Lista serbe kushtëzon LDK-në e PDK-në, themelimi ushtrisë në dorë të koalicionit

Aktuale

Lista serbe kushtëzon LDK-në e PDK-në, themelimi ushtrisë në dorë të koalicionit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 28 shtator 2016 Në ora: 14:19
FSK

Ndonëse Institucionet e Kosovës ende nuk kanë bërë ndonjë hap përpara, në drejtim të shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, megjithatë  një forcë e re mbrojtëse, sigurisht se do ta dallonte nga ato që ka sot Kosova. 

Për themelimin e FAK-ut është i nevojshëm edhe ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës. Prandaj, kjo dikton nevojën e konsensusit politik me Listën Serbe, pasi që ky subjekt përfaqëson aktualisht shumicën e komunitetit serb në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës. 

Njohës të sigurisë dhe deputetë vlerësojnë se Qeveria e Kosovës e ka lënë themelimin e ushtrisë peng të vullnetit politik të Beogradit. 

Sipas tyre, Lista Serbe kërkon që një batalion i asaj force në veri të jetë komplet i përbërë nga serbët dhe të ketë linjë tjetër komandimi dhe jo atë të Forcave të Armatosur të Kosovës.

Bahri Gashi, ekspert i sigurisë ka thënë se lista Serbe, vazhdimisht po përpiqet që ta maksimizoj rolin e saj përmes paaftësisë së partnerëve në koalicion PDK dhe LDK, të cilët, nuk po arrijnë të frenojnë, apo nuk po e kuptojnë që përmes tyre si përpjekje për bashkëqeverisje, kanë zyrtarizuar dhe forcuar prezencën dhe autoritetin e pushtetit të Serbisë në Kosovë.

“Fakti që Lista Serbe, të gjitha veprimet politike, i bënë në koordinim dhe me sugjerime dhe rekomandime të veçanta nga Serbia, flet për prani të politikave të shtetit serbe, si ndërhyrje përmes Listës Serbe direkt në politikat shtetërore të Kosovës. Kushtëzimet e vazhdueshme nëpër proceset politike, sikurse edhe me rastin e Krijimit të Ushtrisë së Kosovës, për akomodimin e një zinxhiri të pastër serb komandues të veçantë të tyre, organogram ky, që do të duhet të jetë papranuar, duke respektua përfshirjen e tyre si minoritet në kuotat e konceptit të funksionimit multi-etnik dhe jo një etnik për një pakicë të veçantë”, ka thënë Gashi.  Sipas tij, kompleksiteti i sigurisë dhe mbrojtjes që duhet të ketë FAK –u, në këtë rast është Ushtria e Kosovës, në perspektiven euroatlantike të NATO-së.

“Si përfundim, Lista Serbe, është duke shfrytëzuar mirë brishtësinë dhe keq qeverisjen politike të qeverisë, dhe po luan me mjaftë mjeshtri e dinakëri, në përfitimet e tyre të përkrahura politikisht dhe me logjistikë të mjaftueshme, drejtpërdrejt nga shteti Serb, i cili ende në mendësinë e vet juridike dhe logjike, Kosovën e trajton si pjesë të territorit të vet”, ka thënë Gashi.

Burim Ramdani ekspert i sigurisë ka thënë, se transformimi i FSK-së në Ushtri është krejtësisht në dorë të koalicionit qeverisës.  “ Pjesë e koalicionit është edhe Lista Serbe. Qeveria, përkatësisht, Mustafa dhe Veseli janë përgjegjës për të bindur partnerin e koalicionit. Jo vetëm të ndajnë privilegjet, por edhe përgjegjësitë shtetërore”, ka thënë Ramadani. Ndërsa, Naim Maloku, njohës i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, ka thënë se shndërrimi i FSK-së në FAK është mjaft i rëndësishëm për Kosovën.  Sipas tij, Lista serbe është e dirigjuar nga Serbia edhe me çdo rast ata do të mundohen ta bllokojnë këtë proces.

“Lista Serbe kërkon që një batalion i asaj force në veri të jetë komplet i përbërë nga serbët dhe të ketë linjë tjetër komandimi dhe jo atë të Forcave të Armatosur të Kosovës. Kjo do të thoshte se praktikisht Kosova ndahet dhe më nuk ke shanse më bëhet bashkë”, ka thënë Maloku, duke shtuar se shndërrimi i FSK-së në FAK mund të bëhet vetëm me një presion ndërkombëtar”, ka thënë Maloku duke shtuar se me një marrveshje dhe më një presion të fuqishëm ndërkombëtare Serbia hyn në NATO, dhe me këtë intergrohet gjithë rajon.

Anton Quni deputet nga LDK ka thënë, se Institucionet përkatëse të Kosovës:Qeveria e Kosovës, Ministria e FSK-së dhe Komanda e FSK-së kanë deklaruar se FSK është e gatshme për t'u shndërruar në Ushtri.  

Ai ka thënë, se të gjitha përgatitjet, FSK i ka bërë me ndihmën e NATO-s, përkatësisht KFOR-it, të cilat kanë vlerësuar se FSK –ja,  ka bërë shumë për t'u përgatitur sa më mirë.

“Në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, udhëheqës ushtarakë të SHBA-ve dhe të NATO-s kanë vlerësuar se FSK mund të transformohet në FA, dhe në këtë drejtim do ta ketë përkrahjen e plotë të tyre. Ka mbetur vetëm vendimi politik nga Kuvendi për të bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore, për të cilat (ndryshimet kushtetuese) kërkohet vota e dyfishtë prej 2/3, pra edhe e komuniteteve etnike. Në këtë drejtim, ka pasur shqetësime nga komuniteti serb lidhur me sigurinë e tyre. Mendoj se bashkë me partnerët tanë SHBA dhe NATO-n do të arrijmë t'i sigurojmë serbët se Ushtria e Kosovës nuk do të jetë rrezik për ta, por do të ofrojë më shumë siguri për paqen në Kosovë dhe rajon”, ka thënë deputeti Quni.

Sipas tij, në kushtet e rritjes së kërcënimeve globale sidomos nga terrorizmi botëror dhe faktorë të tjerë destabilizues dhe cenues të paqes globale, nevoja që edhe Kosova të ketë Ushtrinë e vet është shumë e madhe. 

“Nëpërmjet Ushtrisë, Kosova realizon marrëdhënie të reja me partnerët strategjikë dhe me NATO-n. Në këtë aspekt, FSK i ka kapacitetet për t'u shndërruar në FA dhe me ndihmën e NATO-s dhe SHBA-ve do të vazhdojë të rrisë kapacitetet e saj mbrojtëse. Edhe vendimi i Kongresit Amerikan është një nga vendimet që detyron Administratën Amerikane që të angazhohet ta ndihmojë Kosovën për t'u përgatitur për Programin e Partneritetit për Paqe dhe për anëtarësim në NATO. Kjo do të thotë se SHBA-të do të angazhohen në të gjitha fazat që nga shndërrimi i FSK-së në FA e deri në pranimin e Kosovës në NATO”, ka thënë Quni.

Ai ka theksuar se për Kosovën partneriteti me SHBA-të edhe në fushën ushtarake është shumë i rëndësishëm për sigurinë e saj dhe për të hapur perspektiva të integrimeve dhe të përfshirjes në axhenda të rëndësishme ndërkombëtare.

Rexhep Selimi deputet nga VV, ka thënë se gjenerali amerikan e do ushtrinë e Kosovës por "gjeneralët serbë" nuk po e duan.

Ai ka thënë, se në vend që në bashkëpunim me miqtë ta ngrejmë ushtrinë, Qeveria e Kosovës e ka lënë themelimin e ushtrisë peng të vullnetit politik të Beogradit.  “Gjenerali amerikan e tha qartë, është në dorë të vendimmarrësve në Parlament. Gjenerali amerikan pra e do ushtrinë e Kosovës por "gjeneralet serbë" nuk po e duan. Kurse, në vend që në bashkëpunim me miqtë ta bënim ushtrinë, qeveria e Kosovës e ka lënë themelimin e ushtrisë peng të vullnetit polotik të Beogradit. Gjenerali amerikan e tha qartë, është në dorë të vendimmarresve në Parlament”, ka thënë deputeti Selimi.  

Ndërsa deputeti Zafir Berisha nga Nisma ka thënë, se FSK-ja ka kohë që është e gatshme mirëpo filiali qeverisës i Beogradit në Kosovë nuk është i gatshëm ta bëj këtë hap. 

“Lista serbe është politika zyrtare e Beogradit dhe me logjikën e kësaj qeverie vetëm nëse do Serbia ne mund të bëjmë ushtri, përndryshe kjo çështje është dashur të kryhet para 2 vite e jo të mos jetë edhe në agjendë të Qeverisë”, ka thënë deputeti Berisha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat