Këto janë tërmetet më të fuqishme që kanë goditur Italinë në shekullin e 20-të

Aktuale

Këto janë tërmetet më të fuqishme që kanë goditur Italinë në shekullin e 20-të

Më: 24 gusht 2016 Në ora: 11:58
Qyteti Amatriçe

“Një e treta e qytetit nuk ekziston më”, ka thënë për mediet italiane kryetari i Amatriçes, një prej qyteteve më të më goditura nga tërmeti i mbrëmshëm prej 6.2 shkallë të Rihterit në Itali.

Numri i viktimave po rritet vazhdimisht, ndërsa shifra e fundit është që së paku 21 persona e kanë humbur jetën.

Kryetari i qytetit të vogël, Amatriçe, Sergjio Piroci, i ka thënë televizionit publik italian, RAI, se ata ende po dëgjojnë zëra nën rrënojat e objekteve të shkatërruara, që do të thotë se ende ka mundësi të gjenden njerëz të gjallë.

Qëllimi tash është “që të shpëtojmë sa më shumë jetë. Ne ende po dëgjojmë zëra nën rrënoja, duhet të shpëtojmë njerëzit”, ka thënë ai.

Qytetet tjera më të goditura janë edhe Akumoli, Posta dhe Arkuata del Tronte.

Në këto qytete është ndërprerë energjia elektrike, ndërsa së paku në Amatriçe duhet pritur ardhja e pajisjeve të rënda që të pastrohen rrënojat për të liruar rrugët.

Në qytetin tjetër, Akumoli, nën rrënojat e një objekti banimi është gjetur e gjallë një familje katër anëtarëshe, ka thënë kryetari i këtij qyteti, Stefano Petruçi për mediet italiane, transmeton BBC.

“Tash, gjatë ditës po e shohim se situata është shumë më e rëndë se sa që e kemi menduar. Ndërtesat janë shkatërruar, njerëzit gjenden nën rrënoja dhe tek ne nuk ka shenja jete”, ka thënë më tej Petruçi.

Ndërkaq, korrespondenti i agjencisë së lajmeve, Reuters, raporton se spitalet e qyteteve janë të tejmbushura dhe se pacientët po trajtohen edhe në rrugë.

Dridhja e tokës ka filluar në orën 03:36 të mëngjesit, duke e goditur pjesën qendrore të Italisë, ndërsa dridhjet janë ndjerë edhe në kryeqytetin Romë.

Të dhënat e para për fuqinë e dridhjeve kanë qenë të ndryshme, varësisht prej burimit. Qendra Sizmologjike Evropiane raporton se dridhja e tokës ka qenë e fuqisë 6.1, ndërsa Instituti Gjeologjik Amerikan vlerëson se tërmeti ishte i fuqisë 6.2 shkallë të Rihterit. Epiqendra e tërmetit ka qenë 170 kilometra në pjesën verilindore të Romës, ndërsa thellësia e dridhjeve ka qenë 10 kilometra.

Kryeministri i Italisë, Mateo Renzi, ka thënë se pajisjet e rënda tashmë janë nisur për në qytetet e dëmtuara më së shumti nga dridhjet e tokës.

Më poshtë po japim edhe tërmetet më të mëdha në Itali prej fillimit të shekullit të 20-të:

28 dhjetor 1908 – Mbi 82 mijë njerëz janë vrarë gjatë tërmetit prej 7.2 shkallë të Rihterit, duke e rrënuar pothuajse tërësisht qytetin më të madh sicilian, Messina.

13 janar 1915 – Rreth 32, 600 persona e kanë humbur jetën gjatë tërmetit prej 7.0 shkallë të Rihterit në Italinë qendrore.

17 korrik 1930 – Dridhjet e fuqisë 6.5 e kanë goditur rajonin Irpinia në Italinë jugore, duke vrarë rreth 1,400 persona.

6 maj 1976 – Tërmeti me fuqi 6.5 e trondit Friulin në skajin verilindor të Italisë, duke vrarë 976 persona dhe duke lënë 70 mijë të tjerë pa kulm mbi kokë.

23 nëntor 1980 – 2,735 njerëz janë vrarë dhe mbi 7,500 të tjerë janë lënduar në tërmetin e shkallës 6.5. Epiqendra ishte në Eboli, por dëmet më të mëdha janë raportuar në Napoli.

13 dhjetor 1990 – Tërmeti me epiqendër në Siri vret 13 persona dhe lëndon 200 të tjerë.

26 shtator 1997 – Dy tërmete të shkallës 6.4 vrasin 11 persona dhe shkaktojnë dëme serioze në Bazilikën e Shën Françeskut në Asisi

17 korrik 2001 – Tërmeti i shkallës 5.2 në rajonin e Italisë veriore merr jetën e një gruaje.

31 tetor 2002 – Një tërmet i shkallës 5.9 e godet Campobason në Italinë jug-qendrore, duke vrarë 30 njerëz, shumica e të cilëve fëmijë.

6 prill 2009 – Një tërmet i fuqishëm e godet Abruzon, në Romën lindore. Dridhja e tokës merr jetën e mbi 300 personave dhe shkakton dëme të mëdha në qytetin e shekullit të 13-të, Akuila.

29 maj 2012 – Më shume se 16 persona vriten dhe 350 të tjerë lëndohen në tërmetin e dytë të madh që e godet rajonin e Modenës në Italinë veriore. Një tërmet i nëntë dite më parë kishte vrarë 10 persona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat