Fajon: Dyshoj se deklarata do të ndikojë për vizat, shpresoj ta miratoni Demarkacionin

Aktuale

Fajon: Dyshoj se deklarata do të ndikojë për vizat, shpresoj ta miratoni Demarkacionin

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 14:18
Tanja Fajon

Raportuesja në Parlamentin Evropian për çështjen e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, ka thënë se nuk është shumë optimiste se vendimi i Kuvendit për të dërguar një deklaratë në Bashkimin Evropian do të ndikojë që të kalohet në hapin e radhës për vizat pa u plotësuar kriteri i Demarkacionit me Malin e Zi. Fajon ka thënë se i vjen keq për këtë kriter, por ka potencuar se është e pamundur që të bëhet ndonjë ndryshim.

Tanja Fajon i ka thënë Radios "Evropa e Lirë" se është në dijeni për nismën në Kuvendin e Kosovës për miratimin e një deklarate në lidhje me liberalizimin e vizave.

“Kam frikë se është vështirë të thuhet që kjo (deklarata) është e mjaftueshme, ngase nëse me këtë deklaratë shkohet sërish kah hapja e çështjes së kufirit, natyrisht që Komisioni Evropian apo shumë shtete anëtare do të mundë ta shfrytëzonin këtë për vazhdimin e mëtutjeshëm të bllokadës, për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën", ka thënë Fajon.

Sipas saj, tani nuk mund të bëhet një vlerësim i saktë se a do të jetë kjo deklaratë e mjaftueshme, duke marrë parasysh kriteret e përcaktuara, ku Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi veçohet si kryesori. Ndërkaq, kriter tjetër dhe i vazhdueshëm është ai i luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sidoqoftë, ajo e ka vlerësuar pozitive këtë deklaratë, si formë të shprehjes së vullnetit politik për përmbushjen e dy kritereve të fundit në procesin e liberalizimit të vizave.

“Sigurisht që Demarkacioni është një çështje mjaft e serioze dhe e ndjeshme. Shpresoj që do të gjejmë zgjidhje", ka thënë Fajon, duke ritheksuar se në Parlamentin Evropian do të trajtohet heqja e vizave sapo që Kosova t’i përmbushë dy kriteret e fundit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, përmes një deklarate politike, e cila pritet të miratohet nga grupet parlamentare, do të kërkojnë nga Bashkimi Evropian që qytetarëve të Kosovës t’iu njihet e drejta e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

Përmes kësaj deklarate të përbashkët, për të cilën ekziston pajtim parimor i grupeve parlamentare, synohet që vendeve të Bashkimit Evropian t’iu garantohet se partitë në pushtet dhe opozita, pavarësisht dallimeve që kanë lidhur me çështjen e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, megjithatë qëndrojnë të bashkuar në qëllimin që ky proces të përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat