“Me gjuhën e shenjave unë jam i barabartë”

Aktuale

“Me gjuhën e shenjave unë jam i barabartë”

Më: 23 shtator 2016 Në ora: 14:45
Pamje nga takimi

Me moton “Me gjuhën e shenjave, unë jam i barabartë”, është shënuar dita ndërkombëtare e personave të shurdhër në Kosovë.

Përfaqësuesi i zyrës së kryeministrit të Kosovës, Habit Hajredini, tha se me punën e institucioneve të Kosovës është arritur që kësaj kategorie të qytetarëve të vendit t’iu plotësohen disa kushte dhe të hyjnë në funksion të drejtat e tyre.

Hajredini: Kemi punuar shumë dhe kemi ende për të bërë

“Është shumë e rëndësishme që të diskutojmë lidhur me progresin, sfidat dhe hapat që do të ndërmarrim në këtë drejtim. Në momentin kur tani po diskutojmë dhe po e hapim këtë konferencë, ne jemi të vetëdijshëm për obligimet dhe punët që na presin por gjithsesi sot në këtë konferencë është për të përgëzuar punën e institucioneve, vet qytetarëve të shurdhërve dhe vet organizatave, në mënyrë të veçantë Shoqatën kosovare të të shurdhërve që ka pas një bashkëpunim me institucionet e Republikës së Kosovës për të jetësuar dhe për të hedhur në funksion zbatimin e politikave që përkojnë me të drejtat e këtyre qytetarëve”, ka deklaruar ai.

Kurse, kryetari i Shoqatës së të shurdhërve të Kosovës, Faton Parduzi, tha se motoja e kësaj dite ndërkombëtare është ajo e cila e bashkon komunitetin e të shurdhërve në mbarë botën.

Parduzi: Gjuha e shenjave është pjesë e rëndësishme e shoqërisë

“Shkurtimisht desha të iu informoj se sivjet moto e javës ndërkombëtare për persona të shurdhër është nivel ndërkombëtarë “Me gjuhë të shenjave unë jam i barabartë”, kjo do të thotë se gjuha e shenjave është pjesë shumë e rëndësishme e komunitetit të të shurdhërve”, deklaroi ai.

Ndërkohë, kryetari i Forumit të Aftësisë së kufizuar në Kosovë, Bujar Kadriu, u shpreh se çdo e arritur për personat e shurdhër duhet përshëndetur.

Kadriu: E drejta e informimit dhe qasjes në informacion e drejtë elementare

“Pa dyshim që çdo e arritur e cila reflekton tek personat me aftësi të kufizuar duhet përshëndetur dhe iniciativat që i ka marrë organizatat e shoqërisë civile në koordinim me zyrën e kryeministrit po më vie mirë që kanë reflektuar pozitivisht tek ju dhe po më vie mirë që ai komunikimi si një sfidë i cili ka qe në të kaluarën i takon tashmë historisë, i takon tash të kaluarës. E drejtë shumë elementare dhe thelbësore është komunikimi dhe qasja në informacione. Çdo qytetarë i cili ka pengesa apo sfidë të kuptoj apo të marrë informacione pa dyshim që është i izoluar, pa dyshim që është një sfidë dhe pa dyshim krijon varfëri dhe është e pamundur të ketë një integrim të mirëfilltë apo integrim i cili e bënë çdo person i rëndomtë apo çdo institucion i cili ka për qëllim përmirësimin e kualitetit të qytetarëve të vet”, ka deklaruar ai.

Konferenca e organizuar nga zyra e kryeministrit të Republikës së Kosovës është një nga aktivitetet e organizuara në kuadër të javës ndërkombëtare të të shurdhërve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat