Thaçi: Të pagjeturit janë plagë që duhet të mbyllet sa më parë

Aktuale

Thaçi: Të pagjeturit janë plagë që duhet të mbyllet sa më parë

Më: 29 gusht 2016 Në ora: 10:28
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, konsideron se të pagjeturit mbesin një nga plagët më të rënda që ka lënë lufta në Kosovë, ndërsa zgjidhja e fatit tyre është një nga detyrat më urgjente dhe më të rëndësishme për të gjithë.

Lufta ka lënë shumë plagë, por ajo e të pagjeturve është ndër më të rëndat, ka deklaruar Thaçi, i cili shtoi se kjo çështje rëndon familjet e të të pagjeturve por edhe tërë shoqërinë, marrëdhëniet mes komuniteteve por edhe gjasat për një të ardhme më të mirë.

“Është nevojë urgjente, detyrë humanitare, obligim i të gjithëve që sa më parë të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, deklaron Thaçi.

I pari i vendit thekson se nuk kalon ditë që nuk i kujtojmë të pagjeturit.

“Na shikojnë nga fotot e varura në rrethojën e Kuvendit të Kosovës. Na thërrasin familjet. Na i kujtojnë memorialët që i shohim rrugëve të Kosovës. Ndërkaq, në ditët si 30 gushti, zotohemi që gjithmonë, pandërprerë, do të kërkojmë dhe do të këmbëngulim që sa më parë të zbardhet fati i secilit qytetar të Kosovës, në mënyrë që familjet e të pagjeturve të gjejnë paqen e tyre”, ka shtuar Thaçi.

Ai shton se janë mu këto dhimbje që i ka shkaktuar lufta motivi ynë që të punojmë që të mos lejojmë që të përsëritet lufta por gjithmonë të ketë paqe, pajtim dhe bashkëpunim mes të gjitha komuniteteve.

Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur është nesër më 30 gusht. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat