Debat i gjerë në Kuvend për gjendjen në veri

Aktuale

Debat i gjerë në Kuvend për gjendjen në veri

Më: 29 shtator 2016 Në ora: 07:36
Kuvendi

(E plotësuar) - Në interpelancën kryeministrit të vendit, Isa Mustafa, lidhur me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Kosovës, iniciuesi i interpelancës, deputeti Ismail Kurteshi, ka thënë se banorët shqiptarë nuk po mund të kthehen dhe të rindërtojnë shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës.

Kurteshi ka deklaruar se strukturat ilegale të Serbisë po veprojnë lirshëm dhe po e mbajnë të uzurpuar atë pjesë, duke pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, e cila është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. 

Ai tha se paralelisht me strategji të gabuar të Qeverisë së Kosovës, është paralajmëruar se në territor të Kosovës, serbët po tentojnë të ndërtojnë një lagje të ashtuquajtur ‘Lugina e Diellit”.

Kurteshi: Zyrtarisht nuk ka informata nëse janë inspektuar punimet në Luginën e Diellit

“Përveç  këtyre deklaratave kryeministri ende nuk ka marrë  masa ndaj ministrave si rrjedhim dhe Ministria e Pushtetit Lokal që duhet të merrte masa ndaj kryetarëve të komunës, që me iniciativat e tyre shkelin ligjin në vend të kundërshtimit dhe veprimit është orientuar nga mbështetja e nismave në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e saj. Zyrtarisht nuk kemi të dhëna nëse zyratërt përgjegjës për kontrollimin e territorit dhe ligj zbatimit të kenë inspektuar në vend situatën”, tha Kurteshi.

Më tej, ai shtoi se serbët kanë shtrirë ilegalisht shërbimet e tyre në atë pjesë, nga e cila u dëbuan e u keqtrajtuan shqiptarët. Sipas tij, për 17 vjet me radhë qindra shqiptarë nuk janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre.

Kryeministri i Kosovës duke u rrëfyer para deputetëve për situatën aktuale në pjesën veriore të Kosovës ka thënë se pavarësisht sfidave pas shpalljes së pavarësisë së vendit në vitin 2008, Kosova ka arritur që të krijojë normalitet dhe të integrojë qytetarët e asaj pjese.

Mustafa nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ka shtuar se Qeveria e Kosovës ka vendosur si plan strategjik shtrimin e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe katër komunat veriore.

Ai tha se sot është informuar se katër komuna në veri kanë miratuar buxhetin me rregullore të Republikës së Kosovës.

Mustafa: Së shpejti vendosim sistemin  drejtësisë në veri

“Sot jam I informuar se katër komunat në veri të vendit në bashkëpunim me Ministrinë e Financave kanë aprovuar buxhetin sipas kornizës buxhetore të Kosovës që është një hap shumë I rëndësishëm I integrimit të tyre. Së shpejti në ditët në vijim do të vendoset sistemin e drejtësisë në veri të vendit ku do të veprojë një gjykatë themelore dhe një Zyre Prokurorie për shtatë komuna ashtu siç e përcaktojnë ligjet e Kosovës. Tashmë strukturat paralele të drejtësisë janë shuar, ndërsa ne kemi rekrutuar kandidatë për gjyqtarë, prokurorë dhe për staf administrativ. Në veri po ashtu janë vendosur Qendrat për Punë Sociale që një vit më parë ato po veprojnë në mënyrë normale. Në janar të këtij viti ne kemi shuar strukturën e ashtuquajtur mbrojte civile”, tha Mustafa.

Kryeministria tha se janë para finalizimit të objekteve për zyrat, ku do të vendosen rreth 22 agjenci të ndryshme, përkatësisht të zyrave të ministrive, të cilat kryejnë punë për nevojat e qytetarëve  në veri të vendit.

Mustafa: Do të vendosen 22 zyre të ministrive në veri

“Në këtë periudhë jemi para finalizimit të objekteve për Zyrat ku do të vendosen rreth 22 Agjenci të ndryshme, përkatësisht të Zyrave të Ministrive, të cilat kryejnë punë për nevojat e qytetarëve të komunave në veri të vendit. Zyrat e Agjencisë së regjistrimit Civil dhe Zyrat e Gjendjes Civile do të hapjen së shpejti në komunat veriore për të pajisur qytetarët tanë me dokumente të shtetësisë, gjendjes civile, tabelat e automjeteve, duke I dhënë fund dokumenteve dhe tabelave ilegale dhe duke shuar strukturat paralele që kanë lëshuar dokumente ilegale”, tha kryeministri Mustafa. 

 Ai deklaroi para deputetëve se kufiri në veri të vendit nuk do të ketë asnjë ndryshim, por do të jetë ashtu siç është përcaktuar me Pakon e Ahtisarit. Mustafa tha se kufiri mbetet në përpikëri ai që është përcaktuar më herët.

Mustafa: Kufiri nuk do të ketë ndryshime

“Sa i përket pjesës së kufirit të pjesës veriore dhe jugore të Mitrovicës, është konfirmuar qartë se kufiri është ai që është përcaktuar me pakon e Ahti arit dhe se nuk do të ketë as një ndryshim të kufirit ndërmjet këtyre dy komunave. Prandaj, është e pa qëndrueshme konstatimi se në Bruksel është arritur ndonjë marrëveshje tjetër, sepse askush në Bruksel nuk e ka cenuar dhe se ka prekur pakon e Ahtisarit. Kufiri mbetet në përpikëri ai që është përcaktuar më herët. Gjatë muajt nëntor dhe dhjetor do të nisim ndërtimin edhe të objekteve të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit, të cilat do të financohen nga Bashkimi Evropian në pajtim me marrëveshjen  Brukselit”, tha Mustafa.

Ai shtoi se për shuarjen e strukturave paralele të cilat nxiten ende nga Serbia, nevojitet një përkrahje më e madhe e komunitetit ndërkombëtar për shuarjen e tyre dhe për pengimin e funksionimit të tyre. Problem tjetër për të,  është edhe mos respektimi i simboleve shtetërore në atë pjesë.

Mustafa: Strukturat paralele janë të mëdha, nevojitet  ndihma e ndërkombëtarëve për shuarjen  tyre

“Konsideroi se shuarja e strukturave paralele të cilat akoma nxiten nga Serbia është njëra prej çështjeve substanciale të situatës në veri të vendit. Këto struktura akoma ende numerikisht janë të mëdha, prandaj, novitet një përkrahje më e madhe e komunitetit ndërkombëtar për shuarjen e tyre dhe për pengimin e funksionimit të tyre, sepse ato po shkaktojnë probleme mjaft të mëdha në ato komuna. Ka problem edhe me respektimin e simboleve shtetërore, por për fat të keq këto probleme të tilla të respektimit të simboleve nuk i kemi vetëm në very të vendit, por I kemi dhe te disa komuna këtu në Kosovë”, shtoi Mustafa.

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka deklaruar se Qeveria e Kosovës kurrë nuk e ka adresuar çështjen e spastrimit etnik nga Serbia në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka dështuar në shumë aspekte në veri, kjo për shkak se sipas tijm Qeveria është dorëzuar para dhunës që është përdorur atje.

Konjufca: Kjo pjesë e territorit zyrtarisht duhet të quhet pjesë e pushtuar nga strukturat e pa ligjshme të Serbisë

“Unë mendoj se kategorizimi I saktë që duhet ti jepet veriut të Kosovës, është që kjo pjesë e territorit zyrtarisht duhet të quhet pjesë e pushtuar nga strukturat e pa ligjshme të Serbisë. Koncepti I saktë, pastaj, qysh e definojmë situatën atje e determinon edhe morinë e veprimeve që duhet t’i ndërmarrim, pastaj si shtet apo si Qeveri”, theksoi Konjufca.  

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, tha se derisa sot po flitet për shtrirje të sovranitetit dhe lëvizje të lirë në veri, fatkeqësisht koincidon arrestimi i një drejtori të policisë në veri, dhe askush nuk jep sqarim.

Lekaj: Fatkeqësisht koincidon marrja e një zyrtari të lartë të PK-së, dhe askush nuk jep sqarim

“Fatkeqësisht koincidon marrja e drejtorit të një zyrtari të lartë të policisë së Kosovës dhe askush nuk jep sqarim. E pyes kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme, a jemi shtet a nuk jemi? A jemi ka bëjmë hajgare me shtetin tonë dhe me zyrtarët tanë. Nuk e kam as axhë , nuk e njoh personalisht, por është zyrtari I lartë I policisë së Kosovës dhe këtu ju po vini dhe mbroni dhe thoni para qytetarëve duke mashtruar dhe gënjyer që në Kosovë kemi shtet. Por, çfarë shteti more? Mua më kishte ardhur turp me ndejt ën këto kolltuqe dhe askush nuk e merr përgjegjësinë për të dhënë një sqarim. Andaj, është drejto i policisë në Mitrovicë”, tha Lekaj.

Deputeti nga radhët e Nismës për Kosovën, Zafir Berisha  tha se nga marrëveshjet në Bruksel derivojnë edhe marrëveshje tepër të dëmshme antikushtetuese siç është marrëveshja për drejtësinë, krijimi i organeve të drejtësisë në baza etnike dhe marrëveshja për policinë.

Berisha: Do të kemi një Krime të Ukrainës

“Nga kjo marrëveshje derivojnë edhe marrëveshje tepër të dëmshme antikushtetuese siç është marrëveshje për drejtësinë, ku krijohen organe të drejtësisë në baza etnike, ku bëhet marrëveshja për policinë dhe gjithë ata banditë në vend që të shkojnë në burg sot I ke policinë e Kosovës dhe është shumë normale ato që tha Glauku, bile çudi se si nuk e kanë burgosur ministrin atje. Nëse nuk ndalet kjo, ne do të kemi një Bosnje të dytë ose realisht një Krime të Ukrainës. Sepse parakushtet që janë filluar me vrasje të bandave të Serbisë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe shpërngulje masovike dhe me kolonizimin e asaj pjese janë duke u krijuar parakushtet për këtë situatë tepër të pa këndshme që mundet me i ardhur vendit”, tha Berisha.

Iniciuesi i interpelancës për çështjen e pjesës veriore të Kosovës Ismail Kurteshi, në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ka kërkuar miratimin e një mocioni, me anë të të cilit qeveria e Kosovës obligohet të ndalojë çdo veprim për ndërtimin e një lagjeje kolonizuese në veri, si dhe të garantojë kthimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës.

GP  propozon për miratim këtë mocion përmbajtjesor:  Qeveria dhe ministrat respektiv të veprojnë në terren për ndalin e çdo veprimi për ndërtimin e një lagje kolonizuese në veri. Qeveria duhet të garantojë kthimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës”, tha Kurteshi.

Mirëpo, kryesuesi i seancës së sotme Sabri Hamiti, tha se ky mocion nuk mund hidhet në votim, për shkak të mungesës së kuorumit.

Në mungesë të kuorumit, nuk hedhet në votim mocioni i VV-së për veriun?

Iniciuesi i interpelancës për çështjen e pjesës veriore të Kosovës Ismail Kurteshi, në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ka kërkuar miratimin e një mocioni, me anë të të cilit qeveria e Kosovës obligohet të ndalojë çdo veprim për ndërtimin e një lagjeje kolonizuese në veri, si dhe të garantojë kthimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës.

GP  propozon për miratim këtë mocion përmbajtjesor:  Qeveria dhe ministrat respektiv të veprojnë në terren për ndalin e çdo veprimi për ndërtimin e një lagje kolonizuese në veri. Qeveria duhet të garantojë kthimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës”, tha Kurteshi.

Mirëpo, kryesuesi i seancës së sotme Sabri Hamiti, tha se ky mocion nuk mund hidhet në votim, për shkak të mungesës së kuorumit.

Mustafa: Shuarja e strukturave paralele mbetet problem në veri

Kryeministri Isa Mustafa ka folur për gjendjen në Mitrovicën e Veriut pas interpelancës së thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Mustafa tha para deputetëve se njëra nga sfidat më të madha mbetet vendosja e normalitetit në veri.

“Qeveria e Kosovës ka vendosur si prioritet strategjik çështjen e normalizimit të vendit përfshirë edhe 4 komunat në veri”.

“Përkundër vështirësive progresi është substancial”.

“Gjendja e sigurisë është përmirësuar dukshëm, gjë e cila vërtetohet edhe përmes statistikave te institucioneve përkatëse”.

“Ne poashtu po punojmë edhe në zhvillimin ekonomik të asaj pjese, sepse besojmë se zhvillimi ekonomik është parakusht për normalizim të marrëdhënieve”.

“Ndryshimet pozitive në veri të vendit janë rezultat i drejtpërdrejt i dialogut të Brukselit”.

“Ky dialog po kontribuon në konsolidimin e shtetit përmes normalizimit të marrëdhënieve në veri”.

“Ne nuk shohim mundësi tjetër për t’i zgjedhur këto probleme, pos përmes dialogut”.

“Duhet theksuar se problem kyç akoma mbetet moszbatimi i marrëveshjeve nga ana e Serbisë”.

“Problem tjetër është edhe trajtimi i këtyre marrëveshjeve”.

“Ndërhyrja e Serbisë nga strukturat paralele është akoma evidente, por ne po punojmë edhe në këtë drejtim”.

“Policia e Kosovës është duke funksionuar në mënyrë normale, sidomos kemi arritur të ulim krimin dhe kontrabandën”.

“Bashkëpunimi ynë me 4 komunat veriore është i rregullt, ne takohemi dhe diskutojmë për probleme dhe çështje të tjera”.

“Me 14 gusht kemi hapur urën e Ibrit e cila tashmë simbolizon bashkëpunimin mes dy pjesëve”.

“Mbetët edhe shumë për tu bërë, prandaj si qeveri po punojmë me përfaqësuesit serb që të zgjedhim problemet atje dhe te shuhen strukturat paralele atje”.

“Sa i përket çështjes Lugina e Diellit, Ministria e Mjedisit ka marrë masat menjëherë”.

“Ekipi ka bërë vizitën e parë inspektuese, dhe ka urdhëruar që të ndalen punimet derisa të plotësohet dokumentacioni sipas ligjeve të Kosovës”.

“Shuarja e strukturave paralele është çështja substanciale në këtë pjesë, andaj duhet një mbështetje më e madhe nga komuniteti ndërkombëtare sepse këto struktura po krijojnë probleme të madha”.

Në interpelancën për veriun, Lekaj ia kujton Mustafës ndalimin e Thaçit në Serbi

Shefi i deputetëve të AAK-së, Pal Lekaj, në interpelancën ndaj kryeministrit të Kosovës për gjendjen në veri ka kujtuar rastin e mbrëmshëm të ndalimit të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë Nehat Thaçi.

“Ne sot po flasim për lëvizje të lirë në veri të Mitrovicës, e fatkeqësisht kjo koincidon me marrjen e drejtorit të Policisë së Kosovës nga forcat serbe, dhe askush nuk jep llogari”, ka thënë Lekaj. “E pyes kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm a jeni tu bo hajgare, apo kemi institucione të vërteta”, ka thënë më tej ai.

“Nuk e kam as axhë e as nuk e njoh personalisht. Por është zyrtar i lartë, drejtor i Policisë në Mitrovicë dhe askush nuk jep llogari. Mua më kish ardh marre me ndejt në këto kolltukë po të isha në vendin tuaj”.

Kurteshi: Strukturat ilegale të Serbisë kanë uzurpuar veriun e vendit

Image

Tashmë ka filluar interpelanca e kryeministrit të vendit, Isa Mustafa, lidhur me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Kosovës.

Iniciuesi i interpelancës, deputeti Ismail Kurteshi, ka thënë se banorët shqiptarë nuk po mund të kthehen dhe të rindërtojnë shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës.

Kurteshi ka deklaruar se strukturat ilegale të Serbisë po veprojnë lirshëm dhe po e mbajnë të uzurpuar atë pjesë, duke pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, e cila është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Më tej, ai shtoi se serbët kanë shtrirë ilegalisht shërbimet e tyre në atë pjesë, nga e cila u dëbuan e u keqtrajtuan shqiptarët.

“Për 17 vjet me radhë qindra shqiptarë nuk janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre. Edhe sot ky problem i kthimit nuk është zgjidhur. Teksa kjo gjendja paraqitet e pa adresuar, Qeveria keqadministroi gjendjen në lagjen Suadoll. Paralelisht me strategji të gabuar të Qeverisë së Kosovës, është paralajmëruar se në territor të Kosovës, serbët po tentojnë të ndërtojnë një lagje të ashtuquajtur ‘Lugina e Diellit’”, ka thënë Kurteshi.

Ymeri kërkon aplikimin e kodit të Shqipërisë për Kosovën

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar votimin e rezolutës, përmes së cilës do të aplikohet kodi telefonik ‘355’ për Republikën e Kosovës.

Ymeri ka ftuar të tjerët që të votojnë rezolutën e propozuar, pasi sipas tij, në këtë mënyrë ndihmojnë zhvillimin e tregut të telekomunikacionit dhe përafrimin me Shqipërinë.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të nis menjëherë dhe pa vonesë negociatat me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për zëvendësimin e kodeve telefonike sipas rezolutës për zëvendësimin e kodeve telefonike.

Ai ka thënë se pas kësaj, kryeministri i vendit i raporton Kuvendit, jo më larg se përfundimi i muajit të parë pas votimit të kësaj rezultate, e më pastaj ngarkohet Kryesia e Kuvendit që t’ia përcjellë Kuvendit të Shqipërisë këtë kërkesë dhe rezolutë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Pas pauze, do të vendoset nëse do të hidhet në votim kjo rezolutë.

Pas vërejtjeve të shumta nga ana e deputetëve të opozitës në lidhje me kodin telefonik shtetëror të Kosovës në foltore ka dalë sërish kryeministri Isa Mustafa.

Ai duke u munduar të përgjigjet në vërejtjet e deputetëve tha se kodi telefonik do të jetë vetëm i Kosovës.

“Kodi do të jetë kod telefonik i Kosovës dhe Kosova do të jetë pronare e këtij kodi telefonik prandaj ne do të jemi pronarë e këtij kodi telefonik, ne do të administrojmë këtë kod, serveri do të jetë në Kosovë dhe Telekomi i Kosovës do të lidhet me botën përmes tij”, tha Mustafa.

Ai tha se kodin nuk e  ndan Serbia për Kosovën por ITU-ja ndërkaq Kosobën ata nuk e kanë pranuar.

“Mirë do të ishte të na pranojnë por zgjidhjen e kemi gjet që për Kosovën të aplikojë Austria. Kjo ka qenë zgjidhja sepse nuk kemi pas zgjidhje tjetër por jo që pastaj të jetë kod i Serbisë por vetëm shërbimin ta kryej Austria. Edhe ne kishim pas dëshirë që të pranohet aplikacioni jonë në ITU dhe pastaj ne ta zgjidhim këtë”, tha Mustafa.

Sa i përket rezolutës me Shqipërinë ai tha se është  informuar që ka pas dialog me Shqipërinë se nuk është arrit të realizohet kjo dhe se për këtë është njoftuar Kuvendi.

“ Unë as nuk kam qenë në Shqipëri vet as nuk kam biseduar mirëpo këtë informatë e kam dhe këtë po ua përcjell Kuvendit. Unë mendoj që Kosova përfiton me këtë kod telefonik, mendoj se ne duhet ta pranojmë dhe ky Kuvend ta përkrah këtë aktivitet i cili po ndërmerret por edhe të kërkomë nga BE që ata të jenë rigoroz dhe të vendosur që të ushtrojnë presion mbi Serbinë që Serbia t’i zbatojë marrëveshjet për të cilat jemi marrë vesh sepse një gjë e tillë po na dëmton edhe materialisht”, tha Mustafa.

Kurti: Kodi telefonik mund të jetë i ri, por jo i Kosovës

Deputeti i Vetëvendosjes Albin Kurti ka thënë se rruga për t’u pajisur Kosova me kod shtetëror telefonik është aplikimi i drejtpërdrejtë në ITU.

“Kjo rrugë nuk kalon as nga Beogradi as nga Vjena. Ka shtete që s’janë anëtare të OKB-së por janë anëtare të ITU-së. Qeveria e Kosovës gjatë negocimit e ka ditur qëndrimin e VV-së. Ata e kanë ditur që ka qenë e mundur të aplikojmë për anëtarësim në ITU. Arsyeja se në negociatat me Serbinë e kanë maskuar legalizimin e operatorit serb në Kosovë”, tha Kurti.

Sipas Kurtit ai kod realisht nuk është i Kosovës, përveç se kanë hyrë në pazar.

 “A ka provuar delegacioni zbatimin e reciprocitetit. A ka kërkuar reciprocitet. Kosova referohet si ‘Kosovo’ me fusnotë. Atje nuk do të jemi të përfaqësuar ashtu siç jemi të shpallur këtu. Kjo e bënë Kosovën ‘ suis generis’ dhe na heq fjalën Republikë. Ne me këtë fusnotë që nuk ishte fjollë bore, s’u bëmë as Republikë as monarki. Jemi më pak se shtet, më pak të pavarur, gjë që u vulos me marrëveshjen për telekomunikacion. Kodi i ri telefonik mund të jetë kod i ri, por nuk mund të jetë kod i Kosovës”, tha Kurti.

Selimi: Me kodin telefonik problem edhe në fushën e përgjimeve

Deputetët e opozitës po japin shumë vërejtje në lidhje me kodin telefonik shtetëror e sidomos pas interpelancës së kryeministrit Isa Mustafa në lidhje me këtë çështje.

Një shqetësim e ka ngritur edhe deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi sipas të cilit dihet se në Kosovë do të operojë telefonia e Serbisë dhe kur dihet se është edhe ligji për  përgjimet në Kuvend atëherë sipas tij  “çka nëse ky operator nuk do ta respektojë këtë ligj nuk do t’i lejohet qasja as AKI-së as askujt por edhe nëse i respekton është rrezik i nxjerrjes së të dhënave jashtë vendit”.

“Edhe në fushën e përgjimeve do ta kemi problem shumë të madh licencimin e një kompanie të përbashkët me atë të Serbisë”, tha Selimi.

Buja: Kodi telefonik e rrezikon sigurinë e brendshme të shtetit

Kundër kodit telefonik shtetëror është shprehur edhe deputeti i PDK-së Shukri Buja.

Sipas tij kodi telefonik është çështje që e rrezikon edhe sigurinë e brendshme të shtetit. 

“Ai që i rrezikon kodet telefonike mund t’i rrezikojë edhe institucionet e vendit sepse mund të përgjojë shumë lehtë. Ne duhet të krijojmë strategji për këto bisedime sepse na është thënë që janë bisedime për çështje teknike por po dalin se janë bisedime për çështje politike”, tha Buja.

Konjufca: Kodi telefonik tregon që diçka po rrjedh prej sovranitetit

Image

Deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca gjatë fjalës së tij lidhur me interpelancën e kryeministrit për kodin shtetëror telefonik të Kosovës ka përmendur edhe arrestimin e drejtorit të Policisë në Mitrovicë Nehat Thaci nga policia serbe.

“Kryeministri shumë herë iu referua marrëdhënieve shumë të mira me Serbinë, fqinjësisë së mirë që është qëllim i Qeverisë sonë. Mbrëmë kemi arrestimin e një zyrtari të Policisë dhe asnjë fjalë si tha as nga kryeministri dhe as ministri i Punëve të Brendshme. Këto marrëdhënie të shkëlqyera kthehen me arrestime të autoriteteve më të larta të Policisë së Kosovës me aktakuza për terrorizëm”, tha Konjufca.

 Kjo sipas Konjufcës është  fqinjësia e mirë me Serbinë ndërsa tha se telefonia nuk është hiq më mirë se arrestimet që po i bën Serbia.

Ai tha se të gjitha Qeveritë nga viti 2008, e kanë pasur si arsyetim se Kosova s’mund të anëtarësohet  në ITU, sepse nuk është anëtare e OKB-së.

Në lidhje me këtë tha se në disa organizata Kosova ka konkurruar edhe pa qenë anëtare e OKB-së ndërsa në disa tjera jo sepse siç tha Konjufca, “ka pasur marrëveshje me Serbinë që mos  të konkurrojnë”.

Përgjigjen për këtë Konjufca tha se mund ta gjejnë tek zyrtarët politik, të cilëve u ka konvenuar që Serbia, të fitoj qindra miliona euro nga kjo varësi e telefonisë mobile, e cila ka qenë e kontrolluar nga Serbia.

“Kushtetuta e ITU-së e mundëson që edhe me pas kod telefonik të pavarur edhe vendet që s’janë anëtarë të Kombeve të Bashkuara”, tha Konjufca.

Sipas tij kompania e re e Serbisë që do të hyjë në Kosovë do të operojë në mënyrë ilegale.    

“ Ky s’ka qenë çmimi që është dashur ta paguajmë. Është çmim i papërballueshëm për Kosovën. Ne tash po hyjmë dhe në probleme politike përmes kësaj. Me këtë kod do të jetë383 , por cili do të jetë statusi i këtij kodi. Atë që ka fituar Kosova në thonjëza, është degradimi i tregut të telekomunikacionit në Kosovë. Krejt hapësira telefonike e Kosovës, po futet në bashkëveprim me telekomunikacionin e Serbisë, që shkëmbimet e tyre nuk do të jenë ndërkombëtare. Kjo tregon që diçka prej sovranitetit po rrjedh”, tha Konjufca.

Mustafa: Kodi i jepet Kosovës sovranitet ndërkombëtar

Image

Kryeministri i Kosovës, gjatë interpelancës para deputetëve të Kosovës, lidhur me kodin shtetëror telefonik, ka thënë se me këtë marrëveshje Kosova e ka forcuar sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial.

Mustafa tha se ky kod ka rëndësi shtetërore sepse i jepet Kosovës sovranitet ndërkombëtar dhe përbën një prej simboleve të rëndësishme për vendin tonë.

“Kosova në Bruksel ka arrit marrëveshje me Serbinë e cila i siguron Kosovës kodin e telekekomunikacionit shtetëror. Tash kur ne po bisedojmë këtu Edita Tahiri po merr pjesë në implementimin e kësaj marrëveshje. Kosova do ta ketë kodin e saj telefonik dhe ky kod do të jetë ai i cili do t’i heq nga përdorimi tri kodet që janë përdorë deri tani. Ndërkaq kodi shtetëror i Kosovës do ta bëjë Kosovën me kod të vetin duke i hekë nga përdorimi kodet që janë përdorë tash e 17 vite ilegalisht si është ai 377, 386, 381”, tha ai.

Ai ka shtuar se me këtë marrëveshje Kosova e ka forcuar sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial me faktin se organizata ndërkombëtare e telekonominikacionit do t’ia adoptoj Kosovës kodin e saj telefonik.

Sipas tij, Austria tashmë ka aplikuar në janar në emër të Kosovës për të kërkuar nga EBU,  t’i ndaj kodin telefonik Kosovës. Ai ka sqaruar se arsyeja pse është dashtë Austria të aplikoi, është se në këtë mënyrë mund të largoheshin pengesat sepse Kosova ende nuk është anëtare e KB-së dhe pengesat që Serbia do të mund t’ia bënte.

Beqiri: Kodi shtetëror, rezultat i dialogut në Bruksel

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, përkrah Qeverinë e Kosovës, në çdo angazhim të saj për arritjen e marrëveshjes në Bruksel për kodin telefonik.

Kështu ka deklaruar kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili tha se çështja e kodit shtetëror telefonik është në rrugë të mbarë që të zgjidhet përmes dialogut në Bruksel.

Sipas tij, kjo çështje nuk mund të zgjidhet me vullnet e dëshira të njëanshme, por duhet të zgjidhet në mënyrë ndërkombëtare.

“Pra kodi do të fitohet si rezultat i dialogut dhe marrëveshjeve në Bruksel”, tha më tej Beqiri.

Ymeri: Me marrëveshjen për kodin, Kosova është nën sovranitetin e Serbisë

Seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon me interpelancën e kryeministrit, Isa Mustafa, lidhur me kodin telefonik shtetëror të Kosovës. Iniciuesi i interpelancës, Visar Ymeri tha se Qeveria me këtë marrëveshje ka rrezikuar sovranitetin e Kosovës në fushën e telekomunikimeve, duke e hapur derën që ky territor të konsiderohet si vazhdimësi e sovranitetit të Serbisë.

Sipas tij, duket absurde që pas kaq përpjekjesh për shkëputje nga Serbia të ketë dyshim që Serbia të jetë pronare e kodit telefonik.

“Të gjithë specialistet e telekomunikacionit e kundërshtonin haptas këtë marrëveshje. Kosova është shtet i pavarur. Serbia nuk e njeh por e konsideron Kosovën territor i saj. Me marrëveshjen me Serbinë, kësaj të fundit i njihet marrëveshja për qeverisje në Telekomin e Kosovës, pas 55 vitesh operatori serb kthehet në Kosovë, do të jetë një operator që quhet telefonia mobile e Serbisë. Marrëveshja ka qenë në kundërshtim me interesin e Kosovës, pasojat e përfshirjes së Serbisë në këtë proces shihet në planin e zbatimin, sipas kësaj marrëveshje betonohet që Kosova gjendet nën sovranitetin e Serbisë, sidomos në fushën e telekomunikimeve”, tha Ymeri.

 Ai shtoi se Kosova ka mund të aplikoj vet në ITU, por gjithashtu Kosova ka pasur mundësi të aplikoj përmes Republikës së Shqipërisë në ITU.

“Qeveria ka vendosur në kundërshtim me interesat e vendit, që këtë ta bëjë bashkë me Serbinë dhe ta rrezikojë sovranitetin e Kosovës në fushën e telekomunikimeve, duke e hapur derën që ky territor të konsiderohet si vazhdimësi e sovranitetit të Serbisë. Kjo duhet të ndërpritet dhe tregu i telekomunikacionit të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të interesave të Serbisë”, tha ai.

Hiqet nga rendi i ditës licenca e kompanisë së gjeneralit Clark

Me kërkesë të shefit të gurpit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismat Beqiri, janë hequr nga rendi i ditës votimi i projektligjit për investimet strategjike në Kosovë, shqyrtimi i propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës, me të cilin konsiderohet interesi publik nga lëshimi i licencës për Projektin e Kompanisë Envidity Energy Kosova LLC dhe shqyrtimi i propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës, me të cilin konstatohet interesi publik për lëshimin e licencës për hulumtim për Projektin e Kompanisë Sharr Cem dhe Titan Amerika.

Konjufca tha se këto projektligje është dashur të pezullohen krejt, sepse Qeveria nuk ka pasur transparencë sa i përket pasurisë së vendit tonë për hulumtim të qymyrit.

“Rekomandimi i qeverisë po bjen në kundërshtim të ligjeve, ata do të kenë të drejtën ta shpojnë dhe hulumtojnë Kosovën për rezervat e qymyrit, kjo është çështje serioze, është mirë që të hiqet krejt”, tha ai.

Ymeri-Mustafës: Nuk është e vërtet që shpëtuat Trepçën

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kanë bërë një debat në Kuvendin e Kosovës, lidhur me Trepçën. Derisa Ymeri ka mohuar deklarimet se është shpëtuar Trepça, tha se ky gjigand ekonomik ende po rrezikohet me likuidim. Kurse, Mustafa e përsëriti se kanë shpëtuar likuidimin e Trepçës, derisa opozita që brengoset kaq shumë, kishte lëshuar sallën.

Ymeri tha se fakti që qeveria nuk ka bërë asgjë, Trepça vazhdon të kërcënohet me të njëjtin fund.

“Kuvendi po shihet se do të vendos një ligj me procedurë të përshpejtuar pa trajtim serioz. Qeveria s’ka ide çfarë duhet të bëjë dhe duke marrë parasysh që ligji nuk është i mirë po tenton ta shmang debatin. A do të bëhet Trepça ndërmarrje publike siç ishte ideja në janar të vitit 2015. Ne e kemi leshu seancën sepse kemi mbështetur kauzën që Trepça të dhëndërohet në ndërmarrje publike. Këtë kauzë e keni mbështetur dhe ju tri ditë para se të votohej. Por e keni ndryshuar për shkak të trysnisë nga ana e Serbisë”, tha ai.

Kurse, kryeministri Mustafa tha se nuk është i detyruar ta shpjegojë ligjin para se të vie në Kuvend.

“Ligji do të jetë në kuvend. Në fillim të vitit të kaluar kemi evituar likuidimit. Opozita e ka lëshuar sallën dhe ka mbet që ne të vendosim, nëse do të ishit brengos aq shumë për Trepçën do të qëndronit në sallë dhe ta evitojmë likuidimin e saj”, tha ai.

Hyseni nuk e di se deri kur do të ketë makina pa targa në veri

 Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e ka pyetur ministrin e Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, se deri kur në veri të vendit do të qarkullojnë automjete pa regjistrim.

Në fjalën e saj, Musliu tha se për të, këto automjete paraqesin rrezik për siguri.

Ajo ka thënë së këtë pyetje e ka adresuar madje edhe para se të arrihej marrëveshja në Bruksel.

“Shqetësimi im nuk është te tabelat e vjetra. A do të duhej ky problem të ngritët për liberalizimin e vizave? Kur do të ndalet kjo dukuri, deri kur do të kemi makina pa targa në veri të Kosovës?”, vazhdonte pyetja e Musliut.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha se tashmë ekziston një marrëveshje, e cila pritet të zbatohet.

“Të gjithë kemi arsye të jemi të pakënaqur me dinamiken e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Do të doja shumë ta jap përgjigjen e saktë deri kur do të lëvizin makinat pa regjistrim. Por nuk e kam një përgjigje të saktë. është proces. Do të doja të ishte aq e lehtë siç perceptohet nga disa, mirëpo unë kam bindjen se nuk është e lehtë. Ajo që di është se MPB po bënë çfarë është e mundur ta shtrij autoritetin në këtë dikaster në veri. Për herë të parë kemi qendra të regjistrimit civil në veri”, ka deklaruar Hyseni.

Mustafa: Me dy nëntor Trepça me ligj të ri

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se nuk do ta rrezikojnë Trepçën dhe tanimë është përgatitur ligji i ri, i cili do të aprovohet brenda afatit të paraparë, që do të jetë më së voni më 2 nëntor.

Ai duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve ka thënë se kur kanë filluar qeverisjen e kanë gjetur Trepçën në një situatë të rëndë dhe menjëherë kanë marrë masa dhe e kanë shpëtuar Trepçën nga likuidimi.

Muja jep zgjidhje për banorët e dëbuar nga banesat e uzurpuara

Deputeti i PDK-së Shaip Muja ka folur në seancën e Kuvendit lidhur me çështjen e banorëve të lagjes “Dardania” të cilët me vendim të Gjykatës janë nxjerrur nga banesat që jetonin tash e 17 vjet.

“Edhe unë po solidarizohem me ta dhe të  jap një mendim që mund të jetë i dobishëm. Qeveria e Kosovës mund të sjellë një ligj së bashku me komunën dhe ndërmjetësuesit e bankave të hyjnë në garancionin bankar për blerjen e atyre banesave”, tha Muja.

Ai tha se me këtë çështje janë marr të gjitha partitë politike por që asnjëra nuk ofroi një zgjidhje për ta.

Bytyqi: Kryeministër kërkoju falje qytetarëve të Malishevës

Deputetja e Nismës Shukrie Bytyqi ka kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa që t’u kërkojë falje qytetarëve të Malishevës për fyerjet që u ka bërë.

“Kërkoj nga kryeministri Isa Mustafa që t’u kërkoj falje qytetarëve të Malishevës për fyerjet që u ka bërë. Malisheva nuk është vend i zagarëve dhe rriqrave, por është vend që ka dhënë shumë për lirinë e vendit. Sa më shpejt shkon Isa Mustafa dhe Qeveria e tij, shpëton Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj”, ka thënë Bytyqi.

Sipas saj këtyre zyrtarëve të shtetit qytetarët u duhen vetëm në kohë fushate, që t’i manipulojnë deri ta  marrin votën e tyre dhe pastaj t’i fyejnë e të shajnë.

Konjufca: Kisha në oborrin e UP-së u ndërtua si festim i krimeve në Kosovë

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, sot në Kuvend ka vazhduar të komentojë për çështjen e Kishës Ortodokse në oborrin e Universitetit të Prishtinës.

“Kisha ortodokse serbe ka qenë nxitëse për luftë ndaj Kosovës”, deklaroi Konjufca sot në Kuvend.

“Në një dokumnet që e kam parë, që e ka Shukri Aliu, u bëhet thirrje të rinjëve për të luftuar në Kosovë. Ky dokument do të ishtë mitë që të botohej. Kisha në oborrin e UP-së u ndërtua si festim pas masaktave që po i kryente e Serbia në Qirez, Likoshanë, Prekaz , Abri e deri të masakra e Reçakut”, shtoi ai.

Konjufca ka akuzuar presidentin Thaçi se “po mbron kishën në oborrin e UP-së që të shpëtojë nga Gjykata Speciale.

“Deklarata e Thaçit për mbrojtjen e këtij monomneti është neveritëse. Ai, për të shpëtuar nga Gjykata Speciale është në gjendje që t’i përkulet edhe objekteve serbe të cilat janë bërë për të serbizuar Kosovën”, tha Konjufca. 

Referendumi që shtroi rrugën e pavarësisë

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka filluar me përkujtimin e 25 vjetorin e referendumit të pavarësisë së Kosovës, ku u tha bashkë me deklaratën e pavarësisë së vitit 1990, ishin themelet juridike e demokratike të shtetit të Kosovës, për liri e pavarësi.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti tha se me shumicë absolute gati 1 milion njerëz pohuan vullnetin për pavarësinë e Kosovës në vitin 1991.

“Referendumi për pavarësi legjitimoi deklaratën e pavarësisë së 2 korrikut 1990. Këto ishin themelet juridike e demokratike të shtetit të Kosovës, për liri e pavarësi për vendin. Referendumi i 1991 me organizimin e pashoq dhe me votën, konfirmoi vullnetin e popullit për liri dhe pavarësi. Prijësi historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, udhëhoqi Kosovën duke fituar lirinë. Me punën e madhe të qindra mijëra njerëzve pjesëmarrës në rezistencë aktive dhe sakrificën më sublime në luftën e kaluar. Referendumi i vitit 1991, shtruan rrugën e pakthyeshme për realizimin e pavarësisë së Kosovës një çështje ekzistenciale për ne atëherë dhe sot. Le të kuptojmë përherë lavdinë e ideatorëve dhe realizatorëve të referendumit për pavarësi para 25 viteve”, tha ai.

Ibishi: Numri i madh i aksidenteve, shqetësuese për qytetarët

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nuredin Ibishi në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur për  numrin e madh të armëve ilegale te qytetarët e vendit si dhe për aksidentet rrugore.

Ai tha se janë mbi 300 mijë armë te qytetarët e vendit përkundër konfiskimit të vazhdueshëm, ndërsa kjo dhe aksidentet rrugore po janë shkaktarë kryesor të humbjeve të jetëve të njerëzve.

Kjo sipas tij, po shkakton shqetësime jo vetëm për familjet që preken nga këto raste, por edhe për shoqërinë në përgjithësi.

Ai foli edhe për Ligjin për armët dhe Ligjin për rregullat e trafikut rrugor, për të cilat tha se kanë për qëllim parandalimin e veprimeve kriminale dhe kundërvajtëse.

Demi-Murtezi kërkon nga Qeveria të përshpejtojë procedurat për pezullimin e disa OJQ-ve

Deputetja e Partisë së Drejtësisë Labinotë Demi-Murtezi ka ngritur një shqetësim të saj sot në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Ajo ka kërkuar që Qeveria të përshpejtojë procedurat në lidhje me pezullimin e punës së disa OJQ-ve në Kosovë që kanë qenë të dyshuara për nxitje të ekstremistit.

“Tashmë dy vite qeveria ka pezulluar punën e disa OJQ-ve  për dyshime për nxitje të ekstremizmit . Këto OJQ  mbeten të pezulluara përkundër transparencës nga ana e tyre. Ftoj organet e drejtësisë të përshpejtojnë punën dhe të bëjnë publike veprimet përkatëse të secilës prej këtyre organizatave një nga një. Nga organet kërkojmë përshpejtim të procedurave”, ka thënë Demi-Murtezi.

Nis seanca e Kuvendit të Kosovës

Tashmë ka filluar seanca e rregullt e Kuvendit të Kosovës në të cilën janë paraparë të shqyrtohen dhjetë pika të rendit të ditës.

Kryeministri Mustafa sot rrëfehet para deputetëve

Sot mbahet seanca e rregullt e Kuvendit të Kosovës në të cilën janë paraparë të shqyrtohen dhjetë pika të rendit të ditës. Gjatë kësaj seance, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është ftuar në interpelancë lidhur me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe për kodin telefonik shtetëror.

Seanca do të fillojë në ora 10:00, ku do të diskutohet edhe për licencën e kompanisë së gjeneralit Wesley  Clark. 

Ja rendi i ditës:

1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

2. Koha për pyetje parlamentare,

3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

4. Votimi për emërimin e një anëtari në Komisionin për Kërkesa Pronësore,

5. Votimi i Projektligjit për investimet strategjike në Republikën e Kosovës,

6. Interpelanca e Kryeministrit, Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 6 deputetë nënshkrues, në lidhje me kodin telefonik shtetëror të Republikës së Kosovës,

7. Interpelanca e Kryeministrit Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetit Ismajl Kurteshi, i mbështetur edhe nga 7 deputetë nënshkrues, në lidhje me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës,

8. Shqyrtimi i Propozimi-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 05/106, datë 25.08.2016, me të cilin konsiderohet interesi publik nga lëshimi i licencës për Projektin e Kompanisë Envidity Energy Kosova LLC,

9. Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 06/106, datë 25.08.2016, me të cilin konstatohet interesi publik për lëshimin e licencës për hulumtim për Projektin e Kompanisë Sharr Cem dhe Titan Amerika,

10. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurial të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat