Gjuriq mbështet bojkotimin e Kuvendit nga Lista Serbe

Aktuale

Gjuriq mbështet bojkotimin e Kuvendit nga Lista Serbe

Më: 13 tetor 2016 Në ora: 17:04
Marko Gjuriq

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në një takim që ka zhvilluar sot me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, ka thënë se përfaqësuesit e serbëve në këtë moment, duke ngrirë pjesëmarrjen në punën e Qeverisë dhe të Parlamentit kanë marrë të vetmin vendim të mundshëm.

Tanjug shkruan se gjatë këtij takimi janë shqyrtuar një varg masash të përgjigjes së bashkërenduar të Qeverisë së Serbisë dhe të serbëve të Kosovës.

“Përpjekja për konfiskimin e Trepçës nuk do të ndodh. Është arritur pëlqimi se vetëm me aksion të përbashkët mirë të organizuar të Republikës së Serbisë dhe të përfaqësuesve të serbëve në institucionet e përkohshme të administrimit në Prishtinë në këtë situatë mund të mbrohen interesat serbe shtetërore e kombëtare”, thuhet në njoftim.

Në këtë mbledhje ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, ministrat Lubomir Mariq dhe Dalibor Jevtiq, kryetarët e Shtërpcës dhe Graçanicës, Bratisllav Nikoliq dhe Vladeta Kostiq, dhe drejtori i Trepçës në pjesën veriore, Jovan Dimkiq.

Në këtë takim nuk ka marrë pjesë shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat