Jashari optimist për kthimin e borxhit nga Serbia

Aktuale

Jashari optimist për kthimin e borxhit nga Serbia

Më: 18 shtator 2016 Në ora: 12:57
Avokati i Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari

Borxhi i shtetit të Serbisë mbi një miliard euro, ndaj 60 mijë pensionistë të shtetit të Kosovës, të cilëve që nga paslufta iu kishte refuzuar pensioni, në një kohë shumë të shpejtë do të mund të iu kthehet.

Kjo erdhi pas që Avokati i Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari pati kërkuar nga Komuniteti i Ministrave që e drejta që iu takon pensionistëve për të marrë pensionin të iu kthehet.

Jashari në një intervistë për KP është shprehur optimist që pensionet e Fondit Pensional do t’iu kthehen pensionisteve të Kosovës.

E gjithë bindja e tij bazohet në përgjigjen e fundit që ka marrë nga Komuniteti i Ministrave, si dhe besimit ndaj aktgjykimit që ka nxjerrë Gjykata Evropiane e Strasburgut.

Jashari madje tha se nuk ka ndonjë arsyeje që Komuniteti i Ministrave të vonojë qëndrimin e tij rreth ekzekutimit të rastit Guriq, i cili është duke u trajtuar.

Jashari: I besojmë përgjigjes që kemi marrë nga Komuniteti i Ministrave

“Ne i besojmë tash përgjigjes së fundit që kemi marrë nga Komuniteti i Ministrave, i besojmë aktgjykimit që ka nxjerrë Gjykata Evropiane e Strasburgut, i besojmë praktikës së deri tanishme të Komunitetit të Ministrave sepse nuk ka asnjë rast pothuajse nga Gjykata Evropiane e Strasburgut e cila nuk janë ekzekutuar. Përfundimisht ka pasur raste kur kanë mundur me u zvarrit, mirëpo, definitivisht ato janë ekzekutuar dhe ne po besojmë që me këtë rastin e fundit që pritet tash së voni të vendoset në Strasburg,  bashkërisht të trajtohet me rastin Guriq dhe që të filloj kompensimi dhe nuk ka më ndonjë arsyeje që Komunitetit i Ministrave me vonu qëndrimin e vetë rreth ekzekutimit të këtij rasti”, ka theksuar Jashari.

Por se a dihet koha e saktë apo përafrimi i kohës se kur pensionistët do të gëzojnë të drejtën e tyre, ai tha se shkresa nuk përmban afat sepse varet prej Gjykatës.

Jashari: Shkresa nuk përmban afat

“Shkresa nuk përmban afat sepse varet komplet prej Gjykatës se kur trajton rastin, nuk është çështje Komuniteti i Ministrave me ndërhy dhe me përcaktu afatin kohorë sepse thjeshtë çështje e një seanca gjyqësore që do të duhet Gjykata në Strasburg me vendos”, tha ai.

Aktgjykimi i Gjykatës Evropiane në Strasburg, lidhur me çështje e Fondit Pensional të Serbisë dhe pagesat e këtij fondi ndaj qytetarëve të Kosovës, hyri në fuqi në vitin 2013, ku nga ky vit shteti i Serbisë ka tentuar që të bëjë presion mbi Komunitetin e Ministrave.

Por Jashari tha se në vitin 2015-të, Komunitetit të Ministrave i kishte dërguar një opinion përmes të cilit kishte shprehur shqetësimin lidhur me shpjegimet që ka dhënë gjatë gjithë kohës Serbia, të cilin e kishte pranuar Komuniteti i Ministrave.

Jashari: Qeveria e Serbisë ka tentuar të bëjë presion mbi Komunitetin e Ministrave

“Qeveria e Serbisë ka tentuar të bëjë presion mbi Komunitetin e Ministrave duke dërguar opinione me të cilat ka dhënë shpjegime jo të qëndrueshme ligjore për ekzekutimin e këtij aktgjykimi, ndërsa, autoritetet kosovare nga 2013-ta nuk kanë dërguar ndonjë përgjigje të qëndrueshme në komunitetin e ministrave. Në 2015-ën, ne kemi dërguar një opinion Komunitetit të Ministrave në cilësinë e një miku të gjykatave, dhe kemi shpreh shqetësimet tona lidhur me shpjegimet që  ka dhënë gjatë gjithë kohës Serbia,pas kësaj Komuniteti i Ministrave na ka kontaktuar dhe ka pranuar këtë opinionin”, ka treguar Jashari.

Jashari më pas tregoi që Komuniteti i Ministrave është duke e trajtuar një rast ku pritet që përfundimisht të nxirret aktgjykimi nga Gjykata Evropiane e Strasburgut, rast ky nga Kosova.

Jashari: Komuniteti i Ministrave ka vendosur për një rast, e ai është nga Kosova

“Komuniteti i Ministrave ka vendosur të pres një rast tjetër që të shtrohet përfundimisht dhe të nxirret aktgjykimi nga Gjykata Evropiane e Strasburgut, dhe është rast nga Kosova. Një pensionist i cili e ka dërguar rastin atje, dhe këto dyja raste të trajtohen bashkërisht, sidoqoftë ky opinion është dërguar dhe tani është futur në proces, tash pritet vetëm rasti tjetër të përfundohet në Gjykatën Evropiane dhe Komuniteti i Ministrave do të duhet në parim me vendos për kompensime. Është me rëndësi me theksu se ky rast në vlerën monetare e kap shumën diku mbi një miliardë e 600 milionë dhe përfshinë një numër të konsiderueshëm të qytetarëve që llogariten të jenë diku 60 mijë veta”, tha Jashari.

Kthimi i Fondit Pensional pritet ta gëzojnë të gjithë ata që kanë gëzuar këtë të drejtë paraluftës, e drejtë e cila iu ndërpre pasluftës si pasojë e një qëndrimi të një anshëm të Serbisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat