Musa Ademi dënohet me 5 vjet burg për rekrutim për terrorizëm

Aktuale

Musa Ademi dënohet me 5 vjet burg për rekrutim për terrorizëm

Më: 23 shtator 2016 Në ora: 15:52
Seanca

(E plotësuar) -  Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 5 vjet burg, Musa Ademin, i akuzuar për veprën penale – rekrutim për terrorizëm.

“I pandehuri në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale akuzohet se ka kryer veprën penale rekrutimi për terrorizëm, se duke filluar nga gushti i vitit 2013 në Kosovë, vazhdimisht u ka bërë thirrje personave të tjerë për pjesëmarrje në aktivitetet e organizatës së quajtur ISIS”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga Gjykata Themelore.

Ademi thuhet se bënte propagandë intensive, verbale, si dhe përmes mediave sociale, përmes të cilave ka dërguar informata dhe fotografi lidhur me aktivitetet terroriste të organizatës ISIS, e njëkohësisht prej burimeve të ndryshme ka siguruar fonde të ndryshme materiale duke blerë biletat e aeroplanit te nxjerra në një agjenci, për linjën Prishtine – Stamboll.

Ndër tjera ai thuhet se në muajin gusht 2013, ka ndihmuar largimin nga Kosova të personave B.H dhe F.I. përmes Aeroportit të Prishtinës për në Stamboll.

Më pastaj, “këta dy persona i janë bashkuar organizatës terroriste ISIS, në Siri, e që tani i ndjeri B.H me date 25 mars 2014 ka kryer akt vetëvrasës terrorist në shtetin e Irakut duke vrare veten dhe 52 persona të tjerë, ndërsa F.I ende gjendet në Siri si pjesëtarë i aktiviteteve të grupit terrorist”.

Po ashtu, Musa Ademi akuzohet se gjatë muajit maj ka organizuar shkuarjen në Siri të personave F.L dhe N.B i cili në momentin e fundit e ka ndërruar mendimin dhe nuk ka shkuar në këtë organizate, kurse F.L si pjesëtarë i ISIS-it në Siri ka qëndruar rreth 5 muaj dhe tani gjendet në vuajtje të dënimit për aktivitetet terroriste në këtë organizatë.

Mediat lokale kanë publikuar pamje ku shihet Musa Ademit në shoqëri të imamin të Xhamisë së Madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqit dhe liderit të LISBA-së, Fuad Ramiqin. Edhe ndaj këtyre dy të fundit janë zhvilluar hetime nën dyshime për vepra penale - rekrutim për terrorizëm.

Pas hetimeve, në shkurt të vitit 2015, Musa Ademi ishte arrestuar dhe më pas ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për rekrutim në terrorizëm.

Po në kuadër të luftimit të aktiviteteve terroriste, në javën e tretë të shtatorit të vitit 2014, policia e Kosovës në bazë të hetimeve dhe me urdhër të Prokurorisë, kishte arrestuar 12 imam e hoxhallarë.

Disa prej tyre, u intervistuan dhe më pas u liruan. Ndërkaq në shtator të këtij viti, ndaj pesë imamëve dhe hoxhallarëve janë ngritur dhe aktakuza për terrorizëm dhe rekrutim në organizata të ndaluara.

Po në lidhje me aktivitetet terroriste, më 20 maj të vitit 2016, Gjykata Themelore në Ferizaj i kishte shqiptuar dënimin prej 10 vite burgim ish-imamit të xhamisë “El-Kudus” në Gjilan, Zeqirja Qazimi.

Ai akuzohej se duke keqpërdorur pozitën e tij si imam në xhaminë “ El-Kuddus” në Gjilan, publikisht ka nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike dhe grupe tjera që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Musa Ademi dënohet me 5 vite burgim për terrorizëm

Musa Ademi është shpallur fajtor për nxitje të të rinjve për të shkuar në luftë në Siri. Ai është dënuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj me pesë viti burgim.

Ai akuzohej për shkak të veprës penale rekrutimi për terrorizëm nga neni 139 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ibrahim Idrizi, kryetari i trupit gjykues lexoi aktvendimin për Musa Ademin, i cili u shpall fajtor.

Bekim Sylejmani, avokat i Musa Ademit theksoi se vendimi është i pa drejt dhe do të parashtrojnë ankesë në shkallën e dytë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat