Demarkacioni tendencë për moslejimin e funksionalizimit të Gjykatës Speciale!

Aktuale

Demarkacioni tendencë për moslejimin e funksionalizimit të Gjykatës Speciale!

Nga: Mimozë Lakna Më: 25 gusht 2016 Në ora: 13:28
Selia e Gjykates Speciale

“Sulmet që po ndodhin ndaj institucioneve te ndryshme, duhet të zbardhen nga organet e rendit, se kush fshihet prapa këtyre sulmeve, në mënyrë që mos të ketë spekulime rreth sulmuesve të mundshëm. Kjo është detyrë e organeve të rendit dhe Qeverisë së Kosovës zbardhjen e këtyre sulmeve, sepse Gjykata Speciale edhe pse me zvarritje do të fillojë punën, dhe ajo punë ka marrë fund”, ka potencuar Krasniqi.

Derisa vëmendja më e madhe gjatë këtyre ditëve i është kushtuar çështjes së ratifikimit të marrëveshjes për përcaktimin e Demarkacionit të Kufirit me Malin e zi, një çështje tjetër shumë me rëndësi e pret Kosovën në një të ardhme të afërt.

Bëhet fjalë për konsolidimin e Gjykatës Speciale, e cila pritet të ndodhë deri në fund të këtij viti.

Nga ana tjetër, zërat kundërshtues të çështjes së Demarkacionit të Kufirit me Malin e zi, sipas analistëve mund të jenë edhe si tendencë për ta zvarritur themelimin e Gjykatës Speciale.

Sipas analistit Skënder Zogaj, mafia po bën përpjekje për moslejimin e funksionalizimit të Gjykatës Speciale, dhe kjo insistohet duke sulmuar institucionet shtetërore.

”Demarkacioni dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe janë dy probleme tepër të mprehta provuese të koshiencës shtet formuese të klasës politike dhe popullit të Kosovës, që në kohën e robërisë kanë thënë, Serbia nuk po na len që të tregojmë sa të mirë, sa të drejtë, sa të aftë dhe sa të zotët jemi për t'u vetëqeverisur, pra se jemi të denjë për të qenë të një vend i pavarur. Mirëpo, tash, 17 vjet pas luftës, Kosova dhe shtetasit shqiptar të saj po dëshmojnë të kundërtën, atë që e kanë thënë armiqtë, se shqiptarët janë njerëz më bisht dhe të padenjë për të qenë të lirë e të pavarur, sepse nuk kanë aftësi për t'u vetëqeverisur. Gjendja aktuale e Kosovës është dëshmi e padiskutueshme, një kaos ku të gjithë flasin duke u përpjekur të tregojnë mençurinë, e thonë asgjë të mençme, Flasin të gjithë, aq sa më nuk ka kush i dëgjon. Demarkacioni dhe Asociacioni jo rastësisht janë problematizuar, sepse, janë dy çështjet shumë të ndjeshme për ta mjegulluar tërësisht situatën dhe, për të krijuar mundësi për gjueti ujkut! Pra, llava e ujqërve të tërbuar është sajuesja e krizës, sepse e ka të qartë se, nëse situata kthjellet, do të dalin në shesh të këqijat e bëra, krimet, dhunimet, shantazhet, korrupsioni, kontrabanda, tradhtia... dhe, domosdo që duhet të jepet llogari. Deri tash është shantazhuar drejtësia nga bosët e krimit, e tash kur, bashkësia ndërkombëtare ka diktuar Gjykatën Speciale, mafia po bën përpjekje për moslejimin e funksionalizimit të Gjykatës, dhe kjo insistohet duke sulmuar institucionet shtetërore. të cilat nuk janë për "mashalla", mirëpo edhe ibretët e dinë se, rrënimi i tyre është vet shkatërrim i vendit”, ka thënë Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Demarkacioni dhe Asociacioni janë çështje të rëndësishme dhe mafia pikat e ndjeshme i shfrytëzon për të realizuar synimet e saja.

“Gjykata Speciale është një shans i mirë për shtetin e kapur dhe popullin e ngulfatur të Kosovës, që nëse Gjykata nuk e hap "kutinë e pandorës", na presin kohë të këqija”, ka nënvizuar ai.

Mirëpo, analisti Adlum Ramadani, konsideron se mosvotimi i Demarkacionit me 1 shtator, nuk mund të ketë efekt në funksionalizmin e Gjyaktës Speciale, pas e njëjta tashmë po shkon drejt funksionalizmit. “Mos votimi i demarkacionit nga deputetet më 1 shtator nuk konsideroj se mund të ketë efekt në procesin e funksionalizimit të gjykatës speciale, pasiqë ajo tashmë ka hyre në fazën përfundimtare dhe shumë shpejt do të finalizohet, çdoherë duke marre parasysh hapat me të cilat është duke i ndjekur”, ka theksuar Ramadani.

Sipas tij, sulmet ndaj institucioneve dhe kujtdo qofte assesi se nuk mund të ndikojnë në pengimin për fillimin e punës së gjykatës speciale mirëpo sigurisht se mund të ndikojnë në shpërqendrimin e mendjes se popullatës nga ngjarjet aktuale.

“Assesi se nuk mund të konkludojme se këto sulme vijnë nga njëra palë apo tjetra përderisa organet e drejtësisë nuk e thonë një gjë të tille, pasiqë poqese ndjekim hapat e spekulimeve atëherë padyshim se përmes tyre mund të krijojmë konflikte mes palëve të cilat ne fund mund të përfundojnë me pasoja”, ka potencuar ai.

Kurse, sipas analistit Faik Krasniqi, Demarkacioni është një test i madh i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, se sa janë të gatshëm t'i mbrojnë interesat nacionale.

“Sepse Demarkacioni me Malin e Zi nuk është në rregull, dhe si i tillë nuk guxon kurrsesi të votohet. Këtë po e konfirmojnë madje edhe deputetët e LDK-së. Demarkacioni dhe Gjykata Speciale nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, sepse e para është çështje që ka të bëjë me interesat nacionale të Kosovës, dhe duhet të zgjidhet me një konsensus ndërmjet të gjitha partive, në mënyrë që Kosova mos të humb territor nga kjo Marrëveshje, qoftë edhe duke e dërguar në Arbitrazh Ndërkombëtar”, ka theksuar ai.

Nga ana tjetër sipas tij, Gjykata Speciale është një çështje që është votuar në Kuvend dhe nuk ka shpëtim, edhe nëse dikush ka për tendencë zvarritjen e saj.

“Sulmet që po ndodhin ndaj institucioneve te ndryshme, duhet të zbardhen nga organet e rendit, se kush fshihet prapa këtyre sulmeve, në mënyrë që mos të ketë spekulime rreth sulmuesve të mundshëm. Kjo është detyrë e organeve të rendit dhe Qeverisë së Kosovës zbardhjen e këtyre sulmeve, sepse Gjykata Speciale edhe pse me zvarritje do të fillojë punën, dhe ajo punë ka marrë fund”, ka potencuar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat