Ndërmarrjen Ambienti, duke ia rrezikuar qëndrueshmërinë financiare dhe duke e rrezikuar qe afër 40 të punësuar në këtë ndërmarrje të mbesin pa të ardhura. Është hera e parë në histori që ndërmarrja publike nuk i kryen këto punë.

Nuk është vetëm Ndërmarrja Ambienti dhe të punësuarit e saj, duke u dëmtuar nga Kryetari i Komunës. Ai, së bashku me ekipin e tij keq -qeverisës, në vazhdimësi është duke dëmtuar qytetaret e Pejës, duke keq-menaxhuar dhe keq-përdorur buxhetin e Komunës të mbledhur nga vetë qytetarët.

Në buxhetin komunal, në kodin nr. 41277- Ndërtimi i rrugëve në qytet dhe në fshatra, mjetet e planifikuara për vitet 2016-2017 janë për 1,600,000.00 € (euro) më pak se kontratat dy vjeçare për punët që kanë filluar, ku tetë nga këto projekte janë pa vendim të Asamblesë.

Aq me keq, për vitin 2017 janë planifikuar edhe rrugë të tjera pa mbulesë financiare, që i bie se Komuna po futet në borxhe vetëm për të zbatuar projekte elektorale.

Duhet të theksojmë këtu se edhe ato punë që po kryhen janë të cilësisë së dobët ngase ato nuk mbikëqyren dhe pranohen teknikisht nga profesionistet e punësuar në Komunë, por nga një ekip i miqve të Kryetarit të angazhuar me Kontratë mbi vepër, ekip të cilin e udhëheq vëllai i Kryetarit, po ashtu me kontratë mbi vepër.

Dëshmi për ilustrim, për kualitet të dobët të punimeve, është rruga në fshatin Cigë e cila ende pa u përfunduar në tërësi, është shkatërruar në masë të madhe. Ka katër vite që banorët e 20 fshatrave të Lugut të Baranit si dhe fshatit Llozhan, Grabovc dhe Dobërdol, presin që të bëhen me ujë të pijshëm nga sistemi i ujësjellësit, por gypi kryesor ende nuk është shtruar i tëri për shkaqe se këtij projekti prej dy vjetësh Komuna ia merr mjetet dhe i shpenzon për qëllime të tjera. Mjetet nga projekti për ujësjellës për këtë vit që janë paraparë në shumë 260,000,00 € (euro) ri-destinohen për shtrimin e rrugëve”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat