Kryetarët e qyteteve shqipfolëse takohen në nëntor në Tiranë

Aktuale

Kryetarët e qyteteve shqipfolëse takohen në nëntor në Tiranë

Më: 14 shtator 2016 Në ora: 13:59
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ai i Tiranës Erion Veliaj

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ai i Tiranës Erion Veliaj e kanë përmbyllur vizitën e këtij të fundit në Prishtinë me një konferencë të përbashkët, ku kanë paralajmëruar për takimin e radhës i cili pritet të mbahet në Tiranë.

Kryetari Ahmeti tha se me Veliajn janë pajtuar të bashkëpunojnë në disa fusha derisa shtoi se për t’i konkretizuar më mirë të gjitha bashkëpunimet, duke e përfshirë edhe kryetarin e Tetovës, Preshevës dhe Ulqinit, do të takohen më 26 dhe 27 nëntor në Tiranë në një punëtori të përbashkët.

Ahmeti bëri të ditur se fusha kryesore në të cilën Prishtina e Tirana do të bashkëpunojnë është ajo e mjedisit, transportit, digjitalizimit etj.

Ahmeti: Do të takohemi për bashkëpunim të të gjithë shqiptarëve në rajon

“Pas përfundimit të kësaj e konkretizuam idenë edhe më për takimin e radhës që do ta mbajmë  bashkë edhe me Tetovën, Preshevën, Ulqinin, Prishtinën, Tiranën do me thënë më 26-27 nëntor në Tiranë ku jemi dakorduar që të jenë pesë fusha të cilat do të jenë fusha të diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave këtu e kemi përfshirë urbanizmin, informacionin apo digjitalizimin, mjedisin, transportin dhe investimet. Këto janë pesë fusha me të cilat mendoj se kemi çka mësojmë prej njëri tjetrit”, deklaroi Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se të gjitha qytetet kanë çka të mësojnë nga njëri-tjetri, por shtoi se e rëndësishme është shkëmbimi i përvojave të shteteve shqipfolëse, pasi sipas tij edhe mentaliteti është i njëjtë.

Kurse kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se është i impresionuar me zhvillimin e kryeqytetit tonë, praktika të cilat tha se do t’i zbatoj edhe në Tiranë.

Mirëpo, Veliaj u shpreh se shteteve shqiptare nuk u duhen nacionalizmat dhe titujt bombastik për bashkim kombëtar, pasi sipas tij, bashkimi kombëtar janë vet këto bashkëpunime ndërkomunale.

Veliaj: Të bashkëpunojmë me komuna shqipfolëse para se të flasim për bashkim kombëtar

“Jam shumë i impresionuar me frymën që e ke fut në komunë të Prishtinës, e kam vënë re të gjithë kolegët, nga pastruesi në shkollë deri tek kryemjeku në Qendrën Shëndetësore, tek ata që punojnë për rigjenerim urban, tek ata që janë në teren edhe besoj që kjo frymë e pasionit vlen shumë më shumë se të ardhurat, financat apo e gjithë infrastruktura që dikush mund të vendos në një punë të tillë siç është kryetari i bashkisë së komunës, kështu që të përgëzoj për këtë, edhe ka qenë ndoshta një 24 orë shumë frymëzues me këtë vizitë. Kur e menduam edhe dje në fakt në prononcimin tonë të parë pati disa pyetje që askush nuk i shpëton në Shqipëri e në Kosovë për bashkim kombëtar, për Shqipëri të madhe, pyetje legjitime, por unë them që kur ne propozuam që të bëjmë një takim të komunave ku jeton një e treta e kombit tonë në rajon, unë besoj që kjo ësht ë shumë më praktike se gjithë nacionalizmit që ne mund të dëgjojmë”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj,  është duke qëndruar në Kosovë, ku ka bërë vizita të ndryshme në kryeqytet duke marrë pjesë edhe në përurime të institucioneve të ndryshme komunale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat