Ramiz Kelmendi thërret ekspertët për tryezë shkencore në Kuqishtë

Aktuale

Ramiz Kelmendi thërret ekspertët për tryezë shkencore në Kuqishtë

Më: 12 shtator 2016 Në ora: 11:20
Ramiz Kelmendi

Për të gjetur një zgjidhje për demarkacionin, Kosovë - Mali i Zi, që ka mbetur peng tash e më shumë se një vit, deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi, i ka bërë ftesë publike edhe një herë ekspertëve të Komisionit Shtetëror Qeveritar për shënimin e vijës kufitare dhe Grupit të ekspertëve të pavarur për demarkacion, që të marrin pjesë të mërkurën e ardhshme në një tryezë shkencore në rezidencën e tij në Kuqishtë, për t’i paraqitur argumentet e tyre.

Dhe nëse ka përafrime të këtyre dy Grupeve, deputeti Ramiz Kelmendi në një intervistë për KP, tha se do ta ndërron qëndrimin për demarkacion dhe do t’i fton për herë të dytë edhe liderët partiak në Kuqishtë.

Kjo tryezë shkencore propozohet me qëllimin jo për shkak që nuk janë bërë të ditura argumentet e mjaftueshme deri më sot, por sipas Kelmendit duhet një zgjidhje për hir të qytetarëve, për hir të së ardhmes së vendit dhe liberalizmit të vizave. Po ashtu, ai tha se kjo duhet të ndodhë edhe për shkak të raporteve ndërshtetërore që duhet ndërtuar në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Kelmendi tha se pritjet e tij janë që Komisioni shtetëror, me qenë një ‘materie’ bindëse me argumente për deputetët e Kuvendit që ta votojnë demarkacionin në interes të Kosovës dhe mos të ketë, siç tha ai, nesër thirrje dhe thënie që kanë të bëjnë me patriotë dhe me tradhtar në lidhje me vijën kufitare.

Kelmendi: Ftoj edhe një herë të mbajmë një tryezë të ekspertëve

“Unë nuk desha të ndalem me këtë aktivitet, vazhdova dhe fillova përsëri nga fillimi, duke ndërtuar komunikimin me Grupin e ekspertëve kundërshtues për demarkacion, që edhe një herë të ndërtojmë një tryezë të ekspertëve shkencorë dhe në mënyrë shkencore të trajtohet. Aty të marrin pjesë vetëm Grupi i ekspertëve kundërshtues dhe Grupi i ekspertëve të Komisionit Shtetëror që të përafrohen edhe një herë dokumentet. Të prezantohen mjaftueshëm dokumentet për arsye se ato dokumente në të ardhmen nëse nuk ratifikohet në parlament, duhet të shërbejnë si material në Gjykatën e Arbitrazhit”, thotë deputeti Kelmendi.

Deputeti i pavarur, të martën do të tentoi përsëri që të kontaktoi për një takim paraprak me kryetarin e Komisionit Shtetëror Qeveritar që të koordinohet takimi për të mërkurën në rezidencën e tij. Ai pret që ky takim të realizohet, meqë ky Komision ka obligim t’i përgjigjet kësaj ftese për takim shkencor.

Kelmendi tha se nga Grupi i ekspertëve të pavarur që janë kundër demarkacionit, ka marrë pëlqimin për organizimin e tryezës në Kuqishtë, në mënyrë që të bëhet një material për liderët politik për debat pas nxjerrjes së konkluzioneve me ekspert.

Kelmendi: Komisioni Shtetëror duhet me qenë i gatshëm, e ka edhe obligim që t’i përgjigjet këtij takimi

“Normalisht, që Komisioni Shtetëror gjithmonë duhet me qenë i gatshëm, për arsye se ka edhe obligim që t’i përgjigjet këtij takimi shkencor… Unë përsëri vazhdoi të qëndroi që ai takim të mbahet në ambientet e Rugovës, për shkak se po bisedohet për atë regjion, dhe shihet rëndësia e bisedës që ata qytetarë të shohin se është duke u trajtuar me përkushtim dhe me seriozitet kjo punë. Dhe vazhdoi që ai takim të mbahet në vilën e grupit Elkos në Rugovë”, thotë Kelmendi.

Pas këtij takimi nëse ka përafrim të argumenteve ndërmjet dy grupeve, Kelmendi tha se të bëhet edhe një debat për demaskimin e kufirit edhe me liderët e partive politike. Sipas tij, kryetari i Nisma, Fatmir Limaj ka interes që Komisioni që drejtohet nga Murat Meha duhet edhe një herë t’i paraqes faktet.

Kelmendi: Nëse përafrohen ekspertët e dy Grupeve, ftojmë për një debat në Kuqishtë edhe liderët partiak

“Pas kësaj nëse ne arrijmë që t’i akordojmë apo sinkronizojmë Komisionin me Grupin e ekspertëve kundërshtues, atëherë të bëjmë me liderët politik, të cilët janë të gatshëm, edhe pse me ta kam filluar rundin e dytë të bisedave. Janë shumë të gatshëm, në takimin e parë që kam pas me Fatmir Limaj, ishte shumë konstruktiv, për arsye se kërkesa e tij ishte që duhet Komisioni t’i qet edhe një herë faktet... të ketë material shumë të besueshëm, të sinqertë për arsye se nuk kemi nevojë të dyshojmë në Grupin e Ekspertëve edhe kundërshtues edhe në Grupin e ekspertëve Shtetëror, për arsye se nuk kanë kurrë farë arsye që t’i falin tokë Republikës së Malit të Zi. Pastaj edhe vet deklarata e kryeministrit të Malit të Zi, që ne nuk jemi të interesuar me marrë as një metër tokë. Edhe këto janë dy parametra që bëjnë se duhet puna e këtyre Grupeve të jetë e besueshme dhe të jetë një material i mirë për liderët politik”, tha ai.

Deputeti Kelmendi thotë se edhe liderët politik, kanë obligim ndaj qytetarëve të Kosovës për liberalizimin e vizave dhe zhvillimin ekonomik, andaj, distancat që janë krijuar në mes të liderëve politik të përafrohen dhe të kthehen në suaza të besimit.

Kelmendi: Distancat që janë krijuar në mes të liderëve politik të përafrohen

“Liderët partiak kanë obligim ndaj qytetarëve të vet, ju keni parë qëndrimin e Bashkimit Evropian,se nuk ka liberalizim të vizave pa demarkacion. Nuk është e drejtë që ne të presim një demarkacion me vite, duke i dëmtuar qytetarët tanë, nëse ketë mund ta bëjmë shumë më herët me bashkëbisedim politik. Prandaj, edhe biseda e ekspertëve, është materie që distancat që janë krijuar në mes të liderëve politik të përafrohen dhe të kthehen në suaza të besimit...Në këtë mënyrë ne përfitojmë nga koha, nuk kemi nevojë me pritë vite të tëra për demarkacion, në mënyrë që pastaj të fitohet liberalizimi i vizave”, thotë Kelmendi.

Ai tha se demarkacioni nuk duhet të jetë një ‘mollë sherri’ në mes liderëve politik dhe këto ndasi politike të tensionohen edhe më tutje. Kelmendi tha se këto probleme ndërpartiake nuk duhet të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe të ndërhyjnë ndërkombëtarët për përafrimin e liderëve politik, por të merret një vendim meritorë për shtetin nga vetë udhëheqësitë e tij.

Kelmendi: Nuk kemi nevojë që të ketë tensione ndërpartiake

“Nuk kemi nevojë që ky tension dhe kjo ndasi politike të qëndroi me vite të tëra dhe demarkacioni të jetë ‘mollë sherri’, në mes të liderëve politik dhe kjo të ndikoi direkt në proces të zhvillimit ekonomik apo të intervenon spektri ndërkombëtar siç dimë shumë herë, në mënyrë që këta liderë politik të përafrohen dhe të sjellin një vendim që është meritorë për shtetin tonë”, thotë Kelmendi.

Deputeti Kelmendi tha se qëndrimin e tij për demarkacionin mund ta ndryshoj vetëm përafrimi i dy Grupeve të ekspertëve. Por, sipas tij, nëse këto Grupe mbeten diametralisht aq larg, duke ekzistuar një mos bindje dhe mos informim i mjaftueshëm i deputetëve, Kelmendi tha se i duhet ta mbaj qëndrimin kundër demarkacionit.

Kelmendi: Qëndrimin tim për demarkacion mund ta ndryshoj vetëm përafrimi i dy Grupeve të Ekspertëve

“Unë qëndrimin do e mbajë, përveçse, këtë qëndrim timin mund ta ndryshoj vetëm përafrimi I Grupit të Ekspertëve. Nëse Grupet e ekspertëve përafrohen me këto qëndrime dhe humb nevoja që unë të mbajë një anë jo të duhur dhe jo profesionale, sigurisht që edhe unë ndryshojë. Por, nëse këto qëndrime janë kaq diametralisht të largua dhe ekziston një mos bindje dhe mos informim i mjaftueshëm i deputetëve, mua më duhet të mbetëm në qërimin tim, për arsye se shqetësimet apo emocionet  qytetarëve të mi janë ende në nivelin  ngritur, dhe deri sa ata nuk zbresin dhe nuk binden se një demarkacion nuk është duke u bërë në dëm të qytetarëve të mi, unë mbetem me qëndrimin që nuk mund ta votoi një demarkacion pa pasur një bazë të mirë juridike dhe shkencore”, tha ai.

 Ai për fund tha se nuk është mirë që liderët politik të përdorin presione të ndryshme, që deputetët ta votojnë demarkacionin, por, kjo sipas deputetit Kelmendi duhet të ndodhë vetëm në emër të bindjes. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat