#Protestoj hap burgun “Dyz VIP”

Aktuale

#Protestoj hap burgun “Dyz VIP”

Më: 29 gusht 2016 Në ora: 11:59
Pamje nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar) - Aktivistët e #Protestoj kanë organizuar sot një aksion simbolik në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku kanë improvizuar hapjen e burgut “Dyz VIP”, për të gjithë ata që kanë bërë krime në Kosovë.

Ndërkohë, aktivisti Hekuran Sylejmani paralajmëroi për protestën e nesërme, për të cilën tha se askush dhe asgjë nuk mund t’i ndal.

Sylejmani: Nuk mund të na ndaloj as kryeministri e as kryetari i Kuvendit

“Pak kohë na ndajnë nga protesta e shtatë me radhë e cila do të mbahet nesër dhe ne si organizatorë deshëm të shprehim shqetësimin tonë për deklaratat e kryeministrit të Kosovës që janë në një vijë me ato të kryetarit të ‘Pronto’ departamentit të korrupsionit PDK-së, Kadri Veselit. Këta të dy po mundohen të na paraqesin si diçka normale atë që ka bërë Adem Grabovci, duke thënë se bordet u takojnë partive që kanë pushtet. Ky relativizëm dhe kjo formë qesharake e arsyetimit tregon se për ta kjo gjë është normale, ndërkaq për Prokurorinë puna ka filluar. Pyetja që shtrohet është: Si ka mundësi që një aktivitet normal të bëhet pjesë e hetimeve të Prokurorisë? Nëse Adem Grabovci ka vepruar drejtë, gjë që po e thotë Veseli e Mustafa, atëherë prokurorët po hetojnë veprimet e drejta të tij? Kjo është e turpshme, e frikshme dhe në njëfarë forme përgjigja e tyre ndaj nesh. Por, ne kemi përgjigje për ta: protestën e shtatë me radhë e cila do të vazhdoj derisa institucionet e pavarura të lirohen nga ky mentalitet i ulët politik”, ka thënë ai.

Kurse, aktivistja Aulonë Mehmeti tha se sot solemnisht po hapet burgu i VIP-ëve ku do të ketë vend për të gjithë politikanët tanë.

Mehmeti: Të gjithë të japin përgjegjësi

“Ne ritheksojmë nevojën që përgjegjësia penale të jetë prezentë në secilin diskutim për aferën e turpshme të Grabovcit me krerët e lartë të shteteve. Ne mendojmë se të gjithë të përfshirët dueht të japin përgjegjësi politike dhe penale. Lufta kundër pa ndëshkueshmërisë, favorizimit dhe nepotizmit do të jenë lufta jonë si qytetarë derisa institucionet tona të frymojnë lirshëm. Prandaj, sot solemnisht po ne hapim burgun “Dyz VIP” ku shumë shpejt do të futen të gjithë VIP-at e politikës së Kosovës kuptohet ata që e kanë marrë pjesë në krime sipas kodit penal të Kosovës. Dyz VIP nuk është një burg modern nga ku personat do të mund të zgjidhen kryetarë komunash apo deputetë ndërkohë që qëndrojnë brenda. Dyz VIP ndonëse tingëllon si burg i privilegjeve ai ë fakt do të jetë burg i të privilegjuarve të politikës të cilët pandershëm dhe duke rrezikuar jetët e mirëqenien tonë mbajnë pushtetin e tyre. U rime Kosovë, urime BE, urime EULEX”, ka thënë ajo.

Aktivistët thanë se burgu do të jetë i hapur derisa të hyjnë të gjithë VIP-at e politikës.

#Protestoj përuron “Burgun e Dyzit VIP”

#Protestoj e ka përuruar ''burgun e Dyzit VIP'', për të gjithë vipat e politikës në vendin tonë, të cilët sipas tyre kanë dalë nga përgjimet dhe kanë bërë krime në vendin tonë.

Organizatorët Hekuran Sylejmani dhe Aulonë Mehmeti thanë se asnjë deklaratë e kryeparlamentarit, Kadri Veselit dhe e askujt tjetër, nuk mund ta ndalojë protestën e nesërme, e cila është paralajmëruar nga aktivistët e #Protestoj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat