AAK e Nisma nuk do të jenë pjesë e protestës së thirrur nga VV-ja

Aktuale

AAK e Nisma nuk do të jenë pjesë e protestës së thirrur nga VV-ja

Më: 18 gusht 2016 Në ora: 15:44
Foto arkiv

Thirrja e protestës më 1 shtator, nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk do ta ketë përkrahjen e partive opozitare.

Kështu së paku kanë thënë zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe të Nisma për Kosovën.

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se ata si parti nuk kanë qenë pjesë e konsultave, sa i përket protestës së thirrur nga VV-ja me datën 1 shtator, me ç’rast nuk do të jenë pjesë e kësaj proteste.

Ai ka theksuar se VV-ja është organizatë autonome politike, dhe sipas tij, është krejt normale që kjo lëvizje të thërras protesta, kur ajo e vlerëson se është e nevojshme.

“Ajo që mund të them unë është se ne nuk do te jemi pjesë e kësaj proteste. Por në asnjë moment nuk t’i pengojmë të tjerët që të behën pjesë e tyre”, ka theksuar Nitaj.

Në anën tjetër, anëtari i Kryesisë së Nisma për Kosovën, Bilal Sherifi, ka theksuar se kjo i mbetet kryesisë së partisë që të vendosë.

“Pastaj do të bisedojmë edhe me partnerin e koalicionit – AAK-në. Dhe, pastaj do ta informojmë publikun për vendimin që do ta marrim”, ka shtuar Sherifi.

Ndryshe, sot VV-ja në një konferencë për shtyp ka paralajmëruar që protesta e radhës e organizuar nga kjo Lëvizje do të jetë më 1 shtator.

“Më 1 shtator protestojmë në sheshin e Prishtinës. Demarkacionin do ta ndalim me çdo kusht e çdo mjet demokratik”, ka thënë ndër të tjera i pari i VV-së, Visar Ymeri. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat