Përfundojnë seancat e hetuesisë së veçantë ndaj Azem Sylës, mbrojtja kërkon lirimin e tij

Aktuale

Përfundojnë seancat e hetuesisë së veçantë ndaj Azem Sylës, mbrojtja kërkon lirimin e tij

Më: 29 shtator 2016 Në ora: 17:37
Tomë Gashi

Kanë përfunduar seancat e hetuesisë së veçantë ndaj ish deputetit të PDK-së, Azem Syla, gjatë të cilave është marrë në pyetje dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë.

Dëshmitari 2 gjatë marrjes në pyetje dje dhe sot nga avokatët, ka mohuar që të jetë kërcënuar apo të i është kërkuar që të ndryshohen deklaratat.

E deklarimet e dëshmitarit e bënë avokatin e Azem Sylës, Tomë Gashi që t’i bëjë kërkesë gjykatës që klienti i tij të lirohet nga masa e paraburgimit.

Gashi tregoi për Kp se pas deklarimit të dëshmitarit, gjykata e ka shpallë të mbyllur mundësinë e hetuesisë së veçantë.

Ai tha se tashmë se loja është në duar e prokurorit të EULEX-it për të ngritur aktakuzë apo jo.

Gashi: Gjykata sot ka mbyllur mundësinë e hetuesisë, tani loja është në duart e prokurorisë

“Sot kemi pas ditën e fundit ku ka dëshmuar dëshmitari me numër 2... Dëshmitari është përgjigjur në të gjitha pyetjet e avokatëve të tjerë, ngase unë dje e kam shfrytëzuar të drejtën time si avokat i Azem Sylës dhe nuk ka pas pyetje për të më as prokurori, as avokatë dhe as klientë tanë kështu që Gjykata e ka shpallë të mbyllur mundësinë e hetuesisë së veçante dhe tani e gjithë loja është në duart e prokurorit të EULEX-it i cili ka afat prej një muaj që të ngrit aktakuzë apo jo në rastin e Azem Sylës’, tha Gashi.

 E në rast se prokurori nuk do të ngritë aktakuzë, Gashi  u shpreh se kjo do të ishte fitore e drejtësisë, apo krijim i një zhurme të madhe për asgjë.

Gashi: Nëse prokurori nuk ngrit aktakuzë atëherë do të ishte një fitore e drejtësisë

“Nëse nuk ngrit aktakuzë prokurori atëherë do të ishte një fitore e drejtësisë apo do të ishte diçka që është krijuar vetëm një zhurmë e madhe për asgjë por unë besoj që prapë se prapë të paktën për të arsyetuar punën e vetë gjithë këtë mund që prokurori e ka bërë për më tepër se dy vite e gjysmë ai formalisht së paku do të ngris aktakuzë por ne nuk e dimë kundër kujt”, ka thënë Gashi.

Megjithatë Gashi ka vlerësuar se  prokuroria nuk do të ngrisë aktakuzë për 52 personat. Ai thotë se lënda e Azem Sylës është përdorur si një arsye për kërkimim të vazhdimit të mandatit të EULEX-it.

Gashi thotë se ajo çfarë pret tani nga gjykata, është  aprovimi i kërkesës për lirimin nga paraburgimi të klientit të tij.

Gashi: Lënda për Sylën është përdorur si arsye për mandat të EULEX-it

“nuk besoj që do të ngrit ai aktakuzë kundër 52 personave mirëpo kjo lëndë e Azem Sylës është përdorur si një prej arsyeve të kërkimit të mandatit të ri të EULEX ngase mandati  i EULEX-it ka përfunduar me 14 qershor  të këtij viti ndërsa Azem Syla dhe një pjesë e atyre të dyshimeve në këtë rast penal janë arrestuar në fund të prillit të këtij viti. Sido që të jetë ne presim vendimin e prokurorit. Ndërsa sa i përket gjykatës presim që ta aprovoj kërkesën time për lirimin e tij nga  paraburgimi ngase matja e Azem Syles mund të konsiderohet vetëm si dënim por në asnjë mënyrë nuk është masë ligjore për të parandaluar ndikimin në dëshmitarë”, tha Gashi.

Ndryshe, Gjykata nuk ka ndonjë afat ligjor për tu përgjigjur në kërkesën e avokatit për lirimin e Azem Sylës, por avokati Tomë Gashi, tha se në bazë të dispozitave ligjore gjykata është e obliguar që të vendos sa ma shpejtë që është e mundshme, ngase masa e paraburgimit është masa më e rëndë. Sipas tij nëse gjykata  vlerëson që është e panevojshme, atëherë me siguri që do ta ndërpresë masën e paraburgimit.

Ish deputeti i PDK-së Azem Syla është arrestuar në prill të këtij viti, nën dyshimin se bashkë me disa persona të tjerë, kanë përfituar miliona nga shitblerja e pronave publike

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat