Lista Serbe e dorëzon në Kushtetuese Ligjin për Trepçën

Aktuale

Lista Serbe e dorëzon në Kushtetuese Ligjin për Trepçën

Më: 13 tetor 2016 Në ora: 11:06
Përfaqësuesit e Listës Serbe

(E plotësuar) - Përfaqësuesit e Listës Serbe sot e kanë dorëzuar për interpretim Ligjin për gjigantin ‘Trepça’ në Gjykatën Kushtetuese, i cili është miratuar ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Pas dorëzimit të kësaj ankese, kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiq ka thënë se me miratimin e Ligjit për Trepçën janë thyer procedurat të cilat është dashur të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Simiq: Ligji nuk është në pajtim me Kushtetutën

“Me miratimin e Ligjit për Trepçën nuk janë respektuar interesat themelore të popullit serb, me ç’rast ky ligj është dashur të miratohet në pajtim me Kushtetutën dhe nenin 81 pika 1.  Po ashtu, miratimi i ligjit për Trepçën nuk është shqyrtuar në komisionin për komunitete me ç’rast është shkelur neni 78 i Kushtetutës së Kosovës. Ligjit nuk i është dhënë mundësia që të shqyrtohet në këshillin për komunitete, kështu është shkelur neni 60 i Kushtetutës.  Me të gjitha këto shkelje, dhe shkelje tjera të cilat nuk i kam përmendur, janë shkelur të drejtat e popullit serb që jeton në Kosovë. Andaj, ftojmë në përgjegjësi Kosovën sepse ka shkelur nenin 58 të Kushtetutës që ka të bëjë me minoreitetet”,ka thënë ai.

Sipas tij, dhjetë deputet të Listës Serbe kanë shfrytëzuar rastin që në bazë të nenit 113 pika 5 të Kushtetutës, ta dërgojnë kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji.

Simiq: Kushtetuesja ta shpallë ligjin të pavlefshëm

“Presim që Gjykata Kushtetuese të jetë profesionale rreth kërkesës tonë… në mënyrë që ligjin ta shpallë jokushtetues dhe ta bëjë të pavlefshëm”, tha ai.

Simiq u ndal edhe te pjesëmarrja e kësaj liste në institucionet e Kosovës, duke thënë se do të konsultohen edhe me Beogradin.

Simiq: Me Trepçën të mos merren ata që nuk e njohin

“Rreth pjesëmarrjes tonë në institucionet e Kosovës, pa dyshim se do të vazhdojmë me konsultime si brenda Listës serbe, ashtu edhe me qeverinë e Beogradit, me institucionet në Prishtinë, si dhe me të gjithë përfaqësuesit relevantë ndërkombëtarë. Presim që ditët në vijim të zhvillojmë këto konsultime dhe natyrisht të tejkalojmë këtë sfidë, sepse duam të ftojmë në përgjegjësi përfaqësuesit ndërkombëtarë, si dhe të gjithë përfaqësuesit relevantë këtu në Prishtinë, në mënyrë që të kemi një konsensus të gjerë që rreth çështjes së Trepçës, të mos merren ata të cilët nuk e njohin mirë këtë materie, dhe se rreth Trepçës të insistohet ekskluzivisht në bisedime e jo të prejudikohet e drejta, statusi dhe pronësia”, tha ai.

Në ditën kur u votua Ligji për Trepçën, deputetët e Listës Serbe e kishin bojkotuar këtë seancë në shenj pakënaqësie.

Ndryshe, 93 deputetë kanë marrë pjesë në votimin për miratimin e Ligjit për Trepçën. Prej tyre 79 kanë votuar “për”, asnjë “kundër” dhe ka pasur 14 abstenime.

Nëse Ligji për Trepçën nuk do të hynte në fuqi deri më 2 nëntor, gjiganti ekonomik do të mund të shkonte në likuidim sipas vendimit të Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme.

Simiq: Presidenti Thaçi nuk mund ta nënshkruajë ligjin për “Trepçën”

Kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiq pas dorëzimit të kërkesës për shqyrtimin e ligjshmërisë së miratimit të Ligjit për "Trepçën" nga ana e legjislativit në një prenocim për media ka shprehur se Presidenti Hashim Thaçi nuk mund të nënshkruajë këtë ligj për sa kohë qe Kushtetuesja nuk nxjerr një vendim. Sipas tij për çështjen e Trepçës kërkohet konsensus i gjerë.

Shefi i Listës Serbe, Sllavko Simiq i shoqëruar nga deputetë tjerë të Listës Serbe e kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, ligjin për Trepcën pse Lista Serbe nuk është pajtuar më këtë ligj. Sllavko Simiq tha se më  miratimin e këtij ligji janë shkelur të drejtat e serbeve qe jetojnë në Kosovë. 

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, më herët ka deklaruar për media se deputetët e Listës Serbe janë duke e përgatitur edhe kërkesën tjetër për ta dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me ligjshmërinë e miratimit të Ligjit për Investimet Strategjike, i cili po ashtu është miratuar nga Kuvendi i Kosovës. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat