Rruga e hapur për marrjen e pensioneve të grabitura nga Serbia

Aktuale

Rruga e hapur për marrjen e pensioneve të grabitura nga Serbia

Më: 2 tetor 2016 Në ora: 14:41
Ilustrim

Pensionistëve të Kosovës u është trasuar rruga për marrjen e pensionit, e drejtë nga e cila janë privuar nga Serbia qe më shumë se 17 vjet.

Janë tri vendime të Gjykatës së Strasburgut për pensionistë nga Kosova, të cilat u mundësojnë të gjithë pensionistëve të tjerë të Kosovës të kërkojnë pensionin nga Serbia.

Fakti se vendimet e Gjykatës së Strasburgut janë parimore e bën të panevojshme nisjen e procedurës gjyqësore për secilin pensionist veç e veç.

Përkundër që këto vendime të Gjykatës së Strasburgut janë të vitit 2012, shumë pak pensionistë i kanë hyrë rrugëve ligjore për të kërkuar pensionin nga Serbia.

Ndërkohë që juristëtë janë unanimë për obligimin që ka Serbia për t’i paguar pensionet, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës shpresojnë që këtë çështje ta dialogojnë me Serbinë.

Avokati i popullit dhe juristët e shohin të panevojshme diskutimin në mes të dy qeverive, pasi vendimi i Gjykatës së Stasburgut e ka thënë fjalën e vet në të mirë të pensionistëve.

Pensionistët janë privuar nga pensioni i merituar pasi Serbia në vitin 1999 ishte larguar nga Kosova së bashku me mjetet e kursyera të pensionistëve.

Deri më tani qytetarët kosovarë të moshës së pensionit kanë marrë vetëm një asistencë sociale nga institucionet e Kosovës, e cila nuk ua ka mbuluar shpenzimet mujore. Ndërkohë, pensionistët serbë të Kosovës i pranonin pensionet nga Serbia, të cilat vinin përmes rrugëve të kundërligjshme.

Rruga ligjore deri tek pensioni

Shaban Kelmendi nga Mitrovica është njëri nga ata mijëra pensionistë shqiptarë që kanë paguar me rregull kontributet pensionale para luftës.

Ka punuar në arsim nga viti 1951 për t’u pensionuar më 20 prill të vitit 1993. Për 6 vite e ka pranuar rregullisht pensionin e tij. Në muajin tetor të vitit 1999 atij i ishte ndërprerë pensioni nga Fondi Pensional.

“Pensioni më është ndërprerë në tetor 1999, kurse pagesa më është bërë në vitin 2000, në muajin shkurt. Prej atëherë më s’kam marrë pension fare”, tha Kelmendi.

Para se të niste lufta në Kosovë, Kelmendi ishte shpërngulur për të jetuar në qytetin e Novi Pazarit. Kjo ia kishte mundësuar atij që të kërkonte sqarime për ndaljen e pensionit në Fondin Republikan të Pensioneve në Serbi.

Fondi Republikan i Pensioneve nuk i kishte kthyer përgjigje, ndërsa Gjykata në Beograd nuk e kishte trajtuar ankesën e tij duke e drejtuar në Gjykatën e Novi Pazarit.

“Jam drejtuar në Gjykatën e Novi Pazarit, por ata njëherë më kanë refuzuar”, tha Kelmendi.

Pastaj, ai i është drejtuar Gjykatës Supreme në Beograd, por sërish lënda e tij nuk ishte shqyrtuar, duke e deleguar te vendbanimi i tij. Ankesa e dorëzuar në Gjykatën e Novi Pazarit kishte marrë përgjigje pozitive, duke vendosur në favor të tij.

Kelmendi thotë se edhe pse me aktgjykim të formës së prerë në favor të tij, atij vazhdonte të mos i paguhej pensioni.

Pasi që gjendja e tij nuk ndryshoi, më 11 qershor të vitit 2009, Shaban Kelmendi i është drejtuar Gjykatës së Strasburgut.

Gjykata e Strasburgut, e njohur si Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, është një institucion juridik ndërkombëtar, i cili garanton respektimin e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Qytetarët nga Kosova nuk kanë të drejtë që të ankohen në këtë gjykatë pasi Kosova ende nuk është anëtare e Këshillit të Evropës. Mirëpo, për Kelmendin kjo nuk paraqiste problem. Ai e kishte fituar rastin në Strasburg dhe tash merr një pension prej 450 euro. Pensioni i tij është më shumë se dyfishi i pensionit kontributdhënës që marrin bashkëmoshatarët e tij në Kosovë. Ai e konsideron veten me fat.

Rrugën juridike për sigurimin e pensionit e kishte ndjekur edhe Mahmut dhe Lutvije Grudiqi nga Serbia.

Në vitin 2012, çifti Grudiq nga Mitrovica, pasi i ka shtjerrë të gjitha mjetet juridike në Serbi, i është drejtuar Gjykatës së Strasburgut. Më 17 prill 2012, Gjykata e Strasburgut merr vendim në favor të çiftit Grudiq.

Në vendimin e Strasburgut për çiftin Grudiq të datës 17 prill 2012 thuhet se sipas numrit të madh të aplikantëve potencialë, Qeveria e paditur (e Serbisë) duhet të ndërmarrë masa të përshtatshme që të sigurojë se autoritetet kompetente të Serbisë do të implementojnë ligjet relevante në mënyrë që të sigurohet pagesa e pensioneve dhe borxheve.

Aktivizimi i qytetarëve, por jo edhe i institucioneve

Avokati i Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari, thotë se me rastin e gjykimit të çiftit Grudiq nga Mitrovica u është njohur e drejta edhe të gjithë paditësve potencialë për marrjen e mjeteve nga Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor.

“Është vendim parimor. Në gjuhën angleze juristët e njohin si ‘pilot judgment’, ndërsa në gjuhën shqipe i bie gjykim parimor me të cilin gjykata në vend se të trajtojë të gjitha rastet e tjera të natyrës së njëjtë e vendos një rast dhe me atë rast kërkon nga palët përgjegjëse që të respektojnë parimet që janë vendosur në atë aktgjykim”, tha Jashari.

Thotë se bazuar në këtë vendim, Serbia duhet t’ua paguajë pensionet pensionistëve nga Kosova.

Për këtë çështje Avokati i Popullit në Kosovë e ka dërguar opinionin e tij në Komitetin e ministrave në Këshillin e Evropës pasi që këta të fundit janë përgjegjës për mbikëqyrjen e ekzekutimit të vendimit të Strasburgut.

Në opinionin e tij iInstitucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë ka shprehur shqetësimin për mospërmbushjen e obligimeve të Republikës së Serbisë ndaj pensionistëve të Kosovës, sipas aktgjykimit të GJEDNj-së të vitit 2012.

Komiteti i ministrave në qëndrimin e tij i ka thënë Avokatit të Popullit se do të shqyrtohet edhe një rast tjetër si ai i Grudiq dhe pastaj do të merret një përfundim për mosekzekutimin e këtij vendimi.

Sarah Crozier, zëdhënëse në UNMIK, thotë se pas vendimit të gjykatës në rastin Grudiq ka pasur rritje të kërkesave nga qytetarët e Kosovës për certifikimin e dokumenteve të tyre për të aplikuar në Fondin Republikan në Serbi për pensionet e tyre.

“Pas vendimit të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut të datës 17 prill 2012 për rastin Grudiq ka qenë një rritje e kërkesave në UNMIK për certifikimin e dokumenteve që lidhen me marrjen e pensionit. Nga janari 2013 e deri më sot përafërsisht janë certifikuar rreth 7 mijë dokumente për aplikime pensionale. UNMIK-u ka ofruar shërbime për ndërlidhje ndërmjet autoriteteve serbe dhe kosovare për këtë çështje”, tha Crozier.

Megjithatë, UNMIK thotë se nuk është i përfshirë në asnjë procedurë të autoriteteve serbe, në lidhje me kërkesat e qytetarëve kosovarë për pensione.

BIRN e ka pyetur Qeverinë e Serbisë për numrin e pensioneve të paguara në Kosovë si dhe për arsyet pse qytetareve joserbë nuk po u paguhen pensionet. Po ashtu janë pyetur edhe për pengesat në realizim të kësaj të drejte edhe përkundër faktit se këta pensionistë i kanë paguar kontributet e tyre në fondet e sigurimeve pensionale dhe invalidore të Serbisë së paraluftës. Qeveria e Serbisë nuk ka kthyer përgjigje.

Sa është fondi i vjedhur nga Serbia?

Institucionet e Kosovës nuk kanë informacione për borxhin që Serbia ua ka pensionistëve të Kosovës. Bahri Xhaferi nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale thotë se nuk dihet sa është shuma e fondit. Sipas tij nuk ekziston një vlerë e caktuar e fondit që është marrë nga Serbia.

Por, Avokati i Popullit Hilmi Jashari thotë se e di se sa është shuma e parave që janë në këtë fond.

“Është mbi 1 miliard euro. Faktikisht kalkulohet të jetë diku 1.8 miliard euro në bazën e numrit të regjistruar të pensionistëve dhe është raport që është kërku dhe Serbia e ka dërgu nja raport të tillë”, tha Jashari.

Edhe Shaban Kelmendi i ka bërë kalkulimet e tij për borxhin që Serbia ua ka pensionistëve kosovarë.

“Afro 40 mijë euro secili pensionist duhet t’i marrë qetash”, ka thënë Kelmendi. Ai këmbëngul se pensionistët mund t’i marrin pensionet e tyre pa pasur nevojë që të ankohen nëpër gjykata apo që të ndjekin rrugën që ai e ka bërë. Thotë se tashmë rruga është trasuar dhe pensionistët nga Kosova thjesht duhet të aplikojnë në Fondin Republikan.

“Tash Fondin Republikan të Serbisë e kemi këtu në Mitrovicë dhe në Graçanicë. Shtatë filiale i ka Fondi Republikan në Kosovë. Njoh njerëz që kanë aplikuar dhe i kanë marrë paratë, janë në Vushtrri”, tha ai.

E drejta e përfitimit të pensionit në bazë të kontributeve të paguara në Serbi nuk u mohohet vetëm shqiptarëve në Kosovë. Ka pensionistë nga radhët e malazezëve, boshnjakëve, turqve dhe komuniteteve tjera etnike, të cilët po ashtu janë të privuar nga kjo e drejtë.

Pensionet nga Serbia transferohen në Kosovë përmes sistemit të Postave të Serbisë. Edhe pse nga Qqeveria e Kosovës këto institucione konsiderohen si ilegale dhe si strukturë paralele, ato funksionojnë pa ndonjë problem.

Përkundër kësaj, në Postën e Graçanicës ku Kelmendi i tërheq paratë vërehet një pritje e ngrohtë për pensionistin shqiptar. Ai tashmë i njeh të gjithë punonjësit. Të gjithë e presin mirë dhe e përshëndesin. Pas procedurës së tërheqjes së pensionit në dinarë serbë, Kelmendi merr rrugën për në një këmbimore për të kthyer ata dinarë në euro.

Por, në Ministrinë e Dialogut thonë se këto zyra duhet të mbyllen.

“Këto zyra janë struktura paralele që kemi kërkuar që të shuhen në gjithë Kosovën. Është kusht që nuk mund të jetësohet Asociacioni i Komunave Serbe pa u shuar të gjitha strukturat paralele në Kosovë. Ne kemi pasur shuarjen e shumë strukturave paralele por ka të tilla që kanë mbetur. Po e ripërsëris çështja e fondit është çështje që duhet të trajtohet në cilësinë e dialogut”, thotë Dren Zeka, këshilltar i ministres së Dialogut.

Qeveria synon të dialogojë një çështje të gjykuar

Institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë për të analizuar rastet e gjykuara nga Gjykata e Strasburgut. Zyra e Edita Tahirit, ministres për Dialog, ka kërkuar në vitin 2011 që në tryezën e negociatave në Bruksel mes Kosovës e Serbisë të ngritet edhe kjo temë. Një gjë e tillë ishte refuzuar nga ndërmjetësi Robert Kooper.

Qeveria e Kosovës e kishte përfshirë këtë temë në listën e temave të mundshme të dialogut edhe në vitin 2014. Ata ende janë në pritje të një përgjigje pozitive.

“Posa të marrim një konfirmim nga ana e BE-së që kjo çështje do të shtrohet në dialog, do të përgatitemi me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale po ashtu do të konsultojmë ekspertë të brendshëm dhe ndërkombëtarë dhe do të hartojmë dokumente në bazë të cilit do të kërkojmë kthimin e tij. Edhe vendimi i Gjykatës së Strasburgut do t’i shërbejë pozicionit tonë dialogues”, tha Dren Zeka, këshilltar i ministres Edita Tahiri.

Sipas Zekës zgjidhjet individuale si ajo e Shaban Kelmendit nuk e zgjidhin problemin e të tjerëve.

Në të njëjtën linjë është edhe Bahri Xhaferi nga Departamenti i Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Thotë se niveli i zgjidhjes së problemit i tejkalon kompetencat ministrore sepse sipas tij janë çështje politike që varen nga bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Madje sipas tij edhe vendimi i Gjykatës së Strasburgut nuk është obligativ për Serbinë, por vetëm rekomandues.

Deri më tani, MPMS nuk ka bërë asnjë organizim për të përkrahur pensionistët që kërkojnë të drejtën e tyre.

“Individët e kanë bërë përmes formave të ndryshme, përmes avokatëve nga Serbia, ndonjë avokati nga Kosova, por kryesisht është bërë në baza private, individuale dhe disa nga qytetarët e Kosovës kanë arrit ta bëjnë zgjidhjen ose përfitim e pensionit që realisht edhe ligjërisht ju takon”, ka thënë Xhaferi.

Por, një ide të tillë e kundërshton Avokati i Popullit, Hilmi Jashari. Thotë se Qeveria e Kosovës në asnjë rrethanë nuk duhet që të propozojë këtë si temë të bisedimeve, sepse kemi të bëjmë me një vendim të gjykatës. Po ashtu shton se vendimi i Gjykatës së Stasburgut është i qartë dhe i njëjti vetëm duhet të zbatohet për gjithë pensionistët, ashtu siç është thënë në vendim.

“Dilema ime është që një vendim të gjykatës ta shndërrojmë në format të bisedimeve dhe përgjigja ime është definitive jo, sepse kemi të bëjmë me një vendim të gjykatës”, tha Jashari.

Me qëndrimet e Avokatit të Popullit të Kosovës pajtohen edhe dy avokatë nga Serbia. Emir Fetahoviq nga Novi Pazari i ka dhënë ndihmë juridike Shaban Kelmendit për ta dërguar rastin e tij në Strasburg.

“Në një mënyrë, ky është pilot vendim. Në Gjykatën Evropiane aktgjykimet e tilla shërbejnë si precedent. Do të thotë shërbejnë si vendime të cilat zgjidhin një numër më të madh rastesh, ngase gjykata vetëm thirret në këtë precedent, për të zgjidhur një numër më të madh rastesh”, tha Fetahoviq.

Në këtë çështje të lëndimit të së drejtës në pension, sipas saj, është vërtetuar se ka pasur shkelje të së drejtës pronësore. Por, thotë se ky nuk është vendim pilot ngase rastet tjera nga Serbia nuk mund të thirren në këtë vendim për shkak se Gjykata tanimë ka shqiptuar të ashtuquajturën masë të përgjithshme, të cilën Republika e Serbisë duhet ta ndërmarrë në lidhje me pagesën e pensioneve të mbetura për qytetarët e Kosovës.

Ndërsa, Refija Gariboviq avokatja nga Novi Pazari që e ka përfaqësuar çiftin Grudiq thotë se aktgjykimi në rastin Grudiq kundër Serbisë përmban obligime të qarta juridike.

“Kjo masë e përgjithshme paraqet obligim për shtetin e Serbisë. Pra, të gjithë pensionistët e Kosovës janë në situatë të njëjtë faktike dhe juridike”, tha ajo.

Gariboviq thotë se në fillim të vitit 2013 ajo i është drejtuar Gjykatës Evropiane për t’i treguar kësaj gjykate se nuk po ndërmerret asgjë për pensionistët e tjerë, se një numër i madh i tyre po lajmërohet për t’iu drejtuar kësaj gjykate.

“Unë iu them se nuk ka nevojë për një gjë të tillë, se vendimi ekzistues vlen edhe për ju”, thotë ajo.

Por, ajo thotë se çështja e pensionistëve të Kosovës është harruar në Serbi.

“Edhe pse është miratuar plani i veprimit dhe është formuar Ekipi i Ekspertëve në Serbi. Po ashtu është folur 6 muaj të tërë për këtë temë duke qenë temë në lajmet kryesore në Serbi, mirëpo vetëm 6 muaj dhe më pas asnjë fjalë nuk është dëgjuar për pensionistët kosovarë”, tha Gariboviq.

Doktori i shkencave juridike, profesori Mazllum Baraliu mendon se këto janë probleme serioze për shkak se qytetarëve kontributdhënës u është mohuar pagesa që nga viti 1999.

“Serbia sipas të gjitha indikatorëve e ka marrë fondin financiar të pensioneve dhe e ka integruar dhunshëm në Beograd dhe ato mjete janë atje. Duhet të bëhet indeksimi i tyre dhe kapitalizimi i atyre mjeteve në mënyrë që ato pensione të grumbulluara në një fond, i cili patjetër që ka qenë i fuqishëm në çdo shtet, do të duhej që t’u kthehen qytetarëve sepse është e drejtë e fituar”, tha Baraliu. Thotë se të drejtat e fituara nuk mund të ndalen nga asnjë shtet.

“Neve na janë ndalë dhunshëm këtë mjete pasi sistemi është shkatërruar dhe nuk është riinstaluar”, ka shpjeguar Baraliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat