VV: RTK vazhdon sulmet me gjuhën e Qeverisë

Aktuale

VV: RTK vazhdon sulmet me gjuhën e Qeverisë

Më: 29 gusht 2016 Në ora: 17:42
ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje sërish ka reaguar kundër një deklarate lëshuar nga menaxhmenti i RTK-së pas sulmit të mbrëmshëm me bombë dore në shtëpinë e drejtorit të RTK-së Mentor Shala.

Menaxhmenti i RTK-së me anë të një komunikate për media ka kërkuar nga partitë politike e sidomos nga Vetëvendosja për ndaljen e gjuhës së urrejtjes ndaj RTK-së.

Nisur nga kjo VV konsideron se reagimet e menaxhmentit të RTK-së duken sikur të jenë të PDK-së apo LDK-së.

Komunikata e Vetëvendosjes:

Radio Televizioni i Kosovës, me reagimet e tij tendencioze dhe përpjekjen e pasinqertë që të distancohet nga Qeveria, veçse po konfirmon se janë medium më së paku në shërbim të publikut taksapagues, dhe krejtësisht mjet propagandistik i klanit Pronto dhe Qeverisë së Kosovës.

Reagimet e Menaxhmentit të RTK’së duken sikur të jenë kumtesa të Zyrës për Media të PDK’së ose LDK’së, dhe njëzëri përpiqen që sulmet e fundit me bomba t’i lidhin me VETËVENDOSJE!-n, për shkak të kritikave të vazhdueshme nga ana jonë. Por, gjuha dhe kritikat e VETËVENDOSJE!-s në asnjë moment nuk janë kërcënuese, shantazhuese apo nxitëse. Synimi i tyre është që të bëjë thirrje për departizimin dhe çkapjen e RTK’së, dhe çdo institucioni tjetër, sepse vetëm kështu kemi funksionim të mirëfilltë të shtetit.

Sulmet me bomba dhe çdo lloj i akteve të tilla mbesin të papranueshme, sikurse mbetet e papranueshme kapja e RTK’së nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Isa Mustafa. Sulmi ndaj shtëpisë së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK’së, Mentor Shalës, mbetet i papranueshëm, por Mentor Shala mbetet njëri i kapur nga klani Pronto dhe keqpërdorues i shumëfishtë i transmetuesit publik. Si i tillë, Mentor Shala nuk duhet të jetë në krye të mediumit publik.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje RTK’së edhe një herë që të mos e luajë zëdhënësin e pushtetit, bënë thirrje që sulmet me bomba të mos përsëriten ndaj asnjë institucioni dhe kërkon hetim të menjëhershëm të tyre, dhe fare në fund, kërkon nga secili qytetar që pakënaqësinë dhe kundërshtimin ndaj kësaj qeverie ta shpreh në protestën e 1 shtatorit dhe protesta të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat