Thaçi përsëri flet për demarkacionin, ka një kërkesë për të gjithë!

Aktuale

Thaçi përsëri flet për demarkacionin, ka një kërkesë për të gjithë!

Më: 20 gusht 2016 Në ora: 14:20
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një videomesazhi ku ditë më parë iu drejtua popullit dhe foli për rëndësinë që ka çështja e Demarkacionit dhe ratifikimi i tij, ai sot ka folur përsëri për këtë çështje.

Ai kërkon që të mos dëgjohen pretendimet siç thotë ai, të rreme të akterëve politikë, që për përfitime të ngushta personale e partiake janë të gatshëm të rrezikojnë interesat e shtetit, integrimet euroatlantike dhe aleancën strategjike.

Sipas presidentit Thaçi, interesi shtetëror dhe përfitimet që ka Kosova nga ratifikimi, nuk lënë hapësirë për dilema dhe kauza të rrejshme politike.

Lexo të plotë postimin e tij në Facebook:

Të dashur miq,

Pak ditë na ndajnë nga votimi i marrëveshjes së demarkacionit, ku do të na jepet sërish mundësia të dëshmojmë se jemi shtet serioz që përmbushim angazhimet e marra dhe jemi popull mirënjohës e besnik ndaj aleatëve tanë strategjik.

Unë ju ftoj të gjithëve të keni besim tek institucionet e Kosovës dhe tek këshillat e partnerëve tanë euroatlantik.

Mos dëgjoni pretendimet e rreme të akterëve politikë, që për përfitime të ngushta personale e partiake janë të gatshëm të rrezikojnë interesat e shtetit, integrimet euroatlantike dhe aleancën tonë strategjike.

Demarkacioni i kufijve me konsensus bilateral, siç e ka bërë Kosova me Malin e Zi, është një arritje e madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të një shteti, pasi kufijtë e pakontestuar garantojnë paqen, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë.

Me këtë marrëveshje, Kosova çimenton tre nga katër kufijtë e saj shtetëror në mënyrë konsensuale dhe të pranuar ndërkombëtarisht e pastaj mbetet vetëm demarkacioni i kufirit me Serbinë, i cili në kuadër të integrimit evropian, në një të ardhme të afërt do të jetë i pashmangshëm për këtë shtet.

Prandaj, ratifikimi i marrëveshjes është interes shtetëror dhe i domosdoshëm për vizionin tonë euroatlantik.

Në aspektin afatshkurtër, ratifikimi i demarkacionit mundëson thyerjen e izolimit, pra lëvizjen pa viza dhe gjithashtu formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe fillimin e procesit zyrtar për anëtarësim në NATO.

Interesi shtetëror dhe përfitimet që ka Kosova nga ratifikimi, nuk lënë hapësirë për dilema dhe kauza të rrejshme politike.

Këtë gjë tashmë e kanë kuptuar shumica dërmuese e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët kanë shprehur zotimin e tyre se do ta votojnë marrëveshjen pavarësisht kërcënimeve dhe shantazheve. HTH

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat