Evitimi i dhunës, thirrja e AAK-së për Qeverinë e Kryeministrin

Aktuale

Evitimi i dhunës, thirrja e AAK-së për Qeverinë e Kryeministrin

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 10 tetor 2016 Në ora: 14:37
Foto arkiv, dhuna gjatë protestave në Kosovë

“Demarkacioni nuk është temë që do ta bllokojë Kosovën nëse arrihet një konsensus nga spektri politik parlamentar fillimisht e pastaj të korrigjohet nga ai profesional në teren. Ne i bëjmë thirrje qeverisë e kryeministrit që të mos luaj me deklarata, por të sillet serioz në raport me të gjitha temat që e prekin Kosovën, territorin dhe sovranitetin e saj”, ka thënë Lekaj për “Bota sot”.

Ratifikimi i marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e zi, pritet të ndodhë gjatë këtij muaji. Kështu ka bërë të ditur Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë një interviste.

Në ndërkohë, mediet ndërkombëtare kanë shkruar se çështja e Demarkacionit mund të shkaktoj  kaos në Kosovë.

Pozita e opozita vazhdojnë të qëndrojnë të palëkundura në qëndrimet e tyre, ndonëse Kryeministri Mustafa e ka ende të hapur ftesën për diskutim të përbashkët.

Pal Lekaj, Kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë për “Bota sot”, se Demarkacioni nuk është temë që do ta bllokojë Kosovën nëse arrihet një konsensus nga spektri politik parlamentar.

“Demarkacioni nuk është temë që do ta bllokojë Kosovën nëse arrihet një konsensus nga spektri politik parlamentar fillimisht e pastaj të korrigjohet nga ai profesional në teren. Ne i bëjmë thirrje qeverisë e kryeministrit që të mos luaj me deklarata, por të sillet serioz në raport me të gjitha temat që e prekin Kosovën, territorin dhe sovranitetin e saj”, ka thënë Lekaj për “Bota sot”.

Lekaj, në këtë rast ka kërkuar që të ketë konsensus ndërmjet subjekteve politike sikurse në rastin e Trepçës, e cila u shpëtua nga falimentimi.

“Ne jemi që të gjendet zgjidhje dhe të ketë konsensus sikur për temën e Trepçës, që e shpëtuam nga falimentimi, tani duhet ta shpëtojmë edhe territorin e Kosovës. Nuk ka të drejtë askush, që gjeneratave pas nesh, t'ua lëmë një situatë e cila në çdo kohë mund të përkthehet në konflikt. Qeveria, me këtë version të Demarkacionit nuk bënë t'ia mësyjnë Kuvendit”, është shprehur ai.

Ndërkaq, Bilall Sherifi sekretar i Nismës për Kosovën, ka thënë se nuk pret që çështja e demarkacionit të prodhojë kaos në vend, pasi sipas tij, ky version i marrëveshjes nuk kalon.

“Jo, sepse ky version i demarkacionit nuk kalon. Tanimë shumë deputetë edhe të mazhorancës po kërkojnë që ky version të mos votohet. Prandaj, konsideroj që sa i përket kësaj çështjeje nuk pres krize”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje Rexhep Selimi e as Këshilltari politik e Kryeministrit, Faton Abdullahu nuk janë përgjigjur në pyetjen se a do të prodhoj krizë ri-procedimi i Demarkacionit në Kuvend.

Nga ana tjetër, analisti Leon Duhanaj, ka thënë se po të varej nga disa çarqe opozitare, gjendja do të eskalonte që moti.

“Po të varej nga disa çarqe opozitare, gjendja do të eskalonte që moti. Madje ka interesa nga më të ndryshmet që Kosovën ta destabilizojnë. Është mundësia e vetme që Serbia të rikthehet bashkë me Rusinë me ndikim ne rajon. Këto lëvizje pansllaviste janë në veprim që moti. Problemi nuk është aty. Problemi është pse disa parti shqiptare e zbatojnë apo operojnë me agjenda  pansllaviste”, ka thënë Duhanaj.

Sipas Duhanajt, qytetarët nuk do të shkaktojnë trazira për shkak të Demarkacionit pasi nuk ka kush t`i organizoj.

“Po, demarkacioni është një çështje me rendësi, por a e ka analizuar ndokush që përpos që s`po  dihet saktësisht se kush ka të drejt, cili është dëmi më i madh që mund t'i shkaktohet Kosovës ne veçantij dhe çështjes shqiptare ne përgjithësi. Nuk besoj që ky popull do të organizohet të shkaktoj trazira, pasi që nuk ka kush i prinë dhe nuk i beson më askujt. Secili po e mashtron per interesa meskine partiake”, ka thënë Duhanaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat