Thaçi për arrestimin e drejtorit të policisë: Sjellje paranojake, por s’mund t’i përgjigjemi me arrestime

Aktuale

Thaçi për arrestimin e drejtorit të policisë: Sjellje paranojake, por s’mund t’i përgjigjemi me arrestime

Më: 3 tetor 2016 Në ora: 09:47
Hashim Thaçi në Tiranë

(E plotësuar) - “S’ mund t’i përgjigjemi arrestimeve me arrestime dhe dhunës me dhunë” deklaroi Presidenti Thaçi pyetjes së një gazetari lidhur me arrestimin e drejtorit të policisë së Mitrovicës Jugore Nehat Thaçi nga Serbia.

Pyetja u bë në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin Nishani sot në vizitën zyrtare që presdienti Thaçi ka në Tiranë.

Hashim Thaçi: “Ne jemi duke koordinuar krejt potencialin dhe angazhimin tonë me autoritetet ndërkombëtare. Pjesëtarët e UÇK kanë bërë luftë të drejtë. Eshtë për të ardhur keq për këtë reagim paranojak të Beogradit në raport me pjesëtarët e UÇK-së me dosje të kohës së Millosheviçit. Po punojmë me autoritetet përkatëse  që kjo çështje të mbyllet drejtë dhe njëherë e përgjithmonë. Ky veprim arbitrar  ngjall reagime të të gjithë institucioneve të Kosovës dhe Ndërkombëtare dhe do të shtrohet në instancat më të larta të dialogut të komunikimit ndërshtetëror me Serbinë me ndërmjetësimin ndërkombëtar.

Cfarë mendon Thaçi dhe Nishani për demarkacionin me Malin e Zi?

Thaçi nxit dialogun. Nishani: Nuk ndërhyjmë. Ja deklaratat  

Hashim Thaçi: Nxis dialogun politik në Kosovë. Në parlament po zhvillohet një debat konstruktiv dhe më mban  me shpresë se do të nxjerrë një konkluzion të drejtë mbi interesa partiake, logjikën provinciale dhe mbi politikën ditore. Interesi shtetëror është të kryhet demarkacioni, të ndodhë liberalizimi i vizave dhe themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës. Nga Tirana nxis debatin

Bujar Nishani: Për çështjet konkrete, padyshim që janë çështje me ndjeshmëri dhe përgjegjësi të lartë. Në kontekstin e detajuar, Shqipëria, unë e kam pasur qëndrim timin të pandryshuar, Shqipëria nuk mund të ndërhyjë dhe nuk do të ndërhynte në debatin politik në Kosovë pasi çështje të tilla janë terësisht pjesë e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë së lidershipit të klasës politike dhe të gjithë aktorëve të tjerë vendimarrës dhe opinionbërës në Kosovë. Mendoj se të gjithë duhet të orientohen nga interesi madhor dhe strategjik i Kosovës. Gjenerata e sotme që ka fatin dhe privilegjin të përfaqësojë mandate por dhe të marrë vendime mendoj se përgjegjësinë më të madhe e ka për të menduar për gjeneratat që vinë.Nuk mundem ti orientoj apo këshilloj sepse është përgjegjësi dhe detyrë e klasës politike në Koosvë të marrin vendimet e duhura. Ajo çka unë uroj është që përgjegjësia e tyre ti shërbejë interesit më të mirë strategjik të Kosovës dhe popullit shqiptar në Kosovë dhe gjithë qytetarëve të tjerë që jetojnë në të.

 Te thellohet bashkepunimi dhe te vijoje dialogu Kosove-Serbi

Në konferencën e përbashkët të dy presidentët nënvizuan domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe vazhdimin e dialogut Kosovë- Serbi, i domosdoshëm për stabilitetin në rajon.

Nishani deklaron: Dialogu Kosovë-Serbi sjell stabilitet në rajon.

Hashim Thaçi: “Kam besim të plotë se Shqipëria do të jetë zëri shtesë i Kosovës. Ne jemi në rrugë të mbarë dhe do të plotësojmë njëri tjetrin në rrugën tonë euroatlantike.

Pyetje: Çfarë nuk shkon me zbatimin praktik të marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës?

Presidenti Nishani mendon se ka hapa pozitivë por ka dhe vend për përparim.

Nishani: “Bashkëpinimi ekonomik mbetet sfidë për dy vendet”

Hashim Thaçi:  Nuk mendoj se ka diçka që nuk shkon por mund të lëvizim më shpejt në fushën ekonomike. Inkurajojmë qeveritë të rrisin angazhimet. Shoh vullnet dhe gadishmëri

Kjo është vizita e parë e zotit Thaçi si president i Kosovës.

* * * *

Ka mbërritur në Tiranë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Mirëserdhjen në një ceremoni shtetërore ia ka uruar nga homologu i tij Bujar Nishani.

Thaçi do të qëndrojë të hënën dhe të martën në Shqipëri.

Ai  do të takohet me krerët e shtetit, që nga homologu i tij Bujar Nishani, kryeparlamentari Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama, e deri te lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryebashkiaku Veliaj.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, presidenti Thaçi pritet të vizitojë edhe familjen e shkrimtarit Dritero Agolli, si dhe të bëjë vizita të tjera nëpër monumente të ndryshme, jo vetëm në Tiranë, por edhe në vende të tjera.

Thaçi do të dekorojë shkrimtarin shqiptar, Dritero Agolli, për kontributin e tij në letërsinë shqipe si dhe për angazhimin në shërbim të kauzës së Kosovës.

Presidenti Thaçi do të dekorojë edhe personalite të tjera shqiptare nga fusha e kulturës dhe shkencës për rolin e tyre të veçantë në shërbim të lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.

Gjithashtu, presidenti Thaçi pritet të vizitojë edhe djemtë e kombëtares së Kosovës në Bushat, të cilët pas disa ditësh do të luajnë me kombëtaren kroate atje.

Axhenda:

Të hënën (3 tetor), në orën 09:00, presidenti Thaçi do të pritet me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Në orën 10:30, dy presidentët do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për media.
 
Në orën 11:00, presidenti Thaçi do të pritet nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Në orën 13:30, do të takohet edhe me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta
 
Pas takimeve me krerët e shtetit, presidenti Thaçi do të vizitojë familjen e shkrimtarit Dritero Agolli
 
Në orën 16:30, presidenti Thaçi do të takohet edhe me liderin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha
 
Të nesërmen (4 tetor), në orën 09:00, presidenti Thaçi do të vendos kurore lulesh në monumentin “Nëna Shqipëri”.

Në orën 09:30, në Bashkinë e Tiranës do të takohet me kryebashkiakun Erion Veliaj
 
Pas këtij takimi, presidenti Thaçi do të vendos gjithashtu kurore lulesh edhe te shtatorja e Adem Jasharit në Tiranë

Rreth orës 13:00, në Bushat të Shkodrës, presidenti Thaçi do t’i vizitojë futbollistët e kombëtares së Kosovës, të cilët po i bëjnë përgatitjet e fundit për ndeshjen me Kroacinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat