Pozita dhe opozita pa dokument të përbashkët për demarkacionin

Aktuale

Pozita dhe opozita pa dokument të përbashkët për demarkacionin

Më: 21 tetor 2016 Në ora: 16:27
Pamje nga takimi

(E plotësuar)

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, u vendos që draft-deklaratat e pozitës dhe opozitës për demarkacionit të kufirit të Kosovës më Malin e Zi, t’i dërgohen Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Veprimi i sotëm erdhi, pas kërkesës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që shefet e grupeve parlamentare të pozitës dhe opozitës të bëjnë një deklaratë të përbashkët,  në mënyrë që të përafrojnë qëndrimet e tyre, për të dalë me një deklaratë të përbashkët, e cila në formë të një letre do t’u dërgohej organizmave më të lartë në Evropë.  

Aida Dërguti, nga Vetëvendosje, tha se Qeveria nuk do të duhet t’i frikësohej një procesi të ri për verifikimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ku sipas saj duhet të shqyrtohet dhe të kthehet në pikën zero.

“As Qeveria nuk do të duhej t’i frikësohej një procesi të ri... Nëse ata mendojnë dhe janë të sigurt që kanë të drejtë, mos t’i frikësohen procesit të ri, le ta kthejnë në pikën zero dhe do të vijmë tek i njëjti rezultat. Por nëse e vërteta nuk është ashtu, por është ndryshe dhe që unë besoj shumë që është ndryshe, atëherë le ta rishqyrtojnë duke e kthyer në pikën zero, pa e paragjykuar duke mbledhur ekspertët... Për mua është shumë problematike, pavarësisht dallimeve se pikërisht dallimet kanë filluar një situatë tejet të rëndë dhe duhet të precizohet për çfarë procesi po flasim, përmbyllja si do të ndodh, zgjidhja si do të ndodh, po fillojmë një proces të ri, po kthehemi në pikën zero, apo po dëshirojmë të kemi një konsensus”, tha Dërguti.

Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se një deklaratë e tillë duhet të kuptohet si një qëndrim i vullnetit të mirë dhe se çdo tentim për të bërë ndryshime në letër e bënë të pamundur deklaratën, duke theksuar se ata kanë të qarta qëndrimet e pozitës dhe të opozitës.

“Në një deklaratë të tillë e kuptojmë si shprehjeje të vullnetit të mirë dhe në këtë rast nuk mund të themi asgjë më tepër, prandaj këtë e them pa asnjë keqkuptim, tentimi nga cilado anë prej nesh me fut diçka që dihet, e bënë letrën të pamundur dhe deklaratën. Sepse ne e kemi të qartë qëndrimin e  pozitës, sikurse është i qartë qëndrimi i opozitës... Jemi marrë vesh që vetë formulimi i fjalisë, pavarësisht dallimeve që kemi, kjo tregon që i kemi dallimet dhe nuk kemi hyr me thënë se as që duhet me u kthy në zero as me thënë tjetrën, që nuk ka me u kthy në zero, sepse nuk kemi dashur të lëshohemi këtu... Nëse hyhet në një intervenim të tekstit, në plotësime e natyra të tilla, atëherë është e qartë që ne nuk mund të bëjmë deklaratë”, tha Beqiri.

Por shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka reaguar ndaj Ismet Beqirit, duke thënë se keni dhënë një deklaratë dhe na thoni n’daq merreni n’daq lëreni.

“Pa dashur të polemizoj me juve Beqiri, ajo që po bie në sy është që e kemi një dokument, e keni dhënë një deklaratë, n’daq merrni n’daq lëreni. Kjo nuk është korrekte, nuk është kolegiale, sepse sikur ta kishim formuluar deklaratën e përbashkët dhe ne të lëvizim atëherë ke plotësisht të drejtë, por ne nuk kemi bërë deklaratën e përbashkët”, tha Lekaj.

Edhe pse paritë e koalicionit theksuan shumë herë që nuk pranohen propozimet e opozitës, deputetja nga radhët e PDK-së Blerta Deliu, propozoi që dy deklaratat t’i dërgohen Kryesisë së Kuvendit, i cili propozim mori pëlqimin e të dyja palëve.

Por Aida Dërguti theksoi se nëse nuk përfshihen propozimet e tyre, atëherë ata nuk do të jenë pjesë e deklaratës.

“Nëse definitivisht keni vendosur që vetëm versioni juaj i deklaratës të shkojë dhe të mos përfshihet asnjë nga propozimet tona, që mua më duket që janë shumë në rregull, atëherë nuk ka kuptim të kërkoni prej nesh që të jemi pjesë e kësaj deklarate”, tha ajo.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Ilmi Reqica, që vie nga radhët e PDK-së, ka bërë të ditur vendimin që propozimet do t’i dërgohen Kryesisë.

“Nëse ju insistoni për propozime, atëherë t’ia adresojmë Kryesisë propozimet, kështu siç janë... Ne po i adresojmë dhe ju e keni parasysh se çka është diskutuar këtu dhe i merrni edhe njëherë të dëshmuara propozimet e juaja dhe ia dërgojmë Kryesisë dhe ne përsëri jemi aty”, potencoi ai Reqica.

Ndryshe, tre partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, nuk janë pajtuar asnjëherë me versionin e tanishëm të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, për çka për një kohë të gjatë patën ndërtuar një bllok opozitar ku organizuan forma të ndryshme të kundërshtimit të demarkacionit. Veç gazit lotsjellës në Kuvend, protestave të shumta nga opozita, protestimi i tyre, pati bllokuar për një kotë punën e Kuvendit të Kosovës, kurse demarkacioni ishe paraparë si pikë e rendit të ditës më 1 shtator të këtij viti, por u hoq nga rendi i ditës më kërkesë të Qeverisë.

Prapë tensione mes pozitës dhe opozitës, nuk u puqen qëndrimet (Dokumente)

Shefat e Grupeve Parlamentare kanë provuar nga fillimi i kësaj jave që të përafrojnë qëndrimet duke dashur të dalin me një deklaratë të përbashkët, e cila në formë të një letre do tu dërgohej organizmave më të lartë në Evropë me porosi për dhe rreth çështjes së Demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi.

Arsye kryesore ishte çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Me një letër që sot iu ofrua anëtarëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, përfaqësuesit e partive në pushtet kërkuan që të pranohet edhe nga partitë e opozitës, dhe si e tillë t’u dërgohet personave dhe institucioneve që duhet adresuar.

Ismet Beqiri, nga LDK, tha se një deklaratë e tillë duhet të kuptohet si një qëndrim vullnet mirë. “...Tentimi nga cilado anë që të futet tjetër gjë në deklaratë, nuk ka kuptim, sepse ne kemi bërë të qartë qëndrimin e pozitës por edhe të opozitës. Mund të ketë dallime por mund të harmonizohen marrëveshjet mes pozitës dhe opozitës”, tha Beqiri.

Megjithatë, tri partitë opozitare kërkuan që të ndryshohet përmbajtja e kësaj letre, dhe si kundërpërgjigje ata u ofruan një letër tjetër me disa pika të plotësuara.

Aida Dërguti, nga Vetëvendosje, tha se Qeveria nuk do të duhet t’i frikësohej një procesi të ri për verifikimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

“Nëse ata janë të sigurt se gjithçka është në rregull, mos të frikësohem le ta kthejnë procesin në zero”, tha Dërguti.

Ndërkohë, Pal Lekaj i AAK-së, tha se “ne si deputet jemi të gjithë interesuar që qytetari ynë të lëviz lirshëm, por prapë si deputetë ne kemi dallime për çështjen e demarkacionin që është përkufizuar si një e padrejtë që është duke ju bërë qytetarëve dhe ne nuk lëvizim asnjë centimetër nga qëndrimet tona”.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit, Elmi Reçica, që është pjesë e PDK-së, tha se përmes kësaj deklarate krejt çfarë po kërkohet është të tregohet se po përpiqemi që t’i hapim rrugë procesit të lëvizjes së lirë, varësisht se a kalon marrëveshja e demarkacionit a po jo.

Pas disa minutash diskutimesh u vendos që dy deklaratat, të tilla si u propozuan nga pozita dhe opozita, të dërgohen në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës dhe më pas të vazhdohet me procedurat tjera ligjore. Me gjasë këto do të jenë edhe pika shtesë në rendin e ditës në mbledhjen e Kryesisë të hënën e ardhshme.

Deklarata e pozitës:

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat