Listat e veteranëve mund t’i nënshtrohen kritereve shtesë

Aktuale

Listat e veteranëve mund t’i nënshtrohen kritereve shtesë

Më: 27 gusht 2016 Në ora: 12:32
Ilustrim

Gjatë muajit shtator do të vendoset nëse do të formohet Komision i ri për rishqyrtimin e listave të veteranëve të UÇK-së, të ulen përfitimet e atyre që janë pjesë e listave aktuale apo të vendosen kritere shtesë si për shembull: gjendja sociale, mosha, etj.

Një gjë të tillë KosovaPress e ka mësuar nga burimet e saja brenda ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Megjithatë, ministri që e drejton këtë ministri, Arban Abrashi, nuk e ka pranuar një gjë të tillë. Ai tha se “jemi në konsultime të brendshme”.

Përndryshe, rishikimi i listave të veteranëve dhe kategorive tjera të dala nga lufta është kërkuar edhe nga disa përfaqësues të organizatave të dala nga lufta me arsyetimin se listat janë keqpërdorë.

Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, ka thënë se Komisioni që i ka hartuar këto lista nuk e ka kryer punën siç duhet.

Qeriqi: Komisioni nuk e ka kryer punën siç duhet

“Ne kemi reaguar sepse ky komision nuk e ka kryer punën qysh duhet, do të thotë nuk ka ndodh verifikimi i veteranëve të luftës por ka ndodh shtimi i veteranëve të luftës dhe kemi reaguar. Kemi kërkuar një verifikim të pavarur që gradualisht të hetohen këto lista dhe të pastrohen ata njerëz të cilët padrejtësisht po na dëmtojnë edhe neve si veteran të luftës me buxhet, po ashtu po e dëmtojnë edhe taksapaguesin e këtij vendi të cilët po paguajnë taksa për ta edhe pse fare nuk kanë qenë në luftë dhe po përfitojnë nga ta”, ka deklaruar ai.

Image
Xhevdet Qeriqi

Qeriqi ka thënë se për t’i verifikuar këto lista mund të bëhet një auditim i pavarur në mënyrë që të pastrohen listat, pasi sipas tij, në kontakte me qytetarë është vërejtur se ka shumë dyshime për këto lista.

Qeriqi: Nuk do të lejojmë të bllokohen pensionet

“Ne për t’i verifikuar këto lista kemi kërkuar një auditim të pavarur në mënyrë që të pastrohen këto lista, nuk mundet ky komision tash t’i pastroj këto lista sepse janë vet anëtarët e këtij komisioni të cilët i kanë fryrë listat. Mirëpo, në këtë rast, nuk po shihet një vullnet nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, kanë probleme me FMN-në, është çështje e tyre, ne në asnjë mënyrë nuk do të pranojmë që pensionet e veteranëve të bllokohen sepse është që qeveria vet i ka fryrë këto lista”, është shprehur ai duke shtuar se Komisioni i ri do të duhej të përbëhej nga shoqëria civile, pjesëtarë të luftës, por edhe anëtarë nga shoqatat e dala nga lufta.

Edhe sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka thënë për KP se listat e veteranëve të nxjerra nga Komisioni qeveritar janë të fryra.

Ai thotë se me këtë çështje do të duhej të merrej drejtësia.

Klinaku: Drejtësia ta vërtetoj nëse ka keqpërdorime në lista

“Komisioni i verifikimit të këtyre listave ka qenë shtetëror dhe shteti mund edhe ti verifikoj përsëri, është çështje shtetërore do me thënë komision shtetëror i cili do të mund ti verifikonte përsëri ato lista. Dhe ne si organizatë e Veteranëve kemi konsideruar që me të vërtetë kanë qenë të fryra mirëpo ata ndërhyrjet në pensione që i marrin veteranët nuk mund ti bëjnë për arsye se ligji atyre ua përcakton. Sa i përket verifikimit mund të bëjnë por më shumë është me të thënë të drejtën çështje e organeve të drejtësisë që të merren sepse aty këtu ka edhe shkelje ligji ose manipulimi të atij procesi”, ka deklaruar ai.

Image
Faton Klinaku

Sipas Klinakut, numri i veteranëve të paraqitur në lista është i dyfishuar.

Klinaku: Numri i veteranëve është i dyfishuar

“Natyrisht që mendojmë se në bazë të asaj që ne e dimë dhe të listave që i kemi pas para luftës është shifër e dyfishuar dhe ligji i përcakton veteranët, luftëtarët, veteranët pjesëtarë, veteranët pjesëmarrës, natyrisht që konsiderojmë që është bërë shkelje e ligjit sepse nëse dikush nuk e ka përfunduar luftën nuk mund të jetë veteran luftëtarë. Nëse Kuvendi i Kosovës e ndryshon ligjin atëherë është çështje tjetër, ajo është çështje e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të ndryshojnë ligjin, Qeveria nuk mund të ndryshoj ligjin, mund të propozoj mirëpo fryrje të listave e konsiderojmë që ka, dhe natyrisht që ata mund. Krahas kësaj ata duhet tua vazhdojnë atyre të drejtat e veteranëve që i kanë, sepse Qeveria e Kosovës, ministritë e ndryshme, nuk janë duke e zbatuar ligjin si duhet, sepse ata ende nuk i kanë nxjerrë as aktet nënligjore që duhet t’i kishin me të drejta benificionet veteranët e luftës si në shëndetësi, si në arsim, si në çështje tjera. Dmth nuk kanë bërë ende asgjë në këtë drejtim përveç atyre benificioneve që unë mendoj që duhet të kontrollohen”, është shprehur ai.

Mirëpo, Klinaku ka shtuar se komision tjetër nuk mund të ketë, pasi sipas tij UÇK nuk ka komandantë tjerë.

Ai tha se komandantët që i kanë përpiluar listat duhet me qenë të kujdesshëm dhe t’i përcaktojnë kategoritë në bazë të ligjit dhe nëse është bërë ndonjë lëshim të përmirësohet. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat