Rikthehet rasti Kelmendi, pritet të emërohet zëvendëskryeministër

Aktuale

Rikthehet rasti Kelmendi, pritet të emërohet zëvendëskryeministër

Më: 18 shtator 2016 Në ora: 16:19
Ramiz Kelmendi

Lëshimi i postit të zëvendëskryeministrit nga Kujtim Shala (LDK), dukët që ka riaktualizuar dëshirën e biznesmenit Ramiz Kelmendi që të marrë postin për të cilin kishte dhënë dorëheqje pas 15 vjet qëndrimi në AAK, dhe aderimit në Partinë Demokratike të Kosovës, nga e cila doli pas dy viteve si rezultat i mos realizimit të premtimit të këtij posti nga ish-kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.

Deputeti tani i pavarur dhe biznesmeni (pronar i rrjetit ELKOS dhe supermarketeve ETC në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi), Ramiz Kelmendi në një prononcim për KosovaPress, tha se po flitet që ai të bëhet zëvendëskryeministër, por që ende nuk ka marrë ndonjë ofertë konkrete. Ai ka shtuar se nëse do ta merrte, do ta pranonte me shumë dëshirë, pasi që nga posti i zëvendëskryeministrit do ta realizonte edhe synimin e tij që të ndihmojë në zhvillimin ekonomik.

“ Po, po flitet, mirëpo ende nuk kam marrë një ofertë konkrete, por sigurisht është e pëlqyeshme nga ana ime, sepse qëllimi im është që gjithmonë me kontribu në zhvillim ekonomik, dhe mundësia më e mirë është si zëvendëskryeministër për të realizuar qëllimet e mia”, tha Kelmendi për KosovaPress.

Në lidhje me ketë edhe përkundër përpjekjeve nga KosovaPress, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, nuk është përgjigjur telefonatave. Kurse, burime të KosovaPress-it brenda Partisë Demokratike të Kosovës e pranojnë ketë, e cila sipas tyre pritët të bëhet në kuadër të ndryshimeve brenda qeverisë aktuale, duke thënë se nëse Kelmendi emërohet zëvendëskryeministër, ai do të rikthehet në këtë parti.

Ramiz Kelmendi, pas 15 vjet qëndrimi në AAK, më 7 maj 2014-të, ishte larguar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pikërisht në ditën kur u shpërndarë Parlamenti i Kosovës për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në legjislaturën e kaluar, Kelmendi ishte deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Këtë e kishte bërë të ditur vetë Kelmendi përmes një letre dërguar AAK-së.

“Kam falënderime të mëdha për kryetarin Haradinaj, koleg dhe anëtarë të kryesisë e mbi të gjitha për votuesit që kanë qenë mbështetja ime kryesore. Unë ju kam qëndruar besnik parimeve të AAK-së dhe me çdo mundësi time kam punuar në favor të kësaj partie. Sot para jush deklaroj zyrtarisht që tërheqja ime ka të bëjë me çështje subjektive. Edhe njëherë ju falënderoj të gjithëve dhe puna ime për zhvillim dhe në funksion të vendit nuk përfundon këtu pasi që unë çdo herë do të jem mbështetës dhe ideator për shumë projekte të cilat do të jenë në funksion të zhvillimeve ekonomike në vend”, thuhet në letrën e tij dërguar më 7 maj 2014-të.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një deklarimi për media kishte njoftuar se e kanë pranuar dorëheqjen e Ramiz Kelmendit.

Tri ditë me vonë, pikërisht më 10 maj 2014-të, Ramiz Kelmendi aderoi në Partinë Demokratike të Kosovës. Në një konferencë për media, në prezantimin e tij, ish-kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi kishte deklaruar se Ramiz Kelmendi “po i bashkohet listës fituese dhe misionit të ri për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës”, duke i premtuar edhe pozitë ekzekutive nëse kjo parti e merr pushtetin.

https://www.youtube.com/watch?v=eHuCW0LQDVQ

Ndërsa, anëtari më i ri i PDK-së, Ramiz Kelmendi, kishte thënë se ka vendosur të jetë pjesë e PDK-së, duke qenë se ka parë që në këtë parti do ta realizojë planin e tij ambicioz për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.

Ai kandidoi për deputetë në zgjedhjet e 8 qershorit 2014-të dhe u zgjodh deputetë i PDK-së.

Por me krijimin e Qeverisë së Kosovës nga PDK dhe LDK, Ramiz Kelmendi nuk mori postin e premtuar si zëvendëskryeministër.

Më vonë, ai fillojë të ndahet i pakënaqur me atë që po ofron qeveria e re. Ketë e kishte deklaruar në një intervistë për KosovaPress në janar të këtij viti.

https://www.youtube.com/watch?v=riYXgb2orh4

“Prodhuesit dhe bizneset vendore prisnin më shumë lehtësira dhe përkrahje në vitin 2015 nga Qeveria e re e Kosovës. Pritjet tregonin për gjasat e një zhvillimi ekonomik shumë më të shpejtë, duke u përcjellë me punësimin dhe zhvillim sipas parametrave që janë thënë gjatë fushatave zgjedhore. Por kjo nuk ndodhi, pati ngecje”, kishte deklaruar ndër të tjera z. Kelmendi.

Pas largimit të Hashim Thaçit nga posti i zëvendëskryeministrit dhe marrjes së pozitës së Presidentit të Kosovës, z. Kelmendi, duket se i rriten përsëri apetitet, pasi ky vend mbeti i zbrazët dhe i takonte Partisë Demokratike të Kosovës.

Por pakënaqësia e tij fillojë të rritet pasi nuk po i realizohej premtimi, arsye për të cilën Kelmendi kishte aderuar në atë parti.

Kelmendi në një intervistë të realizuar nga KosovaPress, pak para largimit, ka thënë se arsye e shkuarjes në PDK dhe kyçjes në Qeveri është se “ka menduar që kontributin dhe përvojën shumë vjeçare që ka, ta jap drejtpërdrejtë duke i menaxhuar disa ministri”.    

“Ne e kemi plotë gojën sot fjalë, zhvillim ekonomik dhe kemi premtuar 200 mijë vende të punës, dikush 120 mijë, dikush 160 mijë, ato numra i kam kuptuar seriozisht, nuk e kam kuptuar si një fushatë zgjedhore dhe se me i realizuar, ajo është e domosdoshmëri. Qytetarët kanë nevojë për ato vende të punës dhe kam menduar që me kyçjen time në këtë formë ka pasur mundësi me u realizuar më shpejtë zhvillimi ekonomik , tha Kelmendi.

https://www.youtube.com/watch?v=jecfW4FZB9I

Dhe pas përpjekjeve dhe “kërcënimi” gati dy mujor brenda PDK-së, për të marrë postin, kërcenim të bërë edhe përmes mediave, dhe pas refuzimit të po kësaj parti për t’i dhënë ketë postë, më 29 prill të këtij viti, Kelmendi jep përfundimisht dorëheqje nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kjo sipas burimeve të KosovaPress-it, kishte ardhur edhe pas një injorimi që kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i kishte bërë në një tubim të kësaj parti në Pejë ( vendlindjen e z. Kelmendi).

Pas daljes nga ky tubim, Kelmendi, duket se i shuhet shpresa për ketë pozitë dhe deklaron dorëheqjen.

Dorëheqja e z. Kelmendi, në fillim nuk ishte pranuar nga PDK. Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci mohoi raportimet se deputeti i kësaj partie, Ramiz Kelmendi, ka dhënë dorëheqje nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ai i tha KosovaPress-it se së bashku me deputetin Kelmendi pak minuta më parë dolën nga një takim, ku pretendenti për të parin e PDK-së, Kadri Veseli paraqiti kandidaturën edhe para degës së partisë në Pejë, Istog dhe Klinë.

“Nuk ka asgjë të vërtetë rreth kësaj. Zoti Kelmendi është pjesë e pandashme e Partisë Demokratike të Kosovës, ashtu siç është pjesë edhe e sukseseve të sotme të PDK-së”, tha Grabovci.

Ai kishte shtuar se përgatitja, fuqia intelektuale, si dhe përvoja e tij si ekspert i fushës së ekonomisë do të vazhdojnë të shërbejnë në kuadër PDK-së. 

Por disa minuta më vonë, kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, e kishte pranuar ketë përmes një postimi në facebook.

“Sonte u njoftova për vendimin e deputetit Ramiz Kelmendi për t'u larguar nga Partia Demokratike e Kosovës. E falënderoj për kontributin dhe bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe i dëshiroj punë të mbarë në angazhimet e tij të mëtutjeshme. Pa dyshim, bashkëpunimi ynë parimor për zhvillimin ekonomik të vendit mund të vazhdoj edhe në të ardhmen”, kishte shkruar Veseli. 

Pas dorëheqjes, Kelmendi, kishte deklaruar për media se ai ka pasur synim që të ndikojë në zhvillimin e Kosovës brenda PDK-së, por kjo i është pamundësuar.

"Më nuk jam në PDK. Sot kam dhënë dorëheqje. Arsyeja është se kjo parti nuk ka pranuar kërkesën time që të jem pjesë e Qeverisë. Unë në PDK nuk kam hy që të jem vetëm deputet. Këtë pozitë mund ta kisha me cilëndo parti, por qëllimi im ka qenë që të jem pjesë e Qeverisë", kishte thënë Kelmendi për media.

Ramiz Kelmendi, tani është deputet i pavarur i Parlamentit të Kosovës dhe se bashku me 5 deputet të tjerë nuk është pjesë e asnjë grupi parlamentar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat