Nëndega e PDK-së në Rugovë i shkruan partisë, thuani jo demarkacionit

Aktuale

Nëndega e PDK-së në Rugovë i shkruan partisë, thuani jo demarkacionit

Më: 29 gusht 2016 Në ora: 11:52
PDK

Nëndega në Rugovë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), përmes një letre i kanë kërkuar kryetarit të kësaj partie, Kadri Veseli, që deputetët e PDK-së mos ta votojnë ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Nëndega e PDK-së në Rugovë kanë mbajtur takim me kryesinë e kësaj dege më 23 gusht dhe se si pikë të vetme të diskutimit, sipas dokumentit kishin çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Në letrën të cilën e ka siguruar redaksia thuhet kështu:

“Duke marrë parasysh se Komisioni për demarkacionin e kufirit nuk ka qenë transparent me banorët lokal. Asnjëherë nuk ka prezantuar vendimet e demarkacionit të kufirit në të kaluarën, aprovuar nga institucionet e atëhershme relevante. Po ashtu duke u bazuar në dy vendimet e asamblesë së Komunës së Pejës lidhur me kundërshtimet e punës së këtij Komisioni dhe duke marrë parasysh perspektivën e kësaj çështje më të rëndësishme që ka shkaktuar politizimin në mes të banorëve dhe të pushtetit aktual, kërkojmë nga kryetari i degës dhe Kryesia, e strukturat partiake në qendër, të përkrahin idenë tonë që të kërkohet nga deputetët që të mos e votojnë aprovimin e punës për demarkacion”, thuhet në letrën e nënshkruar nga shtatë anëtar të nëndegës së Rugovës.

KP, përkundër përpjekjeve, nuk ka mundur të marrë qëndrimin e krerëve të PDK-së në lidhje me kërkesën e nëndegës së PDK-së në Rugovë të Pejës. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat