Hyseni: Shumë shpejt përfundon procesi për targat

Aktuale

Hyseni: Shumë shpejt përfundon procesi për targat

Më: 29 shtator 2016 Në ora: 11:58
Skender Hyseni

(E plotësuar) - Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, duke iu përgjigjur deputetëve të Kuvendit të Kosovës, lidhur me targat, ka thënë se vonesat e prodhimit të targave po bëhen për shkak se Organi Shqyrtues i Prokurimit po trajton ankesat e kompanive tenderuese,shqyrtim i cili do të përfundojë së shpejti.

Hyseni ka shpjeguar se dy herë është shpall tender për pajisjen të Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve me targat dhe se vonesa është duke ndodhur për shkak se të ankesave që kanë marrë vendimi i komisionit në MPB.

“Është afati i fundit, dy, tre ditë kur do të duhej organi shqyrtues do të thotë ta përfundoj procesin e trajtimit të ankesave të kompanisë tenderuese. MPB ka kohë që e ka kryer punën e vet edhe është organi shqyrtues i prokurimit nëse ajo punë është kryer në pajtim me ligjin apo jo dhe ne vet kemi kërkuar që kjo të shihet me kujdesin më të madh jemi të vetëdijshëm por nuk do të shkaktojmë një dëm tjetër të madh duke u përpjekur për ta riparuar një dëm që është i riparueshëm me targa që do të riparohen shumë shpejt”, tha ai.

Hyseni nuk e di se deri kur do të ketë makina pa targa në veri

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e ka pyetur ministrin e Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, se deri kur në veri të vendit do të qarkullojnë automjete pa regjistrim.

Në fjalën e saj, Musliu tha se për të, këto automjete paraqesin rrezik për siguri.

Ajo ka thënë së këtë pyetje e ka adresuar madje edhe para se të arrihej marrëveshja në Bruksel.

“Shqetësimi im nuk është te tabelat e vjetra. A do të duhej ky problem të ngritët për liberalizimin e vizave? Kur do të ndalet kjo dukuri, deri kur do të kemi makina pa targa në veri të Kosovës?”, vazhdonte pyetja e Musliut.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha se tashmë ekziston një marrëveshje, e cila pritet të zbatohet.

“Të gjithë kemi arsye të jemi të pakënaqur me dinamiken e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Do të doja shumë ta jap përgjigjen e saktë deri kur do të lëvizin makinat pa regjistrim. Por nuk e kam një përgjigje të saktë. është proces. Do të doja të ishte aq e lehtë siç perceptohet nga disa, mirëpo unë kam bindjen se nuk është e lehtë. Ajo që di është se MPB po bënë çfarë është e mundur ta shtrij autoritetin në këtë dikaster në veri. Për herë të parë kemi qendra të regjistrimit civil në veri”, ka deklaruar Hyseni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat