Hashim Thaçi reagon ndaj Albin Kurtit, ja si i cilëson thirrjet për luftë

Aktuale

Hashim Thaçi reagon ndaj Albin Kurtit, ja si i cilëson thirrjet për luftë

Më: 21 shtator 2016 Në ora: 15:25
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia ka kujtuar Albin Kurtiti se lufta në Kosovë ka përfunduar me shpalljen e pavarësisë. Thotë se ky i fundit e ka humbur arsyen.  Në një deklaratë për Express, Thaçi ka ftuar qytetarët që të mos bien pre e Kurtit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një reagim  ka komentuar deklarimet e fundit të liderit të VV’së Albin Kurti. Thaçi ka theksuar se shpallja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran e ka forcuar paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor.

“Për më tepër, liria dhe pavarësia e Kosovës i ka dhënë fund luftërave të përgjakshme të shekullit të kaluar”, ka thënë Thaçi.

Por, si gjithmonë, sipas presidentit Thaçi, ka akterë të ndryshëm të cilët nuk përshtatën dhe nuk e pranojnë paqen dhe bashkëpunimin për arsye të ndryshme.

“Fatkeqësisht, zëra të tillë të vetmuar që kanë humbur arsyen ka edhe në Kosovë. Prandaj konsideroj se pretendimet dhe thirrjet e tyre për luftë dhe konflikt aq sa janë qesharake, absurde, ato janë të rrezikshme dhe të papranueshme”.

Thaçi ka ftuar qytetarët e Kosovës, që të mos ndikohen nga deklaratat e Kurtit.

“I ftoj qytetarët e Kosovës që mos të bien pre e deklaratave dhe thirrjeve të tilla luftë nxitëse. Kosova ka institucionet e veta shtetërore që së bashku me NATO-n kujdesen për lirinë dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat