VV: Pushteti po i trajton aktivistët me njësite anti – terror pa asnjë fakt

Aktuale

VV: Pushteti po i trajton aktivistët me njësite anti – terror pa asnjë fakt

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 16:24
Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media ka reaguar ndaj deklaratave të policisë lidhur me arrestimin e gjashtë aktivistëve të saj.

Vetëvendosje përmes këtij reagimi ka theksuaR se policia tashmë krejtësisht e diskredituar e Kosovës, aktivistët e arrestuar po i cilëson si terroristë.

“Ky institucion nuk i ka quajtur kështu, asnjëherë as strukturat paralele të Serbisë në Kosovë. Madje, nuk ka guxim t’i quajë kështu, as vrasësit e Enver Zymberit. Kjo polici e cila në konferencën për shtyp nuk ofroi asnjë argument për veprat të cilat i ka akuzuar dhe arrestuar aktivistët, angazhoi kundër tyre njësitet dhe drejtorinë anti-terror”, thuhet në reagimin e VV-së.

Reagimi i plotë:

Policia tashmë krejtësisht e diskredituar e Kosovës, aktivistët e arrestuar po i cilëson si terroristë. Ky institucion nuk i ka quajtur kështu, asnjëherë as strukturat paralele të Serbisë në Kosovë. Madje, nuk ka guxim t’i quajë kështu, as vrasësit e Enver Zymberit. Kjo polici e cila në konferencën për shtyp nuk ofroi asnjë argument për veprat të cilat i ka akuzuar dhe arrestuar aktivistët, angazhoi kundër tyre njësitet dhe drejtorinë anti-terror. Është hera e dytë që këto njësite anti-terror angazhohen kundër opozitës. Hera e parë ka qenë kur u bastisën zyrat e Lëvizjes, gjë për të cilën institucionet e policisë janë dënuar edhe nga organizatat ndërkombëtare si Amnesty International etj.
Derisa krimi e korrupsioni po lulëzojnë në Kosovë, territori falet e Serbia mund të kthehet, institucionet e kapura të pushtetit po e trajtojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE! si problem të Kosovës dhe nuk po ndalen së luftuari atë. Ne i bëjmë thirrje policisë që të mos flasë me gjuhën e pushtetit dhe sqarojmë se monopolin për fjalën ‘terrorizëm’ nuk e ka ky pushtet dhe nuk mund ta përdorë sipas tekeve të tij të padrejta, pa asnjë argument e pa asnjë fakt të vetëm.
Kur kishte ndodhur sulmi në drejtim të Kuvendit të Kosovës dhe kur ende nuk kishte të dyshuar, Policia këtë nuk e kishte quajtur akt terrorist, por vetëm ‘sulm me mjet shpërthyes’. Tash, që ka vendosur ta bëjë fajtore Lëvizjen VETËVENDOSJE! e përdori edhe këtë fjalë si armë përbaltëse.
Thirrja e konferencës së jashtëzakonshme për të përsëritur fjalët dhe ligjërimin e pushtetit, pa prezantuar prova, është njollosje e kundërshtarëve politikë të pushtetit dhe keqpërdorimi më flagrant i kapjes së shtetit.
Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve tanë të cilët janë krejt të pafajshëm lidhur me këtë ngjarje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat