Mediat serbe: Lista Serbe e njohu pavarësinë e Kosovës

Aktuale

Mediat serbe: Lista Serbe e njohu pavarësinë e Kosovës

Më: 18 tetor 2016 Në ora: 19:28
Lista Serbe

Fakti që kreu i grupit parlamentar të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Slavko Simiq ka dorëzuar të martën një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për rrëzimin e Ligjit për Investime Strategjike, i miratuar javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, ka bërë që mediat në Serbi ta quajnë këtë veprim si skandaloz.

Madje fakti që kjo është kërkesa e dytë ( pas asaj për Trepçën) drejtuar një institucioni që mbron aktin më të lartë të shtetit të Kosovës, ka bërë që mediat ta quajnë veprimin e Listës Serbe si “skandal pas skandali”.

Portalet serbe “teleprompter”, “Beta” e “Tanjug” kanë shkruar se “Lista Serbe në Kosovë, mbështetur nga Qeveria e Serbisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë po e njeh Kosovën si shtet të pavarur”, transeton Insajderi.

Këto media janë të njohura edhe si opozitë e kryeministrit Aleksandar Vuçiq.

Mediat ia kanë kujtuar Listës Serbe, sesi “ajo thirret që mbështet Qeverinë e Serbisë” por sipas tyre ajo ka vepruar në të kundërtën duke “pranuar direkt ekzistencën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Kushtetutën e Kosovës, që është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e Republikës së Serbisë, e cila thotë se Kosova është krahinë serbe.”

Më 13 tetor Lista Serbe ka bërë edhe një tjetër kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për shqyrtimin e ligjshmërisë së miratimit të Ligjit për Trepçën nga ana e legjislativit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat