Komisioni ofron fakte: Ja e vërteta e hartave të Bulliqit, flamuri nuk ndryshon

Aktuale

Komisioni ofron fakte: Ja e vërteta e hartave të Bulliqit, flamuri nuk ndryshon

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 11 gusht 2016 Në ora: 14:28
Harta e prezantuar nga Shpejtim Bulliqi

Profesori i Gjeografisë, Shpejtim Bulliqi ka publikuar harta të reja, që sipas tij ato dëshmojnë se Kosova humb territor nga demarkacioni i kufirit me Malin e Zi.

 “Të nderuar miq, Versioni i flamurit dhe stemës së shtetit të Kosovës që është i publikuar në portalin e qeverisë së Kosovës tek pjesa e kufirit me Malin e Zi është ndryshe nga versioni i komisionit shtetëror për shënjimin e kufirit. Ky version i kufirit në portalin e qeverisë është më afër realitetit dhe më pak i dëmshëm se sa versioni i komisionit shtetëror. Ketë version të kufirit me Malin e Zi e kemi publikuar edhe gjatë debatit të me 3 Gushtit.”, ka shkruar ai në Facebook, derisa ka publikuar edhe këto harta.

Po i menjeheëshëm ka qenë reagimi i Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit,  i cili demanton plotësisht, sipas tyre të pavërtetën e radhës të publikuar nga Shpejtim Bulliqi, sipas të cilit, “demarkacioni aktual ndryshon hartën e Kosovës në Flamurin shtetëror”.

Image
Harta 1. e vitit 1974

“Komisioni me përgjegjësi të plotë thekson se ky është deklarim i pavërtetë, jo profesional, me harta të vizatuara sipas qejfit dhe i pabazuar në asnjë hartë valide, dokument ligjor dhe me realitetin në terren.  E vërteta është krejtësisht e kundërta e asaj që ka thënë z. Bulliqi. Sipas të gjitha dokumenteve zyrtare, akteve juridike, hartave kredibile, matjeve në terren, harta në Flamurin e Republikës së Kosovës është në përputhje të plotë, 100%,  me shënjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, i cili është propozuar për miratim në Kuvend.Në fakt, në rast se procesi do të bëhej sipas kërkesave të z. Bulliqi dhe bartësve të kauzës politike rreth kësaj çështje, harta do të duhej të ndryshohej”, thuhet në komunikatën e komisionit.

Më tej sipas tyre procesi i shënimit të kufirit të bërë me përgjegjësi të plotë kushtetuese, ligjore dhe profesionale nga Komisioni Shtetëror, Komuna e Pejës do t’i ketë si gjithnjë 603 kilometra katrorë andaj dhe paraqitja në hartën e Flamurit do të jetë plotësisht e njëjtë siç është sot.

Image
Harta 2. e vitit 2015 me vijën kufitare identike nga ajo e viti 1974 (harta1)

“Sipas pretendimeve politike dhe joprofesionale të Bulliqit, Komunës së Pejës duhet t’i shtohen edhe mbi 8000 hektarë që do ta ndryshonte ndjeshëm edhe hartën që sot ndodhet në Flamur. Kjo sipërfaqe nuk dihet se në cilën zonë kadastrale është dhe kush janë pronarët e saj. Po ashtu, Republika e Kosovës, sipas procesit të kryer nga Komisioni Shtetëror do t’i ketë siç i ka pasur gjithnjë 10906 kilometra katror, siç është e paraqitur saktësisht në hartën, e cila ndodhet në Flamurin Shtetëror. Ndërkaq, nëse do t’i  shtoheshin 8000 hektarët e pretenduar sipas qejfeve nga z. Bulliqi, harta e Kosovës do të duhej të zgjerohet edhe për këtë territor.

Kufiri i Kosovës në harta dhe dokumentacion zyrtar dhe me koordinata të sakta zyrtare është i pandryshuar sikurse shihet në hartën e bashkangjitur të vitit 1974 (shih harta 1) dhe në vitin 2015 (shih harta 2), të cilin kufi dhe koordinata gjithnjë janë përdorur nga komuna e Pejës. Kjo nënkupton që ndryshim të vijës kufitare nuk kishte gjatë kësaj periudhe, të gjitha opinionet për vijë tjetër kufitare janë spekulime ose mungesë e njohurive për këtë çështje. Pra, pretendimet se me këtë proces Flamuri i paraqitur në hartën e Kosovës do të duhej të ndryshohej, është manipulim i plotë dhe i pavërtetë”, thuhet në komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat