VV: Isa shërbëtor tipik i Thaçit, deklaratat e Bidenit nuk e ndryshojnë Demarkacionin

Aktuale

VV: Isa shërbëtor tipik i Thaçit, deklaratat e Bidenit nuk e ndryshojnë Demarkacionin

Më: 19 gusht 2016 Në ora: 16:57
Vetëvendosje

Thirrjet e kryeministrit Isa Mustafa, që deputetët ta votojnë demarkacionin mbeten të çuditshme për partitë opozitare, sipas të cilave Mustafa po mundohet ta shpëtojë Hashim Thaçin, i cili e ka nënshkruar marrëveshjen për Demarkacionin.

Frashër Krasniqi nga VV thotë se Isa Mustafa është bërë shërbëtor tipik i Hashim Thaçit.

Krasniqi: Isa shërbëtor i Hashimit

 “Për mua është e çuditshme pse Isa  Mustafa me insistim kaq të madh, po mundohet me shpëtu Hashim Thaçin. Marrëveshja e Demarkacionit është e lidhur ngushtë me fatin personal të Hashim Thaçit. Sepse ai e ka nënshkruar. Kurse Isa Mustafa është bërë një shërbëtor tipik i Hashim Thaçit  dhe me çdo kusht po mundohet të bëjë presion dhe t’i kërcënojë deputetët  dhe opozitën,  në mënyrë që me kalu këtë Demarkacion. Ani pse ne e kemi parë më 3 gusht edhe më herët edhe më vonë, se të gjitha faktet e ekspertëve të pavarur dhe banorëve, janë në anën e atyre që po e kundërshtojnë këtë formë të demarkacionit. Për çështjen e asociacionit e kemi  edhe vendimin e gjykatës kushtetuese. Tashmë nuk është relevante nëse është pakicë apo shumicë, por është vendim i gjykatës kushtetuese që kjo është në shpërputhje me kushtetutën e Republikë s së Kosovës”, tha Krasniqi.

 Ndërsa sa i përket deklaratave të zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden,  Krasniqi thotë se në asnjë moment Biden nuk e ka kushtëzuar Demarkacionin dhe asnjë marrëveshje tjetër me mbështetjen e Amerikës për Kosovën.

Sipas tij deklaratat e Bidenit nuk e bëjnë as më të mirë dhe as më të keq Demarkacionin dhe as Asociacionin dhe se Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë t’i kundërshtojë fuqishëm.

Krasniqi: Deklaratat e Biden nuk e ndryshojnë Demarkacionin, do ta kundërshtojmë  me çdo kusht

“Joe Biden në asnjë moment nuk e kushtëzoi mbështetjen amerikane  me këto marrëveshje. Ai tha se duhet të miratohen këto marrëveshje se janë të mira, sepse mendoj ai e ndjek linjën zyrtare dhe kështu e kanë informu këta gabimisht. Po në asnjë moment nuk tha që mbështetja amerikane është e kushtëzuar me miratimin e këtyre marrëveshjeve. Ai tha se Amerika do ta mbështes Kosovën pavarësisht.....Deklarata e Biden nuk e bën as më të mirë as më të keq demarkacionin. Kosova vazhdon me i humb mbi 8 mijë hektar nëse nënshkruhet ky demarkacion, pavarësisht deklaratës së z. Biden. Kosova vazhdon të rrezikohet nga krijimi i një republike serbe brenda territorit tonë, nëse miratohet asociacioni pavarësisht deklaratave të kujtdo qoftë. Prandaj ne nuk mund të ndryshojmë mendje, sepse në pyetje është e ardhmja e fëmijëve tanë. Në pyetje është e ardhmja e territorit dhe republikës son ë, prandaj ne do t’i kundërshtojmë me çdo kusht”, thotë Krasniqi.

Ndërsa Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën tha për KosovaPress se kryeministri Mustafa po të kishte pak ndërgjegje do të jepte dorëheqje e jo të ketë një Qeveri jolegjitime, e cila vazhdon të bëjë pazare duke i rehatuar nëpër pozita bashkëpartiakët e vet.

“Sa i përket deklaratës së kryeministrit, ai po të kishte ndërgjegje qysh nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, do të dorëhiqej, pasi që vendimi i Gjykatës e shpalli në kundërshtim në 23 nene të saj Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Edhe në ditët e sotme kemi një Qeveri jolegjitime dhe si e tillë po bën gabime, pazare vetëm e vetëm t’i rehatojë bashkëpartiakët dhe për asnjë moment nuk po mendon për vendin dhe për qytetarët. Prandaj, ‘Nisma’ nuk është kundër krijimit të një Asociacioni, por ai s’duhet të jetë ashtu siç është ai aktual, dhe assesi një të tillë me kompetenca ekzekutive”, tha Bajrami.

Ndërsa sa i përket çështjes së Demarkacionit dhe deklaratave të Biden ajo thotë se  zëvendëspresidenti kërkoi që ky proces të përfundojë, por nuk ka thënë se duhet të përfundojë me versionin aktual.

“Atë e kemi thënë edhe ne por jo në versionin aktual. Ne kemi deklaruar se jemi për demarkim por ai duhet të rishikohet pra të rifillohet nga pika zero dhe të merren parasysh rekomandimet nga ekspertët. Sepse komisioni qeveritar ka bërë gabime të cilat Kosovës do ti kushtojnë me humbjen e mbi 8200 hektarëve”, tha Bajrami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat