Zhbogar: Demarkacioni, kusht i veçantë për vizat

Aktuale

Zhbogar: Demarkacioni, kusht i veçantë për vizat

Më: 2 shtator 2016 Në ora: 08:37
Samuel Zhbogar

Sipas tashmë ish-Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, demarkacioni dhe prioritetizimi i rasteve të profileve të larta të korrupsionit janë dy nga kushtet që nuk janë plotësuar ende nga Kosova për lëvizje të lirë të qytetarëve.

Demarkimi i kufirit mes Malit të Zi dhe Kosovës është një çështje që duhet të zgjidhet në rrugën e Kosovës drejt liberalizimit të vizave, ka thënë Përfaqësuesi i derisotëm Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.

Sipas tij, Demarkacioni dhe prioritetizimi i rasteve të profileve të larta të korrupsionit janë dy nga kushtet që nuk janë plotësuar ende nga Kosova për lëvizje të lirë të qytetarëve.

“Në raportin e publikuar në dhjetor është thënë se Kosova ka plotësuar të gjitha rekomandimet dhe me të vërtetë kanë qenë shumë. Por janë edhe dy çështje që kanë mbetur: demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe vazhdimi i prioritetizimit të rasteve të profileve të larta të korrupsionit”, deklaroi Zbogar.

I ftuar në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Zbogar ka theksuar se demarkacioni i kufijve ka qenë një nga kushtet për liberalizim që nuk është aplikuar me vendet tjera ballkanike.

“Nga çdo proces që BE është duke bërë në rajon ne mësojmë diçka. Dhe një nga mësimet e marra është që çështjet e kufirit janë disa çështje të hapura të kufirit në rajon”, tha Zbogar për JNK.

Samuel Zbogar ka rrëfyer për punën e tij katërvjeçare në misionin në Kosovë në përfundim të mandatit të tij.

Ai deklaroi se Bashkimi Evropian tashmë inkurajon zgjidhjen e çështjeve të kufirit për të gjitha shtetet që janë në rrugën e tyre për anëtarësim në BE.

“Është marrë vendimi në BE që ne duhet të përdorim të gjitha instrumentet që kemi për t’i inkurajuar vendet që t’i zgjidhin çështjet e hapura të kufirit”, konstatoi Zbogar.

Samuel Zbogar është zëvendësuar nga Natalya Apostolova nga Bullgaria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat