A mund të shkaktojë Demarkacioni luftë me Malin e Zi?!

Aktuale

A mund të shkaktojë Demarkacioni luftë me Malin e Zi?!

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 24 shtator 2016 Në ora: 09:09
Albin Kurti

Ish kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë një deklaratë përmes së vilës thotë se çështja e demarkacionit mund të sjellë sërish luftë në Kosovë brenda 5 viteve.

“Kufiri është çështje e ndarjes së territorit. Nuk kemi tokë për të falur. Në atë tokë është derdhur gjak dhe ne s’kemi gjak për të falur. Thaçi dhe Mustafa të japin dorëheqjen. Në 4-5 vitet e ardhshme ka gjasa të ketë përsëri luftë”, tha Kurti nga Tirana, gjatë takimit të me kryefjalë demarkacionin me Malin e Zi.

Kurti ka deklaruar se shtyrja e këtij vendimi nga ana e qeverisë së Kosovës i ka shpëtuar vendit 8200 hektarë tokë:

Pas kësaj deklarate ka reaguar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e ka quajtur qesharake dhe të rrezikshme në të njëjtën kohë këtë deklaratë, e pas kësaj, Kurti e ka quajtur teveqel presidentin.

Lidhur me këtë deklaratë, eksperti i sigurisë, Bejtullah Gashi ka thënë se Demarkacioni dhe mosmarrëveshjet aktuale nuk mund të çojnë deri te një konflikt, por sipas parashikimeve të vlerësimeve të mundshme nga shtetet e Ballkanit, nuk përjashtohet mundësia e një konflikti në Ballkan.

“Fatkeqësisht, nuk po i referohem vetëm deklaratës së Albinit, por sipas të gjitha parashikimeve të vlerësimeve, nga shtetet e Ballkanit, nuk përjashtohet mundësia e një konflikti, si rezultat i zhvillimeve aktuale dhe mungesës së marrëdhënieve ndërshtetërore, përkatësisht mungesës së një klime bashkëpunimi mes shteteve të Ballkanit. Kjo shihet edhe nga deklarata e fundit e Daçiqit, i cili paralajmëron Bosnjën se nëse merret ndonjë vendim qe do te dëmtonte interesat e listës serbe. Serbia është e gatshme të intervenojë”, ka thënë Gashi për gazetën Bota Sot.

Sa i përket demarkacionit, ai thotë se aktualisht mosmarrëveshjet nuk janë të shtrira në nivel shtetesh dhe Qeveria e Kosovës ka raporte jashtëzakonisht të mira me Malin e Zi.

“Aktualiteti momental është që mosmarrëveshjet politike nuk po mund të gjejnë një koncesus sa i përket demarkacionit. Këtu është faji i qeverisë dhe krijimi i raporteve të qeverisë me subjektet politike dhe shoqërinë civile brenda Kosovës. Janë deklarata politike të cilat në aspektin e parashikimeve afatgjata nëse eventualisht nuk gjendet koncesus në një të ardhme mund të krijojë konflikt”, ka thënë Gashi për gazetën Bota Sot.

Ndërsa, analisti Islam Krasniqi ka thënë për gazetën Bota Sot se në të kaluarën, kur janë prekur kufijtë e shqiptarëve, janë përcjellë me luftëra, andaj edhe Albin Kurti duket se është bazuar në këtë.

“Çështja e Ballkanit nuk është zgjidhur ende dhe shqiptarët diskriminohen në të gjitha nivelet, në shtete që i ndanë, në Mal të Zi, Serbi, Maqedoni. Populli shqiptar është populli që ka dëshmorë më së shumti në Evropë dhe problemi i tyre ende nuk është zgjidhur dhe duhet pasur parasysh deklaratën e Kurtit, se ky demarkacion nuk na sjell paqe”, ka thënë Krasniqi.

Ai shton se nëse nuk fuqizohemi, organizohemi dhe nuk lihen anash inatet politike, mund të vijë edhe ndonjë konflikt i ri në Ballkan.

“Z.Kurti e ka lidhur deklaratën e tij më shumë në aspektin kombëtar, që shqiptarët të bashkohen dhe të organizohen si një trup i vetëm, për ruajtjen e territorit të vendit, sepse Kosova po copëtohet pak nga pak, dhe të mund të kujdeset edhe për ata shqiptarë që kanë mbetur jashtë kufijve, e jo duke i lënë në mëshirën e Zotit. Nëse qeveria nuk e tërheq marrëveshjen e demarkacionit duhet të bartë edhe përgjegjësinë çka do që të ndodh!...”, ka përfunduar Krasniqi.

Në anën tjetër, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu thotë se lufta ka përfunduar, por do të punohet për ta hequr krejtësisht nga rendi i ditës në Kuvend Marrëveshjen e Demarkacionit.

“Sinqerisht, nuk dua të merrem me këtë çështje, por me temën e Demarkacionit, që është çështje e vdekur për ne dhe kjo është konfirmuar edhe nga deputetë të pozitës dhe opozitës. Pa dashur të sjellim luftë, larg qoftë, pasi lufta ka përfunduar, nuk do të ecim me fjalë të mëdha, por shkojmë hap pas hapi, me procedura”, ka thënë ajo për gazetën Bota Sot.

Ajo shton se kjo nuk është çështje politike dhe se uron që Kosovës kurrë të mos i ndodh një tjetër luftë.

Deklarata e Albin Kurtit ka bërë mjaft bujë dhe nga shumica  është kundërshtuar./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat