“Demarkacioni”: Kur Fan Noli ironizonte malazezët dhe bënte për të qeshur perëndimorët

Aktuale

“Demarkacioni”: Kur Fan Noli ironizonte malazezët dhe bënte për të qeshur perëndimorët

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 30 shtator 2016 Në ora: 19:16
Fan Noli

Mund të ketë dyshime mbi suksesin e Fan Nolit si politikan, por jo edhe mbi çiltërsinë, sinqeritetin dhe se ai ishte ndër figurat më të zgjuara të të gjitha kohrave te shqiptarët. “Delegacioni shqiptar kishte fituar simpatinë e të gjithëve dhe se kjo i kushtohej sidomos shefit të delegacionit, Nolit, i cili në të gjithë platformën dhe në çdo rast ka treguar vazhdimisht moderacion dhe çiltërsi (fairness) përkundrejt kundërshtarëve të tij. Kjo është pikërisht cilësia që është çmuar më tepër nga Asambleja e Lidhjes së Kombeve,” deklaroi në tetor 1921 delegati britanik Iordi Cecil. Ky i fundit njëherësh kishte ftuar grekët që të ndiqnin shembullin e fqinjtë të vet, kur nuk kishte kursyer shprehjet fyese në adresë të Shqipërisë.

Siç e dijmë në terma të përgjithshëm kufijtë e Shqipërisë ishin caktuar në Konferencën e Londrës (1913), megjithatë ajo pati më pas konflikte rreth shumë fshatrave dhe lëndinave që ndanin Shqipërinë me Greqinë dhe Jugsollavinë. Me këtë të fundit pika që mbeti e pazgjidhur deri në 1925 mbeti Shen Naumi dhe ajo që do ndalemi te ky shkrimi Vermoshi në veri të Shqipërisë dhe në kufi me Malin e Zi.

Historia e shkurtër e Vermoshit

Historikisht me pak fjalë, çështja e Vermoshit paraqitej në këtë mënyrë. Vermoshi kishte qenë prej kohësh e ndarë mes bajraqeve të Kelmendit. Deri në luftërat ballkanike ky vend shërbente për kullota nga kelmendasit. Këta në dimër uleshin me bagetitë e veta në fushë, Breg të Matit, kurse gjatë verës gjënë e gjallë e çonin në bjeshkët e larta të Vermoshit. Mirëpo kjo zonë ka qenë objekt sulmesh e grindjesh mes shqiptarëve dhe malazezëve. Prej në kohën e Perandorisë Osmane, për të parandaluar disi ngatërresat, ishte shënuar në kufi me Malin e Zi një zonë “neutrale” ku nuk duhet të shkelnin as malazezët e as shqiptarët. “Davaja” u duk se sikur mori fund kur Fuqitë e Mëdha vendosën që Vermoshin t’ia lanë Shqipërisë. Përkundër që Komisioni Ndërkombëtar vendosi në favor të Shqipërisë, Jugosllavia kurrë nuk heqi dorë nga pretendimi për të marrë “tokën e thatë” siç do e quante Fan Noli me politikë, për t’i bindur jugosllavët (nënkupto: malazezët) që të largojnë ushtrinë nga ajo zonë.

Rëndësia e Vermoshit për Jugosllavinë bazohej në dy pika

E para, në këtë zonë ishte projektuar të kalonte një hekurudhë për të lidhur Jugosllavinë veriore me atë jugore. Arsyeja e dytë lidhet me botën moderne të tenderave. Gazeta italiane Giornale d’Italia, do shkruante se një afarist i njohur nga Beogradi i ofronte një firme franceze të përpunimit të drurit, një mal të pasur me pyje në Vasojeviç, Mali i Zi. Por firma franceze do refuzonte, pasi ekspertët e saj kur vizituan malin panë që rreth ¾ e saj ndodheshin matanë kufirit, domethënë në Shqipëri, pikërisht aty ku kalonte uji i Vermoshit. Këtu erdhën edhe protestat e para në Jugosllavi, që më pas me një kërkesë tentuan të bindin Francën që në Konferencën e radhës këtë tokë do ia falnin malazezëve.

Debati mes Shqipërisë dhe SKS për Vermoshin, 3 tetor 1924

Herën e parë fjalimin e mori kryeministri i kohës Fan Noli, që vetëm informoi delegatët e huaj mbi problemin e lartëpërmendur dhe që çështja të përfundonte sipas Komisionit që Vermoshin e kishte njohur si pjesë të Shqipërisë.

Më pas fjalimin e mori plot ashpërsi delegati i Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene (siç u quajt përkohësisht vendi fqinj), Kumanudi. Ky i fundit nuk ngurroi ta përshkruante atë me ndjenja të përziera sentimentale dhe grabitjesh bashkë. Ai tha se ajo që shkeli kufirin jashtë ishte një bandë shqiptare, ku krahas që kishte grabitur lopët kishte grabitur edhe bareshat e reja që i ruanin. Njëra prej tyre kishte arritur të shtjerë me pushkë duke alarmuar vendin patriarkal, që mblodhi menjëherë 400 veta dhe i çliruan bagëtitë dhe bareshat e reja nga bandat shqiptare. Kështu që malazezët arritën deri te fshatrat Vermosh e Selcë, për të qetësuar malazezët e inatosur e jo për të sulmuar shqiptarët.

Noli në kundërpërgjigjen e tij të shkurtër vuri në lojë argumentet e përfaqësuesit jugosllav:

“Po të dëgjojmë përfaqësuesit e SKS, atëherë duhet të besojmë se këtu kemi të bëjmë me një idil bukolik të një shijeje të hollë. Ca dhen e lopësh kullosin nën vështrimin plot dhembshuri të dy vajzave bukuroshe dhe befas vijnë këta bandillë shqiptarë që i grabisin me dhen e me lopë. Farefisi i këtyre vajzave të bukura bashkë me pronarët e dhenve dhe lopëve vihen nën ndjekjen e dashnorëve grabitqarë. Mirëpo çudia më e madhe është se prindër e pronarë zgjedhin si pikë për të shkelur territorin shqiptar, tamam Malin e Vermoshit, që është edhe pika për të cilën të dyja palët janë në mosmarrëveshje me kohë. Pastaj vije edhe fundi i trishtueshëm i këtij fillimi qesharak: në Shqipëri jepet alarmi. Dërgohen përforcime. Njerëzit mobilizohen. Derdhet gjak. Sulmuesit shtyhen matanë. A nuk është ky, një argument më shumë që Këshilli i Lidhjes ti jap fund një gjendje të tillë dhe të zgjidhën menjëherë e përgjithmonë çështjet që kanë të bëjnë me kufirin midis Shqipërisë dhe SKS,” përfundoi Noli.

Megjithatë Këshilli nuk mori vendim të drejtpërdrejtë dhe çështja u la e hapur, duke u kthyer në favor të jugosllavëve. Demarkacioni përfundimtar i Shqipërisë do përfundonte në kohën e Ahmet Zogut, që mori Vermoshin dhe disa fshatra tjerë, në këmbim të Shën Naumit, që pikë tjetër diskutabile në historinë shqiptare plot pazare të fshehta e peripecish.

I mbetet lexuesit të kuptojë nëse kjo histori përsëritet!
Vërejtje: Ky artikull është shkruar me ndihmën e librit "Demokracia e rrethuar", me autor Arben Puto.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat