Katër S-të serbe në pllakën e Ambasadës

Aktuale

Katër S-të serbe në pllakën e Ambasadës

Më: 22 gusht 2016 Në ora: 17:10
Pllaka Ambasadës

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme pllaka e ambasadës së Kosovës në Paris është vandalizuar me simbole nacionaliste serbe.

Në një njoftim të kësaj ministrie thuhet se sot punonjësit e ambasadës në kryeqytetin francez e gjetën të dëmtuar pllakën në hyrje të ndërtesës ku ata punojnë.

“[Pllakata] është vandalizuar me simbole nacionaliste serbe të kohës së Millosheviqit dhe ekstremistëve e nacionalistëve serbë,” tregon MPJ-ja me anë të një komunikate.

Ministria duke e dënuar këtë akt u kërkon autoriteteve franceze të zbulojnë kryerësit.

“Ministria e dënon këtë akt barbar që është jashtë çfarëdo standardi dhe rregulli diplomatik dhe ka kërkuar nga autoritetet kompetente të sigurisë në Francë t’i gjejnë fajtorët të cilët duhet të marrin dënimin e merituar,” thuhet në komunikatë.

Ministria e Punëve të Jashtme thotë se me këto akte sulmuesit po tentojnë të mbjellin frikë te stafi diplomatik i Kosovës.

“Ky nuk është rasti i vetëm që Ambasada e Kosovës në Paris ka qenë cak i vandalistëve të cilët propagandojnë dhe përpiqen të ndjellin frikë tek trupi diplomatik i Kosovës në këtë shtet. MPJ zotohet se i gjithë shërbimi diplomatik nëpër botë do të vazhdojë ta kryejë punën e tij në mënyrë profesionale dhe në shërbim të interesave të qytetarëve të saj, pavarësisht kërcënimeve e shantazheve, përfundon reagimi i MPJ-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat