Ymeri: Sa më të përulur ndaj Serbisë aq më e egër bëhet ajo

Aktuale

Ymeri: Sa më të përulur ndaj Serbisë aq më e egër bëhet ajo

Nga: N.E Më: 30 shtator 2016 Në ora: 15:07
Visar Ymeri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri reagon pas arrestimit të drejtorit të policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi.

“Arrestimi i Drejtorit të policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçit, shpërfaqë edhe një herë nënshtrimin politik të Republikës së Kosovës karshi Serbisë. Në njërën anë, Serbia arreston Drejtorin e policisë së Kosovës, e, në anën tjetër, Qeveria e Kosovës flet për marrëdhëniet e mira me Serbinë” ka shkruar Ymeri në Facebook.

Sipas tij Isa Mustafa hesht duke besuar që heshtja e tij e zbut Serbinë mirëpo kjo heshtje ndikon që Kosova të bie poshtë.

“Duke heshtur kemi rënë kaq poshtë. Nëse vazhdohet me heshtje, edhe arrestime tjera do të pasojnë. Zaten, kur nuk ia kërkon Serbisë dëmshpërblimin për luftën ajo t’i vazhdon dëmtimet edhe në paqe” .

“Është e qartë që sa më të përulur ndaj Serbisë dhe sa më zemërgjërë ndaj kërkesave të saj, aq më e egër dhe instistuese bëhet ajo. Nuk ka normalizim të marrëdhënieve e as marrëveshje me Serbinë pa e njohur njëherë ajo pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës” ka shkruar Ymeri.

Ai vazhdoi për të treguar se çfarë duhet të bëjë Kosova ndaj Serbisë.

“Republika e Kosovës e ka vetëm një rrugë: atë të kushtëzimit të vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës ndaj Serbisë me secilën levë kushtëzimi që e kemi në dorë (si p.sh. ndalimi i çfarëdo marrëdhënie ekonomike e tregtare prej të cilave Serbia nxjerrë përfitime të mëdha e Kosova pëson humbje të mëdha)” shton Ymeri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat