Gjykimi për vrasjen në kafiterin e Rahovecit

Aktuale

Gjykimi për vrasjen në kafiterin e Rahovecit

Më: 15 tetor 2016 Në ora: 20:36
Gjykimi për vrasjen në Rahovec

Është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ku Medin Shala akuzohet për vrasjen e Agron Danuzës në një kafiteri të Rahovecit.

Gjatë fjalës përfundimtare në gjykimin e Medin Shalës për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, prokurori Agron Matjani kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin e të akuzuarit.

“I akuzuari Medin Shala i cili njihet me nofkën ‘Meda’ me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Agron Danuza, andaj me veprimet e tija ekzistojnë të gjitha veprimet qenësore të veprës penale të vrasjes dhe veprës penale të armëmbajtjes pa leje“, tha prokurori Matjani.

Ndërsa Ndrec Dodaj, avokati i Medin Shalës tha se i mbrojturi i tij vrasjen e Agron Danuzës e ka kryer nën tronditje të thellë mendore.

“ Me vetë faktin se vërtetohet një fyerje e rëndë nga ana e viktimës, një çrregullim mendor stresant i shkallës së rëndë, besoj se më japin të drejtë në konstatimintim se i pandehuri veprën penale e ka kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore,“ tha avokati Ndrec Dodaj.

Dodaj më tutje tregoi se fyerja lidhej me luftën e UÇK-së në të cilën sipas tij ishte pjesëmarrës i akuzuari.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me një fyerje të natyrës së shpifjes apo fyerje tjera të rëndomta, por kemi të bëjmë me një fyerje që i pandehuri konsideron që është cenuar një vlerë e rëndë kombëtare dhe morale ku ka rrezikuar edhe jetën për ato vlera. Për të pandehurin nuk ka vlerë më të çmuar se pjesëmarrja e tij në luftë për çlirim ku ka humbur edhe gjymtyrën. Kjo fyerje është një rast tipik i cili tek i pandehuri ka shkaktuar efekt mendor,”  tha avokati Dodaj.

Vrasja në kafiterinë “The Doors” të Rahovecit sipas aktakuzës ndodhi pasi i akuzuari Shala i kërkoi tashmë të ndjerit Agron Danuza që të ulen e të bisedojnë në këtë lokal për një rrahje që kishte ndodhur mes familjeve të tyre. Me ta në tavolinë ishte i ulur edhe një person tjetër.

Aktakuza precizon se në një moment i akuzuari i kishte qëlluar me shuplakë viktimën, ndërsa më pas edhe e kishte nxjerrë revolen duke e goditur me dy plumba.Pastaj personi që rrinte me Shalën e Danuzën në tavolinë është munduar ta largojë tash të akuzuarin, por Shala është kthyer te viktima dhe e ka qëlluar edhe tri herë, thuhet në aktakuzë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat