Mustafa: Deputetët të votojnë demarkacionin, nuk humbim territor

Aktuale

Mustafa: Deputetët të votojnë demarkacionin, nuk humbim territor

Më: 19 gusht 2016 Në ora: 10:07
Mbledhja e Qeverisë

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka njoftuar kabinetin qeveritar, lidhur me vizitën e Joe Biden në Kosovë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konsiderojnë se marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, është shumë e qartë dhe se kjo duhet të procedohet më tej.

Mustafa në mbledhjen e Qeverisë tha se insistimi i një pjesë, që Kosova po humb territor me shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, është i paqëndrueshëm.

Mustafa:  Nuk e humbim asnjë pëllëmbë toke

“Qeveria konsideron se Kosova nuk humb asnjë pëllëmbë tokë me marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi, të cilin e ka administruar në kushtet mbi të cilat është shpallur pavarësia e saj. Vlerëson lartë përkushtimin e SHBA-së për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje dhe ekspertizën e Departamentit të Shtetit. Besimi i qytetarëve të Kosovës për SHBA-të është i madh dhe i palëkundur, prandaj, Qeveria beson shumë se deputetët do të veprojnë në harmoni me strategjitë, të cilat i kemi ndërtuar dhe po i ndërtojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çdo veprim tjetër nuk është në interes të Kosovës, të sovranitetit të saj dhe të integritetit territorial”, tha ai.

Përderisa vizitën e Biden i pari i Qeverisë, e ka cilësuar historike, ka thënë se kjo edhe dëshmon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën. Ai duke folur për takimin me Biden tha se kanë biseduar edhe për nevojën e ngritjes së zhvillimit ekonomik, forcimin e shtetit ligjor dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Mustafa shtoi se Qeveria do të angazhohet në reformat e zhvillimit ekonomik dhe zvogëlimin e papunësinë, ndërsa, toleranca ndaj korrupsionit do të jetë zero.

Mustafa: Pranuam porosi të qarta nga SHBA-të

“Pranuam porosi të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë përkrahëse e madhe e Kosovës por se kjo përkrahje do të jetë në varësi se si Kosova i përmbush këto detyrime ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe ndaj pjesës më të madhe të qytetareve të saj, të cilët kërkojnë zhvillim ekonomik, kërkojnë rend dhe ligj, kërkojnë anëtarësim në institucionet e BE-së dhe lëvizje të lirë, sikurse edhe qytetarët e tjerë evropian. Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i konsiderojë me seriozitetin më të lartë porositë të cilat i morëm nga zëvendëspresidenti Biden, që në fakt, siç u tha edhe nga ai vetë prezantojnë porositë dhe qëndrimet edhe të presidentit të SHBA-së, të cilin ai e zëvendëson. Qeveria me prioritet të fuqishëm do të angazhohet në reformat të cilat krijojnë zhvillim dhe prosperitet ekonomik, zvogëlojnë papunësinë, forcojnë qëndrueshmërinë makro-ekonomike dhe buxhetore dhe integrojnë vendin tonë në tregun evropian dhe atë botëror. Qeveria do të mbështesë të gjitha institucionet relevante të vendit në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, prandaj, toleranca e Qeverisë ndaj korrupsionit do të jetë zero”, tha ai.

Mustafa po ashtu tha se Qeveria do të vazhdojë me ndërtimin e marrëdhënieve miqësore me fqinjët, do të vazhdojë me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe do të punojë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ashtu siç e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese dhe marrëveshja e parë e ratifikuar me ligj.

Qeveria në mbledhjen e mbajtur po ashtu ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 80 mijë euro, për kategoritë e luftës së UÇK-së, për qëllim rehabilitimi. Me kërkesë të zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, Qeveria ka marrë vendim për ndarjen e 10 mijë eurove për persona me aftësi të kufizuara.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies sociale, Arban Abrashi tha se ndarja e këtyre mjeteve po bëhet duke u bazuar në nevojat dhe kërkesat e këtyre kategorive.

Abrashi: Po ndajmë mjete, duke pas parasysh nevojat e këtyre kategorive

“Duke marrë parasysh kërkesat dhe nevojat e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, përkatësisht duke u bazuar në nevojat për rehabilitimin e tyre, në veçanti duke parë gjendjen e rëndë shëndetësore, të disa invalidëve dhe veteranëve të luftës, me qëllim të rehabilitimit, MPMS propozon që këtyre kategorive t’u ndahen mjete financiare si në vijim. Për shoqatën e invalidëve të luftës së UÇK-së, për invalid të luftës së UÇK-së të ndahen 50 mijë euro për nevoja të pushimit sipas kërkesës së tyre, për shoqatën e invalidëve të luftës së UÇK-së, për rehabilitimin në banja të Kosovës  të ndahen 10 mijë euro, për shoqatën e familjeve të dëshmorëve të UÇK-së për rehabilitimin në banja të Kosovës të ndahen 10 mijë euro dhe për shoqatën e veteranëve të luftës së UÇK-së, për rehabilitimin në banja të Kosovà «s të ndahen 10 mijë euro”, tha ai.

Ndryshe, Qeveria në mbledhjen e mbajtur ka miratuar raportin për gjendjen në shërbimin civil të Kosovës, për vitin 2015, draft konceptin e dokumentit për rregullimin e funksionimit të organizatave joqeveritare dhe propozim vendimin për plotësimin e listës së projekteve për financim përmes klauzolës për investime

Qeveria do të punojë për themelimin e Asociacionit 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi është shumë e qartë. Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden ka rekomanduar që të procedohet kjo marrëveshje. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, sipas të cilit, insistimi se Kosova po humbë territor është i paqëndrueshëm.

“Vlerësojmë lartë përkushtimin e SHBA-ve në ratifikimin e kësaj marrëveshje. Qeveria beson qe deputetet duhet të veprojnë në harmoni me strategjitë që ne kemi ndërtuar dhe po i ndërtojmë me SHBA-të. Çdo veprim tjetër nuk do të ishte në interes të Kosovës, sovranitetit dhe integritetit të saj. Adresimi i këtyre çështjeve i hap rrugë mbështetjes së SHBA-ve për Kosovën”, ka thënë Mustafa.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Mustafa po ashtu ka thënë se Qeveria do të punojë që të themelohet Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë.

Vizitën e Biden në Kosovë, i pari i Qeverisë, e ka cilësuar historike, ndërsa ka thënë se ajo dëshmon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovës.

“Kosova është një investim i madh i SHBA-ve. Gjatë takimit, ne kemi biseduar me Biden për nevojën e ngritjes së zhvillimti ekonomik, forcimin e shtetit ligjor dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit. SHBA-të vlerësojnë lartë rezultatin që ka shënuar Kosova, në luftën kundër terrorizimit dhe ektremizimit”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri ka deklaruar se Qeveria do të angazhohet në reformat e zhvillimit ekonomik dhe zvogëlimin e papunësinë, ndërsa toleranca ndaj korrupsionit do të jetë zero.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat