Fëmijët që mori dhe la pas tërmeti në Itali, ja historitë tronditëse

Aktuale

Fëmijët që mori dhe la pas tërmeti në Itali, ja historitë tronditëse

Më: 25 gusht 2016 Në ora: 08:33
Amatrice

Në tmerrin që përfshiu në orët e para të së mërkurës Italinë, lëkundjet e forta morën jetën e shumë fëmijëve, mes më shumë se 247 viktimave që u gjetën nën mbetjet e ndërtesave të shembura.

Më e vogla prej tyre ishte tetëmuajshe. Një foshnje që vdiq në ambulancë pak pasi ishte nxjerrë në sipërfaqe. Histori të shumta tronditëse të fëmijëve të tërmetit.

Në Amatrice, fati tragjik ka goditur dy binjakë nga 6 vjeç: Simone u nxor i gjallë, edhe pse i dëmtuar rëndë nga gurët që i kishin rënë mbi trup, ndërsa vëllai i tij, i nxjerrë në sipërfaqe pak minuta më vonë, nuk kishte mbijetuar.

Në fshatin e vogël të Pescara del Tronto, i cili u shkatërrua nga tërmeti, u vranë edhe dy fëmijë romakë. Ndërsa një burrë ishte hedhur nga dritarja me vajzën e tij për të shpëtuar dhe, për fat të mirë, të dy ishin në gjendje të largohen nga fshati.

Një tjetër fëmijë u vra në Sommati. Ndërsa dy vëllezër të moshës 14 dhe 12 vjeç kanë vdekur në vend, në Amatrice. U nxor pajetë, po ashtu edhe trupi i babait të tyre, Ezio Tulli, 42 vjeç, asistentshef i Policisë së Trafikut në Shërbim në Aprilia. E padëmtuar mbeti nëna e tyre, edhe ajo police. Edhe kjo familje ishte me pushime në fshatin e Rietit.

Fqinjët në shtëpitë nga nxirren trupa të pajetë përpiqen të ndihmojnë duke instruktuar punëtorët e shpëtimit se ku mund të ketë njerëz:

“Këtu ka pasur gjashtë njerëz nga Rieti. Ata ishin këtu për pushime. Ata do të largoheshin nga java. Ka pasur dy vajza, rreth 12-14 vjeç, prindërit dhe gjyshërit. Vajzat ishin të vetmet që mbijetuan. Kanë humbur prindërit dhe gjyshërit e nënës”, tha një dëshmitare, Giuseppina Campesi, me banim në Amatrice. Në qytetin e vogël ata kërkojnë shenja jete në shtëpi edhe me mjete që të marrin sinjale të zbehta që mund të japin shpresë. Ka edhe histori me fund të bukur.

Një gjyshe ka arritur të shpëtojë të dy nipërit e saj duke i futur poshtë krevatit sapo kanë nisur lëkundjet, në qendër të Italisë. Dy vëllezërit, 6 dhe 4 vjeç, Leone dhe Samuele, janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat në Arquata del Tronto, e cila është pothuajse e shkatërruar tërësisht nga tërmeti.

Pas lëkundjeve të para ajo ka marrë dy fëmijët dhe i ka futur poshtë krevatit, duke i mbuluar më pas edhe me trupin e saj për t’i mbrojtur. Punëtorët e shpëtimit i kanë gjetur nën rrënoja, të lënduar, por gjallë.

I kanë nxjerrë prej aty duke u hequr gurët e ndërtesës një e nga një. Më pas kanë nxjerrë edhe gjyshen e tyre, Vitaliana. Ndërsa bashkëshorti i saj nuk kishte mbijetuar. Një xhaxha i fëmijëve tha se fëmijët ishin marrë të dielën nga Fregene (Romë) ku banojnë me prindërit, Francesca e Mauro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat