Abazi: Trump, rrezik për Ballkanin

Aktuale

Abazi: Trump, rrezik për Ballkanin

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 20:26
Haki Abazi

Shqiptaro-amerikani Haki Abazi, drejtues i fondacionit “Rockefeller Brothers” në Nju Jork, tregon sesa e dëmshme do të ishte për Ballkanin zgjedhja e Donald Trump, në postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara.

“Trump deklarohet hapur se ka simpati ndaj politikave të presidentit Putin. Nga kjo mund të ketë vetëm një përfitues, ai është elementi serb. Por, i gjithë Ballkani do të jetë në një situatë të rikthyer të konfliktit Lindje-Perëndim, që nuk ka sjellë dobi në të kaluarën e nuk do të sjellë as në të ardhmen”, tha Haki Abazi, “Rockfeller Brothers Fund”.

Zoti Abazi jep shembuj konkretë.

“Republika Serbe në Bosnje, Maqedonia dhe veriu i Kosovës mjaftojnë për një konflikt lokal rajonal”, shtoi më tej Haki Abazi.

Por është krejt e kundërta në rastin e Hillary Clintonit.

“Ka një lidhje të drejtpërdrejtë dhe emocionale për faktin se, Clinton ka qenë Zonjë e Parë gjatë ndërhyrjes si në Bosnje, edhe në Kosovë. Ka gjithashtu një analizë më të detajuar për rëndësinë gjeopolitike të Ballkanit në konfliktin Rusi-Perëndim. Dhe ana e Turqisë do të jetë një shtytje e shpejtë e përfshirjes së Balkanit në Bashkimin Europian. Duke pasur parasysh që Britania ka zvogëluar interesin në Ballkan pas ‘Brexit’-it dhe Europa është para sfidës së një rritjeje të influencës së ekstremit të djathtë si në Francë e Gjermani, që janë kundër zgjerimit të BE-së dhe kundër shpërndarjes së të mirave, për vende që mendojnë se nuk e meritojnë të jenë pjesë pa dhënë kontributin e tyre”, deklaroi Haki Abazi.

Megjithatë, drejtuesi i “Rockefeller Brothers” beson se shumica e amerikanëve nuk do të zgjedhin Trumpin.

“Një shtet që ka motorët e modelit progresiv në botë nuk do të lejojë që të vijë Trumpi, i cili ka ndërtuar platformën e tij politike mbi ide ksenofobike, islamofobike, antilatino-amerikane, duke diskriminuar gjininë femërore dhe emigrantët, që në fakt janë njerëz që bëjnë punë të rënda dhe të rëndësishme në funksionimin e shoqërisë amerikane. E shoh të pamundur, jo për faktin se Clinton është freskia më e madhe në kuptimin e mendimit progresiv, por për faktin se, sa ulët dhe sa larg është Trump me realitetin e shoqërisë amerikane”, tha Haki Abazi, “Rockfeller Brothers Fund”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat