AKR shënon Ditën Botërore të Rinisë

Aktuale

AKR shënon Ditën Botërore të Rinisë

Më: 12 gusht 2016 Në ora: 15:28
Pamje nga konferenca

Për nder të 12 gushtit, Ditës Botërore të Rinisë të shpallur nga Kombet e Bashkuara, Aleanca Kosova e Re sot ka mbajtur konferencë me panelistë, në të cilën është diskutuar për gjendjen aktuale të të rinjëve në Republikën e Kosovës.

Në konferencën me temë “Rinia-forcë për avancim politik, ekonomik dhe social”, të pranishëm ishin ekspertë te politikave rinore, përfaqësueses të shoqërisë civile si dhe mysafirë të tjerë të cilët veprojnë në këtë fushë.

Në mesin e panelistëve i pranishëm ishte edhe profesor Korab Sejdiu nga Aleanca Kosova e Re, i cili fillimisht foli rreth gjendjes së kësaj shtrese të popullatës, e cila përbën pjesën më të madhe të shoqërisë, por që sipas tij, është lënë pas dore nga institucionet vendore.

Sejdiu i adresoi një serë kritikash kundrejt Qeverisë e cila sipas tij, nuk ka bërë pothuaj asgjë për t`ju siguruar atyre një perspektivë dhe arsimim më cilësor.

Në vend se të shfrytëzohet potenciali i rinisë sonë, institucionet tona e kanë ngulfatur atë, duke ja humbur shpresat për një të ardhme më të mirë”, ka thënë ai, duke shtuar se për të bërë ndryshime, nuk po shfrytëzohen as veglat e kohës që ekzistojnë sot.

Në këtë konferencë i pranishëm ishte edhe Drejtori i Kulturës Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prishtinës, z.Besart Vllahinja, i cili theksoi se Aleanca Kosova e Re i jep hapsirë të mjaftueshme të rinjëve edhe në vendimarrjë.

“Kultura dhe të rinjtë po bëhen prioritet i shoqërisë sonë, me gjithë sfidat. Sfidat për të rinjtë mbenten, por pa u kufizuar sfida e arsimit, papunësisë, lirisë së lëvizjes dhe mosinkurajimit për punë vullnetare. Drejtoria e Kulturës ka emëruar politika për t’i dërguar aktivitetet e të rinjëve ku duhet. Ne jemi të interesuar t’i përkrahim projektet e tyre me fonde të veçanta”, ka thënë Vllahinja.

Pjesë e panelit diskutues ishte edhe profesoresha e Universitetit të Tiranës, sociologia Entela Binjaku, e cila foli për problemet aktuale të rinisë si dhe për problemet e trashëguara nga më parë, të cilat vazhdojnë të ndjehen edhe sot.

Ajo foli për problemet me papunësinë si dhe për sfidat nëpër të cilat po kalon kjo gjeneratë.“Jetojmë në një kohë kur nga rinia kërkohen disa gjëra si guximi dhe përgjegjësia.

Duke folur për prioritetet dhe problematikat e rritjes kulturore dhe arsimore të rinisë, znj.Binjaku ka shtuar se rinisë tashmë i është bërë e pamundur që të arrijë sukses përmes vlerave dhe meritokracisë.

Pas përfundimit të debatit nga panelistët, u bë identifikimi i problemeve më të theksuara për rininë, si dhe u nxjerrën disa rekomandime për lehtësimin e këtyre problemeve.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat